Gjuriç: Serbët do ta pengojnë formimin e Ushtrisë së Kosovës edhe në Kuvend

116
Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, ka deklaruar se respekton vendimin e përfaqësuesve serbë që të kthehen në Kuvendin e Kosovës. Ai thotë se përkundër rrethanave të vështira, ata do t’i kundërvihen formimit të Ushtrisë së Kosovës.
“Përfaqësuesit serbë tani edhe publikisht do të jenë kundër dhe do të bëjnë ç’të munden institucionalisht që të mos ndodhë formimi i Ushtrisë. Këtë duhet ta përkrahim”, ka thënë Gjuriç për “rts”.

Ai ka theksuar se Prishtina ka pasur për qëllim t’ua marrë mandatet deputetëve serbë nëse ata mungojnë më shumë se gjashtë muaj.

“Kanë dashur ta shfrytëzojnë mundësinë ligjore që t’iu merren mandatet. Përfaqësuesit serbë po gjenden dhe po gjejnë mënyra për ta penguar Prishtinën që t’i bëjë të pafuqishëm dhe ta pengojnë formimin e Ushtrisë”, ka thënë Gjuriç.