Hahn në Mitrovicë: Në një të ardhme të afërt kosovarët do të lëvizin lirshëm në Evropë

438
Komisionari i BE-së për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, Johannes Hahn, i shoqëruar nga përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe ministri i Integrimeve, Bekim Çollaku, përuruan të premten në Mitrovicë, Fabrikën për Trajtimin e Ujit, donacion ky i BE-së që kap vlerën prej 10 milionë euro. Para gazetarëve, Hahn foli për liberalizimin e vizave dhe zhvillimet më të reja në Kosovë, duke thënë se raporti që do të prezantohet në fund të këtij viti për Kosovën, do të jetë pozitiv dhe kosovarët do të lëvizin lirshëm në Evropë në një të ardhme shumë të afërt. “Jemi në stadet e fundit të vlerësimit për liberalizimin e vizave për kosovarët dhe jam shumë i bindur se kjo do të ndodhë në një të ardhme të afërt. Deri në fund të këtij viti do të paraqitet një raport në lidhje me këtë dhe shpresoj se ky raport të jetë pozitiv”, tha Hahn.
Ai apeloi tek qytetarët e Kosovës që të kontribuojnë në stabilitetin e vendit për një të ardhme më të mirë për të gjithë. Në lidhje me veprimet e opozitës dhe afishet e shpalosura nga ana e tyre sot në Kuvendin e Kosovës, ai tha se nuk ka arritur t’i lexojë ato. Ndërkaq, ministri i Integrimeve Evropiane Bekim Çollaku, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ka folur rreth kërkesës së Komisionit Evropian për rikthimin e kontrollit kufitar mes Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas tij, ky rikthim është bërë me qëllim parandalimin e krimit ndërkufitar. “Ky rikthim i kontrollit në hyrje dhe dalje nuk është se do të vështirësojë kalimin e qytetarëve tanë, sepse gjatë sezonit turistik përsëri do të përfitojmë lehtësira, por po e ritheksoj se për qytetarët e Republikës së Kosovës nuk do të ketë vonesa në kalimin e këtij kufiri. E gjithë kjo bëhet në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe dukurive të tjera negative që zhvillohen në brezin kufitar”, tha Çollaku.
Sigal