Greqi, Varufakis konfirmon që nuk ka pagesë ndaj FMN-së!

62
Ministri grek i Financave, Janis Varufakis, ka konfirmuar se Greqia nuk do ta kryejë sot pagesën prej 1,6 miliardë eurosh ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar, duke pranuar “de facto”, falimentin e vendit.
Megjithatë, Varufakis u shpreh se kishte ende shpresa se do të gjente një marrëveshje me kreditorët edhe pse refuzoi të pranonte atë ekzistuese, të cilën e quajti të pavlefshme, edhe pse për britaniken “Telegraph” ka thënë se Greqia po mendon të padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë Bashkimin Europian, pasi dalja nga eurozona nuk është e parashikuar në asnjë traktat të nënshkruar mes vendeve anëtare.
Në të njejtën kohë, zyra e shtypit e kryeministrit Aleksis Tsipras, ka publikuar lajmin se ai i ka telefonuar presidentit të Komisionit Europian, Zhan-Klod Junker, por edhe presidentit të Bankës Qendrore Europiane, Mario Dragi dhe atij të Parlamentit Europian, Martin Shulc. Ai gjithashtu pritet të udhëtojë sot pasdite për në Bruksel ku do të takohet me disa prej krerëve më të lartë të unionit pasi gjatë paradites refuzoi ofertën e fundit për të mbështetur propozimet e kreditorëve në referendum në këmbim të shtyerjes së afatit të programit të shpëtimit. Paralelisht, qeveria ka publikuar një deklaratë ku mohon kategorikisht planet për të rikthyer dhraminë si monedhë kombëtare.
Gjatë ditës, ministria greke e financave njoftoi se vendosi të rihapë 1000 degë bankash në të gjithë vendin që do t’u shërbejnë vetëm pensionistëve, të cilët u alarmuan një ditë më parë pasi i gjetën bosh bankomantet dhe nuk arritën të tërhiqnin pensionet.
Alarmin për pasojat e daljes së Greqisë nga euro e dha sot fillimisht Banka Qendrore Europiane, por edhe kryeministri spanjoll, Mariano Rahoj, sipas të cilit kjo do të vërtetonte se unioni monetar është i kthyeshëm dhe se largimi i Greqisë mund të ketë efekt zinxhir në ekonomi të tjera të brishta.