Një kompani japoneze për prodhimin e makinerisë dhe një organizatë qeveritare, njoftuan se kanë arritur të prodhojnë energji elektrike nga rrymat e oqeanit.
Kompania IHI dhe organizata për zhvillimin e llojeve të reja të energjisë dhe teknologjisë industriale NEDO, kanë kryer kërkime në brigjet e prefekturës Kagoshima, në jugperëndim të Japonisë.
Ata thanë se rrymat e oqeanit kanë lëvizur turbinën e gjeneratorit eksperimental, të vendosur në thellësi prej 20-50 metrash nën sipërfaqen e ujit.
Në kumtesë thuhet se përmes këtij eksperimenti kanë arritur të prodhojnë 30 kilovatë energji elektrike. Projektuesit thonë se kapaciteti i gjeneratorit arrin të prodhojë deri në 100 kilovat energji elektrike.
Prodhuesit japonezë deklarojnë se gjeneratori do të jetë gati në vitin 2020.