Hashim Thaçi: Kosova nuk ka nevojë as për erdoganistë e as për gylenistë

2
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se Kosova nuk ka nevojë as për erdoganistë e as gylenistë. Ai ka theksuar se do të shikohet se çfarë ka ndodhur me rastin e ndalimit e deportimit të qytetarëve turq dhe pastaj do të dalë shteti me qëndrim.
“Presidenti Erdogan më ka thirr në telefon. Kemi diskutuar për zhvillimet bilaterale, për atë se nuk ka nevojë për tensionim të situatës. Kosova nuk i takon as Erdoganit e as frymës së gylenizmit. Kosova respekton shtetin e Turqisë, nuk mendoj që Turqia është armiku i Turqisë, sepse është nga vendet që e ka njohur Kosovën dhe i ka sjellë njohje. Unë respektoj raportet institucionale me shtetin e Turqisë dhe jo ato ideologjike”, ka thënë ai në T7.
Thaçi është shprehur se për ndalimin e qytetarëve turq është informuar pasi ndodhisë. “Jam informuar nga autoritetet përkatëse pas ndodhisë. Tërë procesi nuk do të duhej të ndodhte në asnjë rrethanë. Është diçka që është e izoluar. Mekanizmat përgjegjës duhet të zbërthejnë në detale se çka ka ndodhur dhe në bazë të atij zbërthimi duhet të ndërtohet qëndrimi si shtet”. “Kam parë opinionet që kanë qenë paragjykuese, paranojake e konspirative. Do të ndodhë një rishikim i procesit se çka ka ndodhur” , ka thënë ai.