Bashkimi familjar në Itali, rregullat për bashkëshortët

459
Sigal

Emigrantët shqiptarë të cilët kanë marrë shtetësinë italiane mund të fillojnë kryerjen e procedurave për bashkimin familjar në mënyrë që të pajiset dhe bashkëshorti ose bashkëshortja me shtetësi italiane. Edhe për bashkëshortët jo italianë të qytetarëve të huaj që kanë fituar shtetësinë italiane aplikohet neni 5 i ligjit 91/1992  që parashikon mundësinë e marrjes së shtetësisë italiane për martesë. Kjo do të thotë që i huaji mund të paraqesë kërkesë për shtetësinë, nëse janë të dy rezidentë në Itali, vetëm pas dy vjetëve nga çasti kur bashkëshorti është bërë italian (edhe nëse kanë më shumë vite martese) ose pas tre vjetëve nëse çifti është rezident jashtë Italisë. Natyrisht nëse martesa është bërë pas marrjes së shtetësisë nga njëri prej bashkëshortëve koha nis nga data efektive e martesës. Kriteri i dy apo tre vjetëve përgjysmohet nëse çifti është me fëmijë, të lindur apo të birësuar, nuk përbën asnjë dallim. Për të ditur nga kur nis llogaritja e kriterit kohor, duhet mbajtur parasysh që i huaji bëhet efektivisht italian nga e nesërmja e betimit në Komunë apo pranë Përfaqësisë diplomatike italiane jashtë vendit.

Shembull

Nëse çifti jeton në Itali e njëri prej tyre ka bërë betimin në Komunë më 24 janar 2018, ai është bërë italian nga 25 janari 2018. Në këtë rast bashkëshorti akoma i huaj mund të paraqesë kërkesë online  për shtetësinë italiane nga 25 janari 2019 nëse çifti ka ose bëhet me fëmijë, ose nga 25 janari 2020 nëse nuk kanë fëmijë. Në rast se çifti jeton jashtë Italisë, kërkesa mund paraqitet nga 25 janari 2021 nëse çifti është pa fëmijë e nga 25 korriku 2019 në rast se kanë fëmijë.