Ksenofon BITA*/ Matura Shtetërore, ja arsyet e rezultateve të dobëta në Matematikë

1327
Sigal

Të gjithë e morën vesh rezultatin e dobët të provimit të Matematikës të Maturës Shtetërore, ku 26% e maturantëve ishin ngelës, gjë e cila kërkon analiza të thella të problemeve që ka arsimi, analiza me fakte e jo me fjalë të përgjithshme e të përcipta. Kam punuar sistematikisht me maturat, sivjet kam pasur 4 matura, kam marrë pjesë në korrigjimet e provimeve dhe e përjetoj me dhimbje e shqetësim këtë rezultat, ku pas këtyre rezultateve janë nxënësit të pasigurt për të ardhmen e tyre dhe familjet që jo pak kanë shpenzuar për fëmijët.

Teza e provimit ishte e pranueshme, e shkallëzuar, ku çdo nxënës gjente veten e tij. Prandaj, ky rezultat nuk duhet lënë jetim. Duhet t’i japim Çezarit atë që i takon Çezarit.

Unë mendoj se janë këto arsyet për ngelësit e shumtë:

Së pari: Defektet e provimeve të maturës së mëparshme, ku është kopjuar si në Bagdad dhe teza e zgjidhur është shitur rrugëve të qytetit. Kjo ka ndikuar te nxënësit e dobët dhe sigurisht të paformuar, se do të kopjonin prapë dhe nuk janë ulur e të punojnë sistematikisht.

Së dyti: Vetë nxënësit dhe familjet e tyre, që nuk e kuptuan dhe nuk dëgjuan se sivjet provimet e Maturës Shtetërore do zhvilloheshin me korrektesë dhe nuk do lejohej asnjë shkelje. Kjo gjë iu tha nxënësve nga mësuesit e Matematikës, drejtoritë e shkollave, Ministria e Arsimit e deri tek Kryeministri, që do të behej revolucion në administrimin e provimeve të kësaj mature. Për këtë korrektesë dhe performancë të Maturës Shtetërore, kjo qeveri duhet lavdëruar.

Së treti: Mësuesit e Matematikës nuk janë pa faj. Me gjithë urdhrin e Ministres së Arsimit për zhvillimin e konsultimeve të detyrueshme, 2-3 muajt e fundit të vitit arsimor, në disa shkolla nuk i kanë zhvilluar e në disa të tjera i kanë bërë formale, duke punuar me gjithë klasën. Nuk është produktiv zhvillimi i konsultimeve me gjithë klasën, por duhet të zhvillohet sipas nivelit të nxënësve. Të ndahen nxënësit në dy nivele e me ta të zhvilloheshin konsultime me objektiva të qarta dhe duke analizuar përgatitjen e çdo maturanti.

Së katërti: Drejtoritë e Gjimnazeve të cilat u ndërruan ne mes të vitit mësimor dhe u vendosën si vitet e mëparshme, në mos më keq. Drejtoritë e sajuara “provizorisht” nuk kanë pasur vëmendjen e duhur dhe kontrollin e rreptë për Maturën shtetërore. Dimë që gjimnaze të veçanta nuk kanë zhvilluar konsultime dhe drejtoritë e shkollave kanë bërë sehir. Për  të arritur rezultat pozitiv duhet angazhim i të gjithëve dhe secili të bëjë mirë detyrën që i takon.

Së pesti: Në Vlorë, nuk e di në rrethet e tjera, u hoqën dy mësues matematike nga dy gjimnaze kryesore, 2 muaj para përfundimit të shkollës, për arsye qesharake, e me ca anketa fallco dhe në kundërshtim me ligjet e reja  të Arsimit Parauniversitar. Ç’është kjo gjë me politikën shqiptare, që nxirren ligje të nivelit europian dhe nuk zbatohen?!

Si mund të hiqen 2 mësues Matematike me përvojë 40-vjeçare, që do t’i kishte zili çdo gjimnaz i Republikës, pa kurrfarë arsyeje, 2 muajt e fundit dhe DAR-Vlorë pretendon për rezultate pozitive në Matematikë?!

Akoma më shume për nxënësit që ngrihen në protestë, se i hoqën mësuesit, drejtoresha e shkollës u thotë: “Ju jeni plehra!”. Ku është demokracia në Shqipëri?! Nuk do kemi rezultate pozitive në Arsim me drejtues mediokër dhe pa kurrfarë vlerash.

Qeveria e mëparshme e shkatërroi arsimin, kjo qeveri duhet ta rregullojë e jo të shkojë ne gjurmët e së parës. Mësuesit e mirë të Matematikës, me përgatitje të lartë shkencore e pedagogjike dhe me përvojë të lartë pozitive, që për hir të së vërtetës, janë të paktë në Shqipëri, duhet të përkrahen e stimulohen dhe jo të denigrohen, se nuk u shkojnë për shtat drejtuesve të tyre. Mësuesit e mirë të Matematikës, jo vetëm që nxjerrin nxënës të shkëlqyer, por kualifikojnë dhe mësuesit e rinj të Matematikës.

Mësuesit e dalluar të Matematikës janë xhevahiret, janë gurët e çmuar në mozaikun e Arsimit Shqiptar. Nga duart e tyre kanë dalë e do të dalin ekonomistët e aftë, inxhinierët e zotë dhe informaticienët, kaq shumë të kërkuar në gjithë botën.

Drejtimi i arsimit duhet të vihet mbi baza shkencore e ligjore, me konkurse rigoroze e jo fallco.

 *Mësues matematike

Gjimnazi “Aulona”, Vlorë