Burkhalter: Paqen, ta ndërtojmë dhe sigurojmë, përmes dialogut

458
Sigal

Zvicra paraqet programin e kryesimit të OSBE-së, vë në përdorim pikat e forta të organizatës

 Ministri i Jashtëm zviceran, Didier Burkhalter, premtoi se, do të përdorë mundësitë e ofruara nga OSBE-ja, gjatë prezantimit të përparësive të Kryesisë zvicerane të Radhës të Organizatës, në takimin e parë të Këshillit të Përhershëm në Vjenë. Burkhalter ftoi përfaqësuesit e 57 shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së të nxjerrin mësime nga Lufta e Parë Botërore: “Paqja nuk duhet marrë kurrë si e mirëqenë. Ne nuk duhet të vetëkënaqemi me paqen, por ta ndërtojmë dhe ta sigurojmë atë përmes dialogut të vijueshëm, krijimit të besimit dhe përpjekjeve kolektive për të rritur mirëkuptimin e ndërsjellë”. Ai shtoi se OSBE-ja është e pozicionuar më së miri për t’iu përgjigjur “shenjave shqetësuese të çarjeve të reja midis Lindjes dhe Perëndimit”, pasi shërben si forum për dialog, duke punuar aktivisht në terren me veprime të përbashkëta, dhe ofron një “çati të përbashkët” mbi rajonet euroatlantike dhe euroaziatike.

 “Krijimi i një bashkësie sigurie për të mirën e çdokujt” është lajtmotivi i Kryesisë zvicerane të Radhës, tha Burkhalter dhe theksoi se pas kësaj motoje qëndron besimi i palëkundur se, qëllimi i të gjitha politikave duhet të jetë t’u shërbejnë njerëzve. Zvicra ka përcaktuar tre objektiva gjithëpërfshirëse, shpjegoi Burkhalter: kujdesin për sigurinë dhe qëndrueshmërinë, përmirësimin e jetës së njerëzve dhe forcimin e kapacitetit veprues të OSBE-së. Për secilin prej këtyre tre objektivave, Kryesia Zvicerane ka identifikuar tri deri në katër çështje parësore.

 2014-a duhet të jetë viti i pajtimit në Ballkanin Perëndimor dhe OSBE-ja do të çojë përpara bashkëpunimin rajonal dhe do të luajë një rol mbështetës në zbatimin e marrëveshjes Beograd-Prishtinë, tha ai. Konfliktet e zgjatura në Kaukazin Jugor, përfshirë konfliktin Nagorno-Karabakh, pasojat e konfliktit të gushtit 2008 në Gjeorgji, si dhe procesi i marrëveshjes në Transnistria janë, gjithashtu, në krye të axhendës, tha Burkhalter. “E dimë mirë se progresi mund të mos vijë brenda natës dhe se zgjidhja nuk do të jetë e mundur pa përkushtimin e palëve. Gjithsesi, ne besojmë fort se nuk mund të rrimë duarkryq e të presim,” shtoi ai.

 Modernizimi dhe freskimi i të ashtuquajturit “Dokument i Vjenës” për kontrollin e armëve konvencionale për t’iu përgjigjur zhvillimit të aftësive dhe teknologjive të reja ushtarake është thelbësor për të garantuar stabilitet ushtarak, transparencë dhe parashikueshmëri, -tha ai. Gjithashtu, Zvicra do të kërkojë të forcojë edhe qeverisjen në sektorin e sigurisë, për t’u fokusuar në përmbushjen e angazhimeve ekzistuese brenda dimensionit njerëzor, për të risjellë në axhendë çështjen e torturës dhe për të gjetur rrugë efikase për të luftuar trafikimin e njerëzve.

Kundrejt një numri gjithmonë e më të madh, më të shpeshtë e më të ashpër fatkeqësish natyrore, Zvicra e konsideron shumë të rëndësishëm menaxhimin më të besueshëm të fatkeqësive natyrore dhe kalimin nga reagimi ndaj fatkeqësive në parandalimin e tyre. Zvicra dëshiron, gjithashtu, të luftojë kërcënimet për sulme terroriste, sidomos pengmarrjet për shpërblim, dhe të adresojë çështje si të drejtat e njeriut në luftën ndaj terrorizimit dhe kthimin e luftëtarëve të huaj.

 Zvicra u angazhua në drejtimin e procesit të njohur si ‘Helsinki +40’ për këndvështrime të reja për Organizatën ndërkohë që ajo mbush dyzetvjetorin e saj në vitin 2015. Burkhalter theksoi, gjithashtu, se ai ishte i dhënë veçanërisht pas idesë së përfshirjes së të rinjve në OSBE. Kryesia zvicerane mbështet idenë e nisjes së projektit “Rinia për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë”, i cili bën bashkë 57 “Ambasadorë të Rinisë” në një OSBE Model, që do të punojë përgjatë gjithë vitit pas një cikli negociatash të OSBE-së dhe që do të prezantojë në fund të Kryesisë një Plan Veprimi për Rininë.

Zvicra angazhohet për dialog me shoqërinë civile dhe për forcimin e përfshirjes së saj, shtoi ai. Kryesia zvicerane do të fillojë konsultimet në gjithë zonën e OSBE-së dhe dëshiron të organizojë katër konferenca rajonale. Ajo do të vijojë bashkërendimin e ngushtë me Serbinë, e cila do të kryesojë OSBE-në në 2015-n, dhe do të punojë me të, bazuar në një plan të përbashkët pune, tha Burkhalter.

Kjo është hera e dytë që Zvicra ka Kryesinë e OSBE-së; më parë, Zvicra ka qenë në krye të organizatës në vitin 1996.