Gjergj Zaharia/ Roli dhe përgjegjësia e shkollës për parandalimin e kriminalitetit

1252
Sigal

Gjatë këtyre ditëve, vëmendja e mbarë opinionit shoqëror
është drejtuar tek ngjarjet makabre të disa grupeve kriminale me një rrezikshmëri të frikshme dhe debati politik përqendrohet kryesisht rreth efektivitetit  të forcave të rendit ndaj tyre. Sigurisht, kjo është vetëm njëra anë e problemit,por nuk mund të jetë e gjitha. Ndaj këtij fenomeni nuk mund të përfshihet vetëm policia, a thua se kemi të bëjmë me një dyluftim midis saj dhe kriminelëve dhe pjesa tjetër është spektatore e rubrikave të panumërta televizive, që shpesh e pasqyrojnë këtë kriminalitet edhe “artistikisht”, duke shfrytëzuar filmimet nga kamerat e  instaluara në vendngjarjet, sulmet e  krimineleve ndaj viktimave  të radhës dhe si pasojë duke e shtuar  edhe më shumë frikën dhe pasigurinë në vend.
Mendoj se, ky problem tepër serioz duhet trajtuar më gjerë e më shtruar. Në këtë proces duhet përfshirë mbarë shoqëria dhe të gjithë institucionet e shtetit, duke filluar së pari nga shkolla, nga efektiviteti i funksionit edukativ të saj.
Të gjithë këta kriminelë, kryesisht të një moshe të re, para pak viteve kanë qenë nxënës, pra me një fjalë në shkollë  nuk kanë marrë as elementët më minimalë të edukimit qytetar dhe në personalitetin e tyre kanë fituar antivlerat kundrejt vlerave njerëzore.
Askush nuk mund të besojë se këta u bënë kriminelë pasi mbaruan shkollën dhe kur ishin nxënës nuk kanë shfaqur shenja të një sjellje deviante.
Problemi i njerëzve me sjellje deviante është bërë një nga çështjet më shqetësuese për shoqërinë,veçanërisht sot në ndërtimin i një shteti demokratik mbi bazë ekonominë e tregut.
Tranzicioni i tejzgjatur  (pothuajse një çerek shekulli), gjendja e pastabilizuar ekonomike e vendit, shembja e botëkuptimit të mëparshëm dhe moszëvendësimi i tij  me botëkuptimin e ri, mungesa e njohurive të duhura dhe aftësive për të jetuar në kushtet e konkurrencës së tregut dhe prodhimit, etj.,-të gjitha këto e kanë çuar shoqërinë tonë drejt vështirësive serioze dhe në konflikte të  brendshme. Veçanërisht e vështirë është gjendja e brezit të ri. Midis të rinjve po forcohet ndjenja e nihilizmit, që demonstrohet kryesisht ndaj brezit më të vjetër, e që në jo pak raste shprehet me format më të ashpra të agresivitetit. Është rritur dukshëm kriminaliteti midis radhëve të të rinjve, krahasuar me shifrat e kriminalitetit në përgjithësi, nga dita në ditë po shfaqen lloje të reja të krimit, si bashkëpunimi me mafien, prostitucioni, vrasjet me pagesë, vjedhjet, dhuna, krimi ekonomik etj.. Të gjitha këto fenomene dëshmojnë se më shumë se kurrë rinia e sotme ka nevojë për ndihmën e  mësuesit dhe pedagogut, për një edukim efektiv e jo formal.
Shkolla bashkëkohore synon që qëllimet e reja të edukimit të kenë një qasje humaniste drejt zhvillimit të lirë të personalitetit të nxënësit. Por kjo kërkon një sasi dhe cilësi më të madhe të metodave psikologjike e pedagogjike të studimit të personalitetit të nxënësit,të ndihmës ndaj tij për zhvillimin e cilësive psikologjike të domosdoshme  për një jetë të pavarur.
Procesi i parandalimit të sjelljeve deviante tek të rinjtë do të ishte më i suksesshëm nëse së pari  mësuesit do të zotëronin njohuri më të thella në fushën e pedagogjisë dhe  psikologjisë në përgjithësi dhe asaj moshore ne veçanti, nëse marrëdhëniet mësues-prind do të ndërtoheshin mbi bazën e një bashkëpunimi më të ngushtë, nëse do të funksiononin në nivele më të larta komunitetet pranë shkollave.
Një nga kriteret për të dalluar sjelljet deviante të nxënësve është zbulimi nga ana e mësuesit që në ndërgjegjen e kësaj kategorie  nxënësish  ekziston konflikti ndaj vlerave,normave dhe orientimit  moral të shoqërisë. Ky konflikt mund të shfaqet hapur në sjelljen e këtyre  nxënësve në shkollë, apo edhe mund të jetë relativisht i fshehur qoftë në shkollë, qoftë në familje apo rrugë dhe  nuk mund të dallohet veçanërisht nga një sy indiferent. Vetëm në rastet kur papritur  shpërthen, atëherë “fillon puna”,apo më saktë evidentimi statistikor i këtyre nxënësve  dhe me pak gjasa për të gjetur “medikamentin” e duhur për t’i shëruar.
