Britani: shqiptarët të parët për tregtinë e kokainës, të parët edhe për numrin e të burgosurve

133

Shqiptarët tejkalojnë polakët si të burgosurit më të zakonshëm në Britaninë e Madhe.

Tashmë një në çdo 10 të burgosur të huaj për narkotrafik në Britani është shqiptar.

Tabloidi The Sun kishte sot një artikull të kushtuar kësaj situate teksa theksonte se shqiptarët kanë shtënë nën kontroll tregun e kokainës.

Duke iu referuar të dhënave për qershorin e këtij viti, të bëra publike nga Ministria e Drejtësisë britanike, The Sun thotë se nga 9,089 të burgosur, 876 janë shqiptarë.

Numri i shqiptarëve pas hekurave është pothuajse dyfishuar katër vitet e fundit, nga 475 që ishte në vitin 2015. Në vitin 2009 kjo shifër ishte 166 të dënuar.

Sipas raporteve nga autoritetet britanike, kombësia më e zakonshme e të burgosurve të huaj në Britani është tashmë shqiptare – 10 për qind e të gjithë të huajve, polakët zënë 8 për qind, rumunët 8 për qind dhe xhamaikanët 5 për qind.

Kjo situatë, sipas The Sun, vjen pasi organizatat kriminale shqiptare janë fuqizuar ndjeshëm në tregun e narkotrafikut: “Tashmë ata (shqiptarët) nuk kontrollojnë vetëm trafiqet në rrugë, por gjithashtu edhe importin e dërgesave nga anë e mbanë botës”.

Autoritetet britanike e cilësojnë rrezikun që vjen nga grupet shqitpare të krimit si me një rrezikshmëri “domethënëse”.

Agjencia Kombëtare e Krimit ka paralajmëruar se bandat shqiptare kanë krijuar një profil të lartë ndikueshmërie në tërë grupet britanike të krimit të organizuar dhe kanë marrë kontroll të konsiderueshëm të trafikut në tregun e drogës, sidomos kokainës.

Autoritetet shohin me shqetësim se këto banda po e shtrijnë ndikimin e tyre edhe më gjerë.

“Vetëm muajin e fundit, 12 banda të mëdha shqiptare u dënuan për trafikim kokaine, pasi policia gjeti më shumë se një kilogram kokainë të klasit A dhe më shumë se 20,000 paundë” – citon The Sun një pjesë të raportit të kryer së fundmi nga autoritetet britanike.

Në këtë raport citohet edhe aksioni i muajit qershor ku një tjetër grup shqiptarësh u godit nga autoritetet në Tunbridge Wells të Kentit, një rajon ky jug-lindor jo shumë larg Londrës.

Grupi shqiptar kishte bërë më shumë se 4,2 milionë paundë shitje kokaine përmes një rrjeti që funksiononte me porosi telefonike.

Sërish The Sun nuk lë pa përmendur grupin Hellbanianz, mjaft i njohur jo vetëm për muzikën, por edhe për luksin e shfrenuar që shfaq në videoklipet e saj. Mediat britanike e kanë lidhur shpesh këtë grup me bandat shqiptare të narkotrafikut.

Në rastin e fundit The Sun përmend se në këtë periudhë fotografi të makinave, armëve dhe parave të shumta u bënë publike nga ky grup në Instagram.