Vazhdon ‘saga’ në Universitetin e Mjekësisë

Vazhdon ‘saga’ e zgjedhjes së nxituar të administratorit në Universitetin e Mjekësisë. Ministrja Lindita Nikolla ka riemëruar Bordin e mëparshëm në këtë universitet, me qëllim vendosjen nën kontroll të situatës pas vendimeve konfuze dhe të kontestuara tashmë edhe ligjërisht të Senatit Akademik. Ndërkohë vendimi i fundit i Senatit Akademik të Universitetit ka pezulluar konkursin në pritje të përfundimit të çështjes gjyqësore. Situata mbetet e nderë për shkak të shkeljeve të përsëritura që e çuan këtë proces, ndoshta të nxituar, në pikën e moskthimit. Procesi është përfolur gjerësisht për ndërhyrje të politikës dhe interesave të personave me pozicione tepër të rëndësishme në Ministrinë e Arsimit si edhe në fushën e mjekësisë, të cilët janë pjesë e një skeme mashtrimi të paralajmëruar, që kërcënon me një tjetër shkelje të rëndë, me përsëritjen e këtij konkursi, nëse nuk arrihet ajo që ata kanë marrë përsipër. Influenca e tyre ka paralizuar tashmë drejtuesit dhe administratën në këtë institucion. Gjithashtu, mungesat e akteve nënligjore të Ligjit për Arsimin e Lartë e bëjnë këtë proces akoma edhe më të vështirë nga ana juridike, pasi akoma nuk janë të qarta hapat e konkursit. Të shpresojmë që ndërhyrja e profesionistëve, siç është kryetarja e këtij bordi, znj. Adriana Berberi, do ta bëjë të pamundur manipulimin në përzgjedhjen e administratorit të këtij universiteti, ashtu siç është përfolur, duke i hapur rrugën një konkurrimi korrekt dhe dinjitoz.