Kosovë, Banka Botërore përgënjeshtron rritjen ekonomike me 2.7%

470
Përfaqësuesit e Bankës Botërore në Kosovë kanë përgënjeshtruar të dhënat e prezantuara një ditë më parë nga guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, se vitin e kaluar kishte një rritje ekonomike prej 2.7 për qind.
Eksperti i BB, Agim Demukaj, duke u bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, tha se rritja ekonomike për vitin e kaluar ishte vetëm 1 për qind. 
“Në bazë të vlerësimeve që ka bërë Agjencia e Statistikave të Kosovës, të cilat janë shumë paraprake, ka dalë që rritja ekonomike vitin e kaluar ka qenë vetëm 1 për qind. Shifra u publikua para një jave, në mos gaboj, apo para 10 ditësh dhe ka qenë paksa shokuese edhe për ne, sepse prisnim që të ishte pak më e lartë. Kemi pritur të ishte mbi 2 për qind”, deklaroi Demukaj. 
Ai tha se ndikim negativ në rritjen ekonomike vitin e kaluar ka pasur ndërprerja për një kohë e prodhimit të energjisë dhe importi i saj. Eksperti theksoi se për vitin 2015 Banka Botërore pret që rritja ekonomike e Kosovës të jetë rreth 3 për qind. 
Në konferencën për shtyp, Demukaj prezantoi edhe një anketë me bizneset, ku vlerësohet se bizneset që kanë pronarë politikanë apo të lidhur me politikën i shmangen detyrimeve fiskale. 
“31 për qind e të anketuarve besojnë se, nëse pronari apo njëri nga pronarët e kompanisë është politikan, atëherë ai ndihmon më së shumti në shmangien e dënimeve të rënda të evazionit tatimor. Për shembull, nëse administrata kap një kompani që nuk ka paguar detyrimet dhe ka pronar një politikan, atëherë e lë të ikë. 30 për qind besojnë se nëse keni miq personalë në administratë mund t’u shpëtoni tatimeve, ndërsa 23 për qind janë të bindur se, nëse njihni një qeveritar, atëherë i shmangeni dëmineve”, saktësoi Demukaj. 
Përfaqësuesit e Bankës Botërore po ashtu vlerësuan se investimet e bëra nga shteti i Kosovës në autostrada dhe subvencionimi për sektorin energjetik nuk kanë qenë përfituese për qytetarët.
Sigal