Raporti për arsimin, Rama: Rezultate alarmante e turpëruese

46

TIRANE – Alarmante dhe turpëruese për sistemin arsimor në vend, i ka cilësuar kryeministri Rama shifrat e dala nga raporti për burimet njerëzorë në ardimin parauniversitar në vendin tonë. Duke iu referuar rezultateve të dala nga inspektimi, kreu i qeverisë tha se duhet ndërhyrje urgjente për të mos lejuar më mësues jashtë profilit dhe të garantohet cilësi në mësimdhënie.

“Rezultatet e raportit për burimet njerëzore në arsimin parauniversitar në vend janë alarmante dhe turpëruese. Gjetëm mësues ma arsim e jashtë profilit. Do bëjmë transformim rrënjësor për vendin. Nuk mund të ecim përpara me të shkuarën. Reforma në arsim është një proces që duhet të vijojë pa limit. Në arsimin parauniversitar ne do të bëjmë revolucion. Në këtë sistem duhet të vrapojmë, dhe operacioni duhet radikal dhe pa mëshirë, se këtu nuk luhet fati i një qeverie, por i një gjenerate të tërë, i të ardhmes së vendit”, tha Rama.


Nikolla:Duhet cilësi në mësimdhënie, jo më mësues jashtë profilit
Gjatë prezantimit të raportit të burimeve njerëzore në arsimin parauniversitar, ministrja Lindita Nikolla vuri theksin tek reforma në arsim duke u shprehur se në çdo klasë do të ketë mësues të profilit përkatës, të cilët do të ofrojnë cilësi në mësimdhënie.

“Të punojmë për të transformuar realitetet. Sigurojmë çdo prind e çdo nxënës se para çdo fëmije do çojmë mësuesit që ata meritojnë, duke ofruar cilësi në çdo shkollë. Nuk e masim punën tonë me “sa keq e gjetëm sektorin”, por se çfarë do bëjmë. Rruga jonë është e përgjegjësisë duke drejtuar së pari gishtin te veja, e duke dhënë llogari”, tha ministrja Nikolla.

Ministrja Nikolla tha se brenda dhjetorit të këtij viti do t’i jepet fund situatës me mësues jashtë profilit në shkolla. Ndërkaq, Nikolla tha se do të bëhet edhe licencimi i mësuesve, proces ky i cili do të përmbyllet në maj të 2015.
 
“Duhet të punojmë shumë për të ndryshuar situatën. Ka patur emërime pa kriter, me mësues që kanë shmangie nga profili. Ndërkohë që kemi evidentuar edhe mësues pa arsimin përkatës, të palicencuar. Në shkolla nga buxheti i shtetit janë shpenzuar para për më shumë orë mësimi, por këto orë nuk janë realizuar, ndërsa mësuesit ishin paguar me orë të plotë. 2065 mësues janë jashtë profilit. Problematike në Librazhd, Gjirokastër, Përmet.
Ne do t’i japim fund brenda dhjetorit kësaj situate me mësues jashtë profilit. Do licencohen të gjithë mësuesit që janë në sistem dhe janë konform profesionalizimit të tyre. Deri në muajin maj të vitit të ardhshëm do të përmbyllet procesi i licencimit të mësuesve, duke krijuar data-basen e nevojshme për të bërë transparent këtë proces.
Shkolla e drejtorëve do të jetë një tjetër mbështetje që do t’i jepet mësuesve që duan të bëhen drejtues”, tha ministrja Nikolla.