Me sjellje deviante nënkuptojmë një zinxhir sjelljesh të pahijshme, thyerje të rregullit dhe disiplinës, etj., që natyrisht dallohen nga sjelljet kriminale. Delikuenca zakonisht fillon nga lëniet e orëve të mësimit, mungesat e pajustifikueshme në shkolle, shmangia nga grupi  shoqëror i moshatarëve etj. Pas kësaj fillojnë shenjat e para të huliganizmit, tallja me më të vegjlit e  më të dobëtit,marrja e lekëve më të vegjëlve,mashtrimet,sjelljet spekulative, vjedhja e sendeve shtëpiake nga familjet e tyre e më pas në shkollë, zënia me shokët, duke përdorur edhe mjete të forta, që në ndonjë rast kanë kaluar  fatkeqësisht deri në përdorimin  e armëve,etj.. Megjithatë, delikuenca nuk nënkupton tërësisht sjelljen deviante,e cila ka kuptim më të gjerë dhe përfshin aspekte që fillojnë qysh nga alkoolizmi i hershëm, pirja e duhanit dhe e drogës e deri tek devijimi drejt akteve  seksuale. Të gjitha format e sjelljeve deviante janë të lidhura ngushtë me njëra- tjetrën, kështu që përfshirja e një të riu tek një veprim deviant krijon predispozitat e duhura për t’u përfshirë edhe në format e tjera të sjelljes deviante. Duke u nisur nga sa më lart del detyrë imperative një kualifikim shumë më cilësor i mësuesve veçanërisht në aspektin e edukimit, pra në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë. Ky aspekt kualifikimi ndeshet rëndom në të gjithë frazeologjinë e organeve kompetente, por realisht mbetet vetëm në këtë kuadër. Për ta faktuar këtë mjafton të përmendim udhëzimin e Ministrisë se Arsimit dhe Sportit për emërimin e mësuesve, ku komisionet e ngritura  do të përzgjedhin mësuesit vetëm mbi bazën e  aftësive të  mësimdhënies pa gjetur mekanizmin e duhur për vlerësimin e nivelit të njohurive dhe aftësive  të tyre si edukatorë,pra ndonëse në shkollë zhvillohet një proces mësimor-edukativ kjo e dyta konsiderohet si shtojcë e së parës !…dhe jo e barasvlershme me të, madje në situatat që po kalon vendi kjo mund të vlerësohej si primare.
Më e keqja është se në fakultetet e mësuesisë lënda  e pedagogjisë dhe psikologjise kalon në plan të dytë, për të mos thënë të fundit, kështu që edhe kjo është një nga shkaqet e nivelit të dobët të përgatitjes profesionale të mësuesve. Nëse kriteret e reja të emërimit të mësuesve këtij problemi do t’i jepnin vendin e merituar, sigurisht që, edhe vlerësimi i studentëve ndaj tyre, pra ndaj formimit pedagogjik e psikologjik, do t’i përgjigjej kërkesave të tregut.
Një nga problemet më shqetësuese të shkollës  e që lidhet drejtpërsëdrejti me forcimin e disiplinës  është dhe ridimensionimi i figurës së mësuesit, i cili sot është i kërcënuar pothuajse nga të gjitha anët,si nga nxënësit me sjellje deviante, që në jo pak raste kalojnë në huliganizëm, si nga prindërit e tyre, dhe për më keq kur nuk gjejnë mbështetjen e duhur nga drejtuesit, duke u krijuar një “frikë” e përgjithshme për të mos  ekspozuar problemet jashtë shkollës. Kjo situatë nga ana tjetër “trimëron” huliganët e rinj,të cilët e ndjejnë veten të sigurt e të mbrojtur. Nëse kjo praktikë do të vazhdojë, atëherë, na mbetet të presim shpërthimin e këtij huliganizmi jashtë shkollës, madje në formën më agresive të tij, që quhet kriminalitet dhe që fatkeqësisht  po e ndeshim çdo ditë.
Vendosja e autoritetit të plotë të mësuesit nënkupton vendosjen e autoritetit të plotë të shkollës dhe kjo e fundit tregon autoritetin e plotë te shtetit. Autoriteti i shtetit fillon pikërisht nga autoriteti i shkollës, i atij mësuesi apo  polici të thjeshtë. Pra,nëse baza e shtetit lëkundet, nënkuptohet që gjithë piramida  shtetërore humb autoritetin e saj dhe krijon terrenin e duhur për lulëzimin e krimit. Nga ana tjetër autoriteti nuk dhurohet, por fitohet si me aftësi profesionale, ashtu edhe me përkushtim, pikërisht kjo e fundit ka qenë pjesë e traditës së shkollës sonë,e cila duhet të trashëgohet nga brezi në brez. Për mësuesen dikur janë thurur poezi e këngë si “nënë e dytë” dhe këto ajo i meritonte, pra mbetet detyrë e shkollës të rifitojë pozicionin që meriton në shoqëri, e kjo bëhet jo me lutje, por me punë, ndërgjegje e përkushtim maksimal. Dashuria dhe respekti i nxënësve dhe prindërve  nuk fitohen vetëm me ligje e akte nënligjore,ato janë ndjenja dhe fitohen vetë me shpirt dhe nëse mësuesi do ta shohë profesionin e tij vetëm si teknicien, ai kurrë nuk do të plotësojë misionin e shkollës.
Padyshim që në shkolla,ashtu si edhe në të gjithë shoqërinë, dominon aspekti pozitiv dhe duhet vlerësuar puna dhe arritjet e deritanishme, duke patur pikësynime dhe objektiva për rritjen e mëtejshme të rezultateve mbi standarde më të larta,por kurrsesi nuk duhen minimizuar defektet,e aq më tepër të karakterit edukativ,të cilat edhe pse në numër të vogël kenë pasoja të përmasave të paparashikuara për shoqërinë.

*Ish- drejtor i gjimnazit “Qemal Stafa”