ELBASAN/ Ekonomiku i zhytur në korrupsion

584
Sigal

Studentët denoncojnë korrupsionin: “Ka  pedagogë  që  kërkojnë  200 euro për një provim”

Prej disa ditësh në redaksinë e gazetës  “Telegraf”  kanë ardhur me dhjetëra telefonata dhe e-mail-e, ku denoncohen aferat dhe veprimet korruptive të disa prej pedagogëve të Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Elbasanit. Sipas studentëve, (emrat dhe numrat e celularëve po mbahen sekret për efekt hetimi nga organet e drejtësisë dhe nga redaksia ),  prej kohësh disa prej pedagogëve të Fakultetit Ekonomik në Elbasan, janë kthyer në përbindësha të lekut dhe nuk tolerojnë asnjë prej tyre qoftë për notën kaluese apo notën e mirë në  provime, pa dhënë  para nën dorë. Denoncimet e studentëve, vijnë pas disa rasteve të përsëritura, të cilat i kanë detyruar ata që, pasi ta kenë të pamundur marrjen e provimit me forcat e tyre, të detyrohen të japin para nën dorë tek sekserët e pedagogëve për t’i shpëtuar mbetjes apo notës negative. Aferat korruptive të pedagogëve në disa prej fakulteteve të Universitetit të Elbasanit, janë bërë shpesh objekt i mediave, por edhe i organeve kompetente të Drejtësisë. Por, denoncimet e studentëve për rastet  tek Ekonomiku në Elbasan, mbetet një rast ku duhet të ndalet  Rektorati, mediat dhe organet përkatëse të hetimit. “Vlera e parave shkon nga 100 deri 200 euro për provim, ka pedagogë që nuk e marrin parasysh fare se ke mësuar dhe je studente e mirë, por  duan  vetëm paranë të kalosh vitin apo të marrësh notën e mirë  kur e pretendon atë”- u shpreh një student nga rrethet që  studion në Fakultetin Ekonomik  të Elbasanit. Duke dashur të mbeten anonimë, ata  thanë se, “kjo gjë mësohet nga studentët sapo ata vijnë vitin e parë, dhe vazhdon deri sa ai mbaron gjithë shkollën deri sa diplomohet”. Korrupsioni i  pedagogëve në Universitetin  e Elbasanit, prej vitesh ka qenë në dijeninë edhe të organeve të hetimit dhe dikastereve qendrore, por duket se deri tani nuk ka zhvillime konkrete sepse gjithçka është mbuluar edhe kur është denoncuar nga studentët dhe të afërmit e tyre. Trashja e korrupsionit në sistemin universitar, mbetet e lidhur padyshim edhe me punën e dobët dhe implikimet e disa prej organeve të gjyqësorit. Kjo pasi, nuk ka se si  të shpjegohet ndryshe fakti, se edhe kur ka patur denoncime tek organet e hetimit, ka qenë pikërisht gjyqësori që ka mbyllur gjithçka  me pretendimet se: “Nuk ka prova për ta dënuar”. Korrupsioni në sistemin universitar tashmë është kthyer në institucion më vete, ai është trashur dhe ka kthyer në të pafuqishëm edhe Rektoratin e Universitetit të Elbasanit. Ka prej drejtuesve të fakulteteve që shprehen se, “Duam prova”,  kur provat janë të gjalla tek ditët e provimit, tek denoncimet e studentëve, që stresohen  për të gjetur paratë për të marrë një notë kaluese, apo edhe kur ata pretendojnë për notën mbi 8. Kjo është situata  në realitetin e shpërfytyruar, dhe jo  vetëm tek Ekonomiku, por edhe në të tjera fakultete të këtij universiteti. Studentët shprehen se:-  “Më të zellshëm  ndaj zhvatjes së parave janë çuditërisht ata pedagogë që nuk kanë nivelin e kërkuar nga ne, ata pedagogë që edhe leksionet i japin gjysmake, por që fatkeqësisht  kanë vite që mbajnë titullin e pedagogut”. Kjo situatë skandaloze duhet të marrë fund, Rektorati i Universitetit të Elbasanit duhet të shkundet, duhet të lëvizë, duhet të kontrollojë dhe denoncojë  me urgjencë  pedagogët e korruptuar, ata që vendin duhet ta kenë në dyert e Drejtësisë. Gazeta  “Telegraf”, shumë shpejt do të botojë edhe disa prej emrave të pedagogëve të denoncuar  nga studentët, por gjithmonë duke ruajtur anonimatin pasi mund të jetë pjesë e hetimit të organeve  përkatëse.