Firmoset marrëveshja Mustafa Thaçi, Veseli kryetar i Kuvendit

483
Sigal

PRISHTINE –  Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, liderë të koalicionit më të fundit PDK-LDK nënshkruan sot marrëveshjen për të bashkëqeverisur vendin në 4 vitet e ardhshme.
 
Pas 6 muaj ngërç politik, dy krerët e partive në koalicion theksuan se marrëveshja e sotme ishte në të mirë të vendit, duke përmendur edhe objektivat e qeverisë së re e cila gjithashtu, do të jetë në interes të qytetarëve të Kosovës. 

“Duke marrë parasysh dhe në konsideratë nevojen për vazhdimin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës, krijimin e vendeve të punës, sundimin e rendit dhe ligjit, trajtimin e barabartë të gjithë qytetarëve të Kosovës në anën tjetër të përkushtuar ndaj organizmave dhe të ardhmes evropiane.Kemi vendosur që të nënshkruajmë, për të mirën e vendit dhe të mirën e qytetarëve të Kosovës, duke përfshirë edhe partnerët minoritarë të koalicionit, kemi nënshkruar marrëveshjen e koalicionit 2014-2018, për krijimin e institucioneve”, u shpreh Thaçi.

Këtë marrëveshje e kemi bërë në interes të qytetarëve të Kosovës dhe në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve…me qëllim të integrimit në Bashkimin Evropian. Do të përkushtohemi të realizojmë edhe më shumë se sa që kemi premtuar, përkushtimi ynë është që të arrijmë objektivat tona. Falenderoj z.Thaçi dhe gjithë të tjerët, dhe do të punojmë ngushtë në angazhimin dhe bashkëpunimin e përbashkët me opozitën dhe gjithë organizmat tjerë.“Është marrëveshje e arsyeshme, racionale, për Kosovën evropiane dhe për të mirën e vendit”, u shpreh Mustafa.

Firmosja e marrëveshjes i hapi rrugë krijimit të qeverisë dhe institucioneve të Kosovës. Paraprakisht mediat kosovare kanë publikuar listën me emrat e ministrave që do të përbëjnë qeverinë Musatafa, e cila do të ketë zëvendës kryeministër dhe ministër të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçin.  

Konsituohet Kuvendi, Kadri Veseli i PDK-se zgjidhet ne krye te Parlamentit
Rreth një orë pas nënshkrimit të marrëveshjes, nën drejtimin e deputetes më të vjetër, Flora Brovina, Kuvendi mbajti seancën konstituive për zgjedhjen drejtuesve të institucionit dhe votimin e qeverisë së re të koalicionit PDK-LDK, e zyrtarizuar me firmat e dy krerëve të partive.

Me 71 vota pro, 42 kundër dhe 1 abstenim Kadri Veseli nga radhët e PDK-së u zgjodh kryetar Kuvendi. Ndërsa nënkryetarë u zgjodhën Xhavit Haliti nga PDK, Sabri Hamiti nga LDK, Glauk Konjufca nga Vetëvendosja, Jasmina Zhivkoviq nga Lista Serbe dhe Duda Bale nga Partia Demokratike e Turqve të Kosovës.

U vu re se 4 LDK-ja nuk ishte e unifikuar pasi 4 deputetë nga radhët e saj votuan kundër Veselit, konkretisht Kujtim Shala, Vjosa Osmani, Adem Salihaj dhe Arben Gashi. Ndërsa deputetët e Vetëvendosjes së bashku me ata të Nismës për Kosovën lanë sallën gjatë fjalës së kryeparlamentarit të ri Veseli.

Ky i fundit lajmëroi se në orën 16:00 Kuvendi do të mblidhet sërish për të votuar Qeverinë e re duke bërë që brenda ditës së sotme Kosova të ketë qeverinë dhe institucionet e reja.

Kuvendi i Kosovës themeloi kështu zyrtarisht organet e veta dhe tejkaloi ngërçin 6 mujor të politikës kosovare prej zgjedhjeve të parakohshme të 8 Qershorit.

Marreveshja e firmosur mes Thacit e Mustafes per qeverine e re te Kosoves

Qeveria “Mustafa”
Kryeministër i Republikës së Kosovës – Isa Mustafa
Zëvendëskryeministër i parë – Hashim Thaçi
Ministër i Punëve të Jashtme – Hashim Thaçi
Zëvendëskryeministra – Muhamet Mustafa dhe Skender Hyseni
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë – Arsim Bajrami
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Memli Krasniqi ose Blerand Stavileci
Ministria e Diasporës – Edita Tahiri
Ministria e Drejtësisë – Hajredin Kuçi
Ministria e Integrimit Evropian – Bekim Çollaku
Ministria e Zhvillimit Ekonomik – Ramiz Kelmendi ose Besim Beqaj
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – Xhavit Haliti
Ministria e Punëve të Brendshme – Haki Demolli
Ministria e Shëndetësisë – Teuta Sahatçiu
Ministria e Infrastrukturës – Lutfi Zharku
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë – Hikmete Bajrami
Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës – Anton Çuni
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit – Kujtim Shala (mund të ndryshojë)
Ministria e Financave – Avdulla Hoti
Minister i Shtetit dhe Udhëheqës i dialogut teknik Kosovë-Serbi – Enver Hoxhaj
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal – Aleksandër Jablanoviq
Ministria për Komunitete dhe Kthim – Slobodan Petroviq
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale – Nenad Rashiq
Ministra e Administrates Publike – Mahir Yagcilar
Kuvendi i Republikës së Kosovës – Kadri Veseli, kryetar

Seanca konstituive e Kuvendit 
Brovina fillimisht dha arsyetimin kushtetues për vazhdimin e seancës dhe më pas thirri kryetarin e grupit parlamentar të PDK-së, Hajredin Kuçin, për të propozuar kandidatin e PDK-së për kryetar të Kuvendit. 

Hajredin Kuçi, për kryetar të Kuvendit propozoi Kadri Veselin dhe njëherësh, propozoi edhe kandidatin e PDK-së për nënkryetar të Kuvendit, Xhavit Halitin.
Fillimisht u bë votimi për zgjedhjen e Kadri Veselit për kryetar Kuvendi. Nga 119 deputetë të pranishëm në sallë, 71 votuan për, 42 ishin kundër ndërsa 1 deputetë abstenoi . Kështu, Kuvendi i Kosovës fitoi edhe kryetarin e vet, Kadri Veselin.

Më pas, kryesuesja e seancës konstituive ftoi kryetarët e grupeve parlamentare tjera, për të propozuar kandidatët e tyre për nënkryetar.
Në emër të LDK-së, Ismet Beqiri propozoi që nënkryetar i Kuvendit nga partia e tij të jetë Sabri Hamiti ndërsa, Visar Ymeri nga Lëvizja Vetëvendosje propozoi deputetin Glauk Konjufca. Haliti, Hamiti dhe Konjufca u votuan në pako dhe nga 119 deputet prezent, kjo treshe fitoi 98 vota për, 2 ishin kundër dhe 15 deputetë abstenuan

Sipas Nenit 67 paragrafit. 4 të Kushtetutës së Kosovës, kryesuesja e Seancës konstituive, Flora Brovina ftoi edhe përfaqësuesit e partive të komuniteteve pakicë që i kanë vendet e garantuara, nga komuniteti serb dhe komunitetet jo-serbe, që të japin propozimet e tyre.

Lista Serbe propozoi deputeten Jasmina Zhivkoviq për nënkryetare kurse, Mahir Yagcilar, në emër të grupit parlamentar “6+” të komuniteteve pakica jo-serbe në Kuvendin e Kosovës propozoi deputeten Duda Bale nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP). Nga 119 deputetë prezent, ky propozim kaloi me 75 vota pro, 19 kundër dhe 20 abstenuan.

Me përfundimin e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, kryesuesja e seancës Konstituive, Flora Brovina e përfundoi punën e saj dhe ftoi të porsazgjedhurit të zënë pozitat e tyre, duke e bërë pranim dorëzimin me Kadri Veselin. 
 
Veseli: Angazhimi im, në interes të vendit
Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, fillimisht përshëndeti të pranishmit në sallë dhe u zotua se në mandatin e radhës, 2014-2018, do të punojë së bashku që Kuvendi i Kosovës të jetë një vend ku do të punohet në miratimin e Ligjeve shumë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës dhe integrimin e saj në strukturat Euroatlantike dhe bashkimin Evropian. Njëherësh, ai u zotua se Kuvendi i Kosovës do të jetë një vend i debateve gjithëpërfshirëse dhe kompromiseve, e jo i metodave përjashtuese.

“Unë sot, si kryetar i juaj, do të respektojë fjalën e juaj si deputetë, të opozitës dhe pozitës. Do të angazhohem që debatet tona pozitë-opozitë të jenë mbi politikat ditore, mbi mosmarrëveshjet personale, por në angazhimin në interes të vendit” tha Veseli, pas fjalimit të së cilit u përmbyll seanca konstituive.