Greqia i shpëton humnerës, por grekët të pakënaqur për marrëveshjen

464
Një ditë pasi Greqia u duk se doli nga humnera, sigurisht duke bërë disa lëshime që shkojnë kundër premtimeve të qeverisë Tsipras para marrjes së pushtetit në muajin janar, grekët janë të ndarë mbi atë që duhet të bënin udhëheqësit e tyre.
Pas samitit të së hënës, qeveria greke ka propozuar rritje të reja taksash te shtresa e pasur, kufizim të pensioneve të parakohshme pas vitit 2016 dhe rritje të TVSH-së mbi disa produkte, propozime që pasi u vlerësuan në Samit, do të diskutohen në detaje nga ana e skuadrave negociatorëve gjatë këtyre ditëve vendimtare.
Në rrugët e Athinës, njerëzit nuk janë të një mendje për rrjedhën që po merr fati i tyre, pasi ka ende nga ata që mendojnë se Tsipras dhe kabineti i tij duhet të qendronin stoikë përpara presionit.
“Gjërat janë kaq të vështira saqë nuk e kishim problem ndarjen, për sakohë gjërat do të përmirësoheshin në vazhdim. Tani më duket sikur na kanë lënë të varur”.
“Do të jetë e vështirë, por nuk duhet të bëjmë marrëveshje me kreditorët”.
Të tjerë akuzojnë Tsiprasin se ka marrë një kthesë 180 gradëshe të papranueshme.
“Kryeministri premtoi gjëra të ndryshme nga ato që thotë tani. Duam atë që na premtoi. Nuk duam pasuri, duam që të mos na preken pensionet dhe të jetojmë në qetësi”.
Një ditë më parë, protestues pro dhe kundër Bashkimit Europian u përplasën mes tyre në Athinë, ndërsa edhe gazetat pro qeveritare nuk i kursyen thumbat për Kryeministrin pas takimit në Bruksel.
“Shpëtim shokues – ulje pensionesh, rritje taksash” ishte titulli i gazetës konservatore “Eleftheros Typos”, sipas të cilës këto lëvizje do të kthejnë vendin në reçesion.
Ndërsa sipas të përditshmes së majtë “Te Nea”, “djalli duket te detajet”, duke kritikuar kështu propozimet, por edhe Bashkimin Europian për pozitën e vështirë në të cilën ka vënë qeverinë.
Kjo javë është vendimtare për Greqinë dhe Bashkimin Europian, pasi nëse parlamenti nuk i mbështet propozimet e fundit, atëherë Tsipras do të detyrohet të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme ose edhe referendum, diçka që vetëm sa do të zgjaste pasiguritë për stabilitetin e vendit.
Sigal