Rriten kuotat tek Shkencat e Natyrës, probleme me ambientet tek Informatika

104

Intervista/Flet Dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Prof. Dr. Mynyr Koni

 Shtimi i kuotave në Universitete për vitin e ri akademik ndeshet me mungesë ambientesh për zhvillimin e mësimit. Edhe pse ekzistojnë parametra përsa i përket hapësirës që duhet të ketë çdo student për m2, në universitet tona nuk plotësohen këto standarde. Në kushtet e mungesës së ambienteve për fillimin e vitit të ri akademik është edhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Një fakt të tillë e ka bërë të ditur Dekani i këtij Fakulteti Prof. Dr. Mynyr Koni në një intervistë për “Telegraf”. Ndër të tjera zoti Koni ka theksuar se: “Vështirësia e parë është mjedisi, dhe ne këtë vit na shtohet edhe një vit, pasi deri më tani kemi pasur dy vite tek Teknologjia e informacionit, këtë vit ajo bëhet cikël i plotë. Ne kemi rreth 500 studentë më shumë po ta marrim përafërsisht, kjo do të thotë që kërkon shtesën e katër grupeve, në vitin e parë, 4 në vitin e dytë dhe po ashtu 4 grupe të tjera në vitin e tretë”.

 -Zoti Koni, sa kuota keni propozuar për vitin e ri akademik për Fakultetin e Shkencave të Natyrës?

Fakultetit Shkencave të Natyrës i ka të organizuara studimet në dy cikle. Cikli i parë , cikli i dytë edhe cikli i tretë. Aktualisht në bazë të kërkesave që na ka sjellë Ministria e Arsimit sipas akteve ligjore në fuqi. Në mbledhjet e Këshillit të Fakultetit kemi paraqitur propozimet për kuotat për secilin program. Po ashtu kemi bërë propozime edhe për masterin dhe për sistemin part-time. Ndërsa përsa i përket nivelit të tretë Doktoraturës, nuk i kemi bërë ende propozimet për këtë cikël. Pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ndodhen 11 programe studimi si: Fizikë, Kimi, Biologji, Teknologji informacioni, informatikë, Matematikë, Kimi industriale dhe Ushqimore, inxhinieri Matematike dhe Fizike dhe Bioteknologji. Për vitin e ri akademik kemi propozuar 1300 kuota, ka një rritje rreth 5 %. Natyrisht në programet tona thelbin e përbën informatika deh Teknologjia e informacionit. Vjet janë miratuar 500 kuota, ku 300 kanë qenë në informatikë dhe 200 kuota kanë qenë në Teknologjinë e informacionit. Ndërsa në të njëjtën masë ne kemi shprehur me shkrim kërkesën për një rritje 5-10% për këto degë.

 -Ju keni kërkuar që të keni rritje për 5-10% për degët e Informatikës dhe Teknologjisë së Informacionit, kjo ka ardhur nga kërkesat e viteve të kaluara apo ka ndonjë arsye tjetër?

Kjo rritje nuk ka ardhur thjesht për shkak të kërkesave po ka ardhur edhe për shkak të mbështetjes së  politikës së qeverisë e cila po synon që të informatizojë dhe zhvillojë vendin. Natyrisht ne kemi vështirësi, por jemi duke marrë masa përsa i përket plotësimit të kushteve.

 -Ju u shprehët që keni vështirësi, në çfarë drejtimi janë këto vështirësi dhe a janë ambientet e mjaftueshme për këtë rritje?

Vështirësia e parë është mjedisi, dhe ne këtë vit na shtohet edhe një vit, pasi deri më tani kemi pasur dy vite tek Teknologjia e informacionit, këtë vit ajo bëhet cikël i plotë. Ne kemi rreth 500 studentë më shumë po ta marrim përafërsisht , kjo do të thotë që kërkon shtesën e katër grupeve, në vitin e parë, 4 në vitin e dytë dhe po ashtu 4 grupe të tjera në vitin e tretë. Kështu që mjedisi është një nga vështirësitë tona të mëdha. Ne kemi negociuar me Rektoratin e Tiranës, jemi duke përgatitur edhe një material për tja paraqitur MASH-it dhe Këshillit të Ministrave, për ti dhënë një zgjidhje. Por kemi një sinjal pozitiv, pasi ka filluar ndërtimi i një godine 6 katëshe dhe kjo do na ndihmojë shumë. Së dyti është çështja e stafit akademik. Unë kam shtuar 3 pedagogë tek informatika, dhe numri i tyre nga 15 ka shkuar në 18 dhe do kalojmë edhe dy pedagogë dhe do bëhet 20 numri i tyre.

 -Si po shkojnë studimet e ciklit të dytë dhe a do të ketë ndonjë shtim të programeve të Masterit?

– Unë do të thosha që ne kemi Master të Shkencave dhe Master Profesional. Masteri Shkencave është 120 kredite dhe Masteri Profesional është 90 kredite. Ne kemi 15 programe të ndara sipas departamenteve. Në total këto kuota janë pothuajse të njëjta me ato të një viti më parë. Këto janë programe që kanë qenë dhe ne brenda muajit shtator do të miratojmë kurrikula të reja për çdo program, nuk bëhet fjalë për ndryshime thelbësore, por do të jenë ndryshime koherente në funksion të rregullave. Presim propozime nga departamenti i informatikës apo i Fizikës, pa përjashtuar edhe departamentet e tjera për ciklin e dytë për të krijuar larmishmëri për studentët.

 -Le të ndalemi pak tek cikli i tretë i studimeve që është Doktoratura, a do të ketë ndonjë ndryshim në këtë cikël?

Në lidhje me ciklin e tretë të Doktoraturës ne ende nuk i kemi bërë propozimet. Por duhet të kujtojmë që në vitin 2009, ka filluar studimet viti i parë i ciklit të tretë të Doktoraturës, dhe këtë vit mbaron brezi i parë i Doktoraturës. Tashmë në frymën e rishikimeve të ciklit të parë dhe të dytë, tërë programet e Doktoraturës. Brenda këtij viti kalendarik që do të filloj, do të rishikohen të tëra programet e Doktoraturës do të shikohen me një synim të qartë dhe të pastër, sepse do të bëhen studime të thelluara akademike 60 kredite që janë detyrim për doktoraturën. Dhe brenda muajit dhjetor besoj do jenë mbyllur dhe pse jo të kemi edhe një program të ri Doktorature.

 -Sa do të jetë numri që do të mbrojnë tezën në Doktoraturë?

-Në vitin akademik 2009-2010 në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në programin e Doktoraturës janë regjistruar afërsisht 105-110 student. Mesatarisht i bie që të jenë nga 10 studentë për çdo program studimi. Fakulteti jonë është pak rigoroz dhe studentët që janë regjistruar në ciklin e Doktoraturës e kanë pasur mesataren mbi tetë. Për këtë arsye ne kemi vështirësi, pasi nuk plotësohen edhe kuotat ndoshta, por ne i kemi dhënë rëndësi edhe elementëve të tjerë. Por për këtë vit unë uroj që të mbyllin studimet dhe të mbrojnë tezën e tyre 30-40% të atyre që kanë filluar studimet.