Një shqiptar 33-vjeçar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur ka humbur jetën, pasi u la i braktisur në derën e një spitali në Spanjë, teksa ishte i gjakosur e me plagë arme në shpatull dhe bark.
Mediat vendase raportojnë se mjekët e çuan menjëherë për mjekim, por plagët ishin të rënda dhe ai humbi jetën.
Policia thotë se ka bërë identifikimin e viktimës, por nuk e ka dhënë për mediat emrin e tij.
Ndërkohë që po hapen kamerat e sigurisë për të parë lëvizjet e bëra në pjesën hyrëse të spitalit, aty ku u la i plagosur i riu shqiptar, për të mundësuar kështu edhe identifikimin e personave që e lanë aty.
Hetimet po bëhen në disa pista, pa përjashtuar hetimet për konflikte në trafikun e drogës.