Koreja e Veriut teston raketat e reja anti-anije

561
Koreja e Veriut ka testuar disa raketa anti-anije në bregun e saj lindor. Lajmi konfirmohet nga ushtria koreano-jugore, autoritetet e të cilës thonë se armët e hedhura mëngjesin e të enjtes pranë qytetit Wonsan, duket të jenë raketa “sipërfaqe-drejt-anijeve” me rreze të shkurtër.

Ato fluturuan për rreth 200 km përpara se të binin në ujë. Testet e përsëritura bërthamore të Veriut gjatë këtij viti, në kundërshtim edhe me sanksionet e OKB, kanë ngjallur shqetësime në rradhët e ndërkombëtarëve.

Ekspertët frikësohen se këto teste tregojnë progresin drejt qëllimit përfundimtar të Penianit për vendosjen e një koke nukleare mbi një raketë. Sidoqoftë, kjo lëvizje e fundit nuk shkel rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB kundër Veriut, pasi ato vetëm ndalojnë lëshimet e raketave balistike.

Raketat anti-anijeve të lundrimit janë raketa të drejtuara që në përgjithësi prekin lehtë ujin. Në vitin 2012, Koreja e Veriut ekspozoi të tilla armë të njohura si Styx. Vetëm javën e kaluar, Këshilli i Sigurimit të OKB miratoi njëzëri një rezolutë të re për të imponuar sanksione mbi zyrtarë të caktuar dhe entitete shtetërore të Koresë së Veriut.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë rritur prezencën e tyre në rajon me kryerjen e stërvitjeve të përbashkëta me Korenë e Jugut dhe Japoninë dhe me vendosjen e sistemit të mbrojtjes nga raketat në Korenë e Jugut të quajtur THAAD.
Sigal