Jorgo Kaçani: “Hiqet konkursi për Arkitekturën, ja kriteret e tjera për pranimet”

2835
Sigal

INTERVISTA/Flet Rektori i Universitetit Politeknik Prof. Dr. Jorgo Kaçani, për krijimin e Fakultetit të Arkitekturës

Me hapjen e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, do të ketë edhe ndryshime për sa i përket pranimit të studentëve vitin e ardhshëm akademik. Në lidhje me ndryshimet dhe procedurat e reja për studentet në degën e Arkitekturës dhe Urbanistikës ka folur në një intervistë për “Telegraf” Prof. Dr. Jorgaq Kaçani, Rektor i Universitetit Politeknik të Tiranës. Zoti Kaçani, është shprehur se: “Është krijuar Fakultetit i Arkitekturës dhe Urbanistikës, i cili ndoqi të gjitha procedurat institucionale dhe ligjore për tu krijuar me një vendim të këshillit të Fakultetit të inxhinierisë së Ndërtimit, ku ishte në përbërje dhe departamenti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, me vendim të Senatit Akademik të Universitetit Politeknik të Tiranës”. Përfundimisht Ministri i Arsimit dhe Shkencës me anë të një urdhri bëri të mundur që pranë Universitetit Politeknik të krijohet fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës me përbërësit e vetë që ka Departamentin e Arkitekturës, Departamentin e Urbanistikës dhe atë të Restaurimit dhe Teknologjive të Arkitekturës. Elementi më i rëndësishëm për pranimin e studentëve në fakultet është eliminimi i fazës së konkursit.

 -Zoti Kaçani, para pak ditësh është krijuar Fakulteti i Arkitekturës, kush ishte arsyeja që çoi dhe në krijimin e këtij fakulteti?

-Fakulteti i Arkitekturës, është krijuar me një vendim të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Profesor Myqerem Tafajt. Hapja e këtij fakulteti është bërë konform një rregulloreje që duhet për hapjen e një fakulteti. Tashmë është krijuar Fakultetit i Arkitekturës dhe Urbanistikës, i cili ndoqi të gjitha procedurat institucionale dhe ligjore për tu krijuar me një vendim të këshillit të Fakultetit të inxhinierisë së Ndërtimit, ku ishte në përbërje dhe departamenti i Arkitekturës dhe Urbanistikës, me vendim të Senatit Akademik të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe që më pas iu përcoll Ministrisë së Arsimit. Ndërkohë pas kësaj faze, MASH e ka përcjell këtë propozim e ka dërguar pranë Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë, pasi është kompetencë e kësaj njësie për të miratuar përfundimisht krijimin e njësive të reja, për universitet në rang fakultetesh. Dhe përfundimisht Ministri i Arsimit dhe Shkencës me anë të një urdhri bëri të mundur që pranë Universitetit Politeknik të krijohet fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës me përbërësit e vetë që ka Departamentin e Arkitekturës, Departamentin e Urbanistikës dhe atë të Restaurimit dhe Teknologjive të Arkitekturës. Ky është një hap tepër cilësor pasi vetë arkitekti dhe urbanisti që do dal në tregun e punës, diploma e tyre do të mbajë logon e fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, pra diploma e tyre nuk do të jetë më me logon e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit. Tashmë këta studentë do të kenë emblemën e vetë, pasi do të kenë një diplomë të dizenjuar me logon dhe firmën e dekanit dhe fakultetit të ri. Kjo gjë e rrit nivelin e përfaqësimit institucional të arkitekteve dhe urbanistëve apo dhe restauruesve, të cilët do të diplomohen në Universitetin Politeknik të Tiranës. Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës ka qenë një nga objektivat dhe kërkesat e kohës që lidhet më zhvillimin që po merr vendi ynë. Ky hap lidhet dhe me faktin pasi vihen re kërkesat që ka tregu për arkitekt dhe urbanist dhe pozicioni që duhet të zërë në këtë rast Universiteti Politeknik në përfaqësimin institucional dhe me njësitë e veta përbërëse sa i takon këtyre dy kërkesave, edhe të Arkitekturës dhe Urbanistikës.

 -Çfarë kriteresh do të ketë për studentët që do të pranohen në këtë fakultet vitin e ardhshëm akademik?

-Përsa i përket përzgjedhjes së kandidatëve në mendojmë që të kemi praktika dhe kritere të reja për pranimet. Pasi dihet që prej vitesh për të ndjekur studimet për degën e Arkitekturës kandidatët studentë i janë nënshtruar procesit të konkursit. Ne po shohim si mundësi që ky proces të kalojë në stade të tjera. Këtu i referohemi kërkesave të tjera siç është Matura Shtetërore, rezultateve të provimeve apo dhe elementeve të tjera specifike, duke e bërë të hapur fakultetin për vitin e parë. Pra në këtë rast do u jepet mundësi çdokujt që ka dëshirë të bëhet arkitekt, mund të shkojë fare mirë të regjistrohet dhe të ndjek studimet për vitin e parë, dhe më pas kalimi nga viti i parë në të dytin të jetë me një seleksionim me kuota fikse. Me pak fjalë, ato kuota që parashikohen për vitin 2013-2014 janë bie fjala 200 vende për Arkitekturën, atëherë në bazë të cilësisë do të bëhet e mundur përzgjedhja e kandidatëve që do kalojnë për frekuentim të fakultetit në vitin e dytë. Kështu që secili mban një kosto përsipër për një vit studime që do shpenzojë, por ama e vë në këtë rast veten në provë në mënyrë që ai të ketë hyrje të lirë në fakultet. Në këtë rast kemi të bëjmë me një liberalizim sa i takon hyrjes në fakultet, më pas do bëhet seleksionimi mbi bazën e aftësive, siç e kanë shumë universitete të Evropës e më gjerë. Mendojë se kontingjenti që do jetë pjesë e këtij fakulteti do jetë shumë i mirë. Kjo eksperiencë do të vlejë shumë, pasi mendimi i arkitektëve dhe urbanistëve çmohet në të gjithë botën, madje dhe në vendin tonë. Këtu duhet të përmend dhe rastin e studimit që i është bërë Planit Urbanistik të Tiranës.

 -Çfarë të reje do të ketë tjetër me hapjen e këtij Fakulteti?

-Në Fakultetin e Arkitekturës, ne mendojmë që përveç arkitektëve dhe urbanistëve të ketë dhe restaurues. Pra ka ardhur koha që tashmë në Shqipëri të dalin dhe restaurues veprash, pasi janë të domosdoshëm. Këto restaurues që do të dalin nga ky fakultet do të jenë mjaft të përgatitur, po ashtu do të restaurojnë veprat e artit që ka vendi jonë. Në këtë kuadër në vendosëm që të ngremë dhe një qendër pranë këtij fakulteti që do të merret me projekte konkrete.

 – Ç’mund të na thoni në lidhje me procedurën e përzgjedhjes së stafit të ri akademik, a ndihet nevoja për pedagogë të rinj shtesë?

-Sa i takon përzgjedhjes së  stafit akademik, ka një procedurë e cila është e miratuar konform ligjit të Arsimit të Lartë. Kjo është një procedurë mbi bazën e kritereve të cilat i përcakton çdo departament, më pas kriteret kalojnë në Dekanat, më pas në Rektorat, e më pas bëhet shpallja në Agjencinë e Prokurimeve Publike. Pas kësaj fazë, kandidatët paraqesin dosjet e tyre pranë Degës së Burimeve Njerëzore të UPT-së. Më pas, duke u mbështetur në ligjin e Arsimit të Lartë, titullari i një njësie ngreh Komisionin Ad-Hoc, në të cilin marrin pjesë tre përfaqësues nga departamenti ku kandidati do të shkojë, një përfaqësues nga dekanati dhe një përfaqësues nga Rektorati. Ky komision më pas shqyrton dosjen. Ndërkohë që përsa i përket ambienteve ne kemi bërë një shtesë në

 – Ç’mund të na thoni në lidhje me përmirësimin e kurrikulave mësimore për Universitetin Politeknik. A do të ketë degë të reja studimi që do të hapen për vitin e ri akademik?

Është një objekt dhe një detyrim ligjor që e ndjen Universiteti Politeknik sa i takon rishikimit të kurrikulave mësimore. Duhet thënë se ndër synimet tona nuk janë vetëm ndryshimi i kurrikulave ekzistuese por dhe në hapjen e atyre të rejave. Për këtë vit akademik në të cilin jemi, ne kemi hapur shumë kurrikula të reja në degët: inxhinieri Ekonomike, në të cilën për vitin e ri akademik do të hapim ciklin e dytë të studimeve për këtë degë, “Master Shkencor” dhe “Master Profesional”. Po kështu do të hapet “Master Profesional” në degën e inxhinierisë, Teknologjisë dhe informacionit, “Master Shkencor” dhe “Master Profesional” në degën e inxhinierisë e Gjeomjedisit, të gjitha këto kurrikula të reja. Ndërkohë, nga ana tjetër do të bëhet dhe rishikimi i të gjithë kurrikulave që ka Universiteti Politeknik në mënyrë që të gjithë studentët ta zgjedhin këtë universitet si aktor dhe faktor në treg dhe në ekonominë e tregut.

 – Tashmë kanë nisur aplikimet për ciklin e tretë të studimeve, Doktoratura. Cilat janë kriteret e përzgjedhjes për universitetin tuaj?

-Universiteti Politeknik ka pasur kriteret strikte të vendosura, siç janë rezultatet e gjithsecilit kandidatë sa i takon ciklit të parë të studimeve dhe ciklit të dytë. Kështu, kriteri i parë është mesatarja, e cila duhet të jetë mbi notën 8. Kuptohet që është bërë kërkesa mbi bazën e kuotave dhe i janë shpërndarë fakulteteve, të cilët hapin fazën e regjistrimit. Më pas këshillat e profesorëve të fakulteteve, mbi bazën e kuotave bën shqyrtimin e dosjeve të secilit kandidat. Gjatë procesit të Doktoraturës ne kemi në vëmendjen tonë që të rrisim nga ana tjetër dhe bazën laboratorike, jo vetëm për fakultetet por dhe nëpërmjet institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, e cila do ju vi në ndihmë kërkesave në mënyrë që ata të vazhdojnë realizimin  e këtij cikli studimi me sukses

Hiqet konkursi për Arkitekturën

Po mundohemi që ta kalojmë fazën e konkursit në pranimet për Fakultetin e Arkitekturës. Por do të futen disa kërkesa të tjera dhe vlerësimet që ato kanë nga shkolla e mesme. Pra ne po punojmë që studentët që do të vijnë vitin e ardhshëm të mos i nënshtrohen më fazës së konkursit për Arkitekturën dhe Urbanistikën. Po ashtu ne do të publikojmë në kohë edhe të gjitha kriteret që do të duhen për tu ardhur në ndihmë maturantëve. Publikimi i disa kritereve do të jetë para se të mbarojnë shkollën maturantët besoj. Ne jemi duke punuar me dekanin e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës Prof. Andrea Maliqarin, dhe me të gjithë stafin akademik, që të pranojmë jo vetëm maturantët që kanë prirje për këto degë, port ë pranojmë edhe maturantët që kanë rezultate të mira në shkollën e mesme.