Dr. Ndriçim Mehmeti/ Prapa fasadës së ligjshmërisë, paligjshmëria bën kërdinë

488
Sigal

Mbyllja e shkollave private të arsimit parauniversitar

Pas “suksesit” më të madh të arsimit të lartë, arsimi i mesëm nuk kishte si të mbetej mbrapa. Kësaj radhe ishte zëvendësministrja që deklaroi se u mbyllën shkollat private, kryesisht me kohë të pjesshme (siç njihen nga të gjithë shkollat e mbrëmjes). Në radhën e shkollave të mbyllura, me një hartë nga Shkodra në Lushnjë, janë shumë shkolla të cilat janë të ciklit 12-vjeçar me kohë të plotë dhe që kohët e fundit kanë marrë edhe licencën për shkollë me kohë të pjesshme. Ministria e Arsimit deklaroi se kishte të dhëna që në këto shkolla ishin regjistruar më shumë se numri real i nxënësve, se nuk vinin në shkollë, se rezultonin studentë që nuk kishin Dëftesën e Lirimit etj.. Përsëri dëgjuam një raport të përgjithshëm, me shumë fjalë, pa asnjë shifër, me shumë të dyshuar, por në fund nuk dëgjuam asnjë emër të vetëm të abuzuesve. Pra, shkollat ishin ngritur nga njerëz të panjohur, funksionuan pa i njohur askush, kishin drejtues fantazmë dhe në fund këto fantazma u zhdukën dhe MAS, për fatin e saj të mirë, gjeti vetëm ca regjistra, mbi bazën e të cilave mori vendimin për heqjen licencës. Thua, kaq i vështirë ishte i gjithë ky proces? Edhe në këtë rast, sikurse në rastin e shkollave të larta private, litari i kryeinspektorit “që sa vjen e shtrëngohet”, nuk arriti të mbërthejë, së paku prej këmbësh, ndonjë keqbërës të arsimit?

Mirëpo, fushatat nuk duan rezultate konkrete, por sa më të përgjithshme. Duke ndjekur variantin “të merremi me gjethet për të humbur pemët”, sa më shumë shkolla në sa më shumë qytete, aq më shumë i bëhet qejfi popullit për qeverinë që po punon e nuk vë gjumë në sy. Kjo është shumë e besueshme. Nëse keni qenë të vëmendshëm, drejtuesit e MAS në çdo dalje, shfaqen të lodhur, përgjumësh, të shestuar, gjysmë të paruajtur. Duket se puna përtej limiteve njerëzore ka bërë punën e saj. Vetëm se një gjë nuk kuptohet ende. Për shkollat që u hiqet licenca, do të mbyllet i gjithë aktiviteti i tyre, apo vetëm procesi i mësimdhënies me kohë të shkurtuar? Një nga drejtueset e shkollave private të mbyllura, doli në konferencë shtypi, ku deklaroi se vendimi i MAS nuk mbështetej në asnjë provë konkrete, pasi kjo shkollë nuk e kishte shfrytëzuar licencën e marrë për shkak të mungesës së ofertës. Madje drejtuesja e kësaj shkolle, shkoi edhe më tej duke thënë se “nxënësit kërkonin të blinin diplomat dhe ne nuk ramë dakord”. Kjo drejtuese shtoi se këtë deklarim ia ka bërë me dije institucioneve të MAS, në formë shkresore, pra, zyrtarisht? Kush ka të drejtë, MAS apo drejtuesja e shkollës? Këtë do ta marrim vesh në vijim.

Si fillim, duhej një sukses në arsimin e mesëm për të “mbajtur lart frymën e vendosjes së ligjit”. Më pas, shohim e bëjmë. Fundja, edhe po dolëm huq me ndonjë institucion, nuk na prish punë. Sikur u bë ndonjë gjë e madhe! Pse kot thotë populli, “që me të thatin digjet edhe i njomi”?

Nga java tjetër e në vazhdim, Inspektorati i Shtetëror i Arsimit, do të ndërmarrë valën e dytë të kontrollit në shkollat private (pasi ato të shteti i ka venë në vijë të gjitha), ku është e sigurt se do të gjejë shkelje “të mëdha”, që “zbulohen për herë të parë”, e që do të ndërmerren “masa të papara ndonjëherë” etj.. Do të shohim me sytë tanë sesi shteti do t’i tregojë dhëmbët “grabitësve privatë, që po i pinë gjakun këtij popullit”. E meqë jemi tek ligjshmëria, a mund të na thonë drejtuesit e MAS, Kryeinspektori i IShA-s, se cila ishte arsyeja e largimit të drejtueses së Drejtorisë Arsimore në Tiranë, e kurorëzuar si e tillë nga vetë Kryeministri z. Rama? A ka hetuar Kryeinspektori në lidhje me dokumente shkollore të punonjëses së tij znj. Isufaj? A ka shfletuar dokumentacionin e emërimit të drejtuesve të shkollave që nuk kanë pasur asnjë lidhje me arsimin në vitet e fundit dhe janë në atë detyrë në kundërshtim me ligjin. Më konkretisht, po i kujtoj dy raste: Drejtuesen e shkollës “Ismail Qemali”, ish- punonjëse e ISKSH-së dhe drejtuesen e shkollës “Ali Demi”, aktore e një emisioni argëtimi. Të dyja këto shkolla ndodhen në Tiranë. A përputhet dokumentacioni i drejtuesve të arsimit në njësitë vendore me kërkesat e ligjit? Përse në një vit shkollor nuk është bërë asnjë konkurs për mësues, siç e parashikon ligji? Në rastin e mbylljes së shkollave të larta private, a u mor në shqyrtim dokumentacioni i akreditimit të tyre? Kush i akreditoi dhe cila është përgjegjësia e tyre? Kush e drejtoi procesin e licencimit dhe akreditimit të shkollave të larta private? A ka ndonjë përgjegjësi drejtuesja e Agjencisë së Akreditimit në vitet 2005-2010, e cila, aktualisht, mban postin e drejtueses së kësaj Agjencie ?

A e di kryeinspektori se drejtues të lartë të institucioneve arsimore private të mbyllura, janë pjesë e kupolës më të lartë të Ministrisë së Arsimit sot? A është në dijeni kryeinspektori se Udhëzimi i fillimit të vitit të ri shkollor, përfshin në strukturën e vitit shkollor arsimin profesional, i cili, nuk është më në fushën e përgjegjësisë së MAS, por të MMSR-së? Apo është thjesht një lapsus, që s’duhet t’ia vejë veshin kush? Meqë edhe Kryeministri ka dhënë fjalën se luftën për vendosjen e ligjit do ta fillonte nga vetja dhe ata që qeverisin sot, ky është një rast i mirë, për ta bërë në fushën e arsimit. Kështu që, kryeinspektori ka rastin që premtimin e dhënë në analizën e 300 ditëve, për “litarët e ligjit, që do të shtrëngohen gjithnjë e më shumë, për abuzuesit”, t’i ankorojë njëherë këta litarë në MAS dhe institucionet e vartësisë. Pastaj të vijojë edhe me ata që nuk kanë kurrfarë mbrojtje nga shteti, veç shpresës se Zoti do ta bëjë më mirë. Por kjo është e vështirë të ndodhë dhe nuk ka për të ndodhur. Të gjitha shkeljet dhe paligjshmëria në emër të vendosjes së ligjit do të mbulohen dhe harrohen nga aksioni i radhës.

Ndërkaq, MAS ka rastin të na rendisë disa nga arritjet e premtuara me bujë nga ajo, siç janë: Mësimdhënia më cilësore me fëmijët e ngujuar; Iniciativa e përbashkët me Ministrinë e Shëndetësisë, për të dhënë mësim tek fëmijët që kurohen për një kohë të gjatë në institucionet shëndetësore; Hartimi i kurrikulës së shahut; Projekti për pajisjen e nxënësve me tableta; projekti për pajisjen e shkollave me smart bord, e kështu me radhë. Mbi bazën e premtimeve dhe realizimeve të tyre, do të ishte më e mundur të gjykohej drejt. Nëse jepen shifra të përgjithshme, dy këtu e pesë atje sa për të shastisur popullin, atëherë, u qoftë rruga e mbarë dhe dritë e paçin, nëse opinioni do të vazhdojë të gënjehet. Nëse duan vërtetë të punojnë, atëherë të përveshin mëngët sa s’është vonë.

Po edhe po s’punove është e rëndësishme të sajosh ndonjë gjë që të tërheqë vëmendjen e publikut e të lejë qeverinë rehat. Ja, fati e solli, që debati i ditëve të nxehta për Fullanin, të finalizohet me arrestin e tij në ditët e freskëta të shtatorit. Me çështjen Fullani, e shtyