Ekstremistët e majtë dhe të djathtë grek kundër MSA me Kosovën

103
Cana, konsull i Kosovës në Strasburg, në emisionin “Info- Box” të RTV Dukagjini, ka theksuar se ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA) me Kosovën, nga ana e Parlamentit Evropian, ka dëshmuar për përkrahjen që e gëzon Kosova në këtë mekanizëm.
Sipas tij, partitë parlamentare evropiane u pajtuan se ratifikimi i kësaj marrëveshje është një ditë historike për Kosovën, për çka dëshmon edhe votimi i deputetëve të PE-së.
“Kishte disa zëra kundër, si rasti i deputetëve të Partisë së Lirisë – parti austriake, ku u tha se Kosova do të jetë çerdhe e ISIS-it në Evropë… Kosova rrezikon të bëhet një bazë e rekrutimit të terroristëve”, ka theksuar Cana.
Sipas tij, kemi pasur edhe rastin e partive destruktive greke. “E majta dhe e djathta ekstreme, kanë lëshuar deklarata të llojit se po mbështetet imperializmi amerikan përmes përkrahjes se Kosovës, deri e djathta ekstreme greke e cila e ka qortuar injorancën e Evropës sipas tyre, që e ka lënë Kosovën të formohet si shtet”, ka shtuar Cana.
Por Parlamenti Evropian ka votuar me shumicë absolute prej 486 vota pro dhe 102 kundër, ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit me Kosovën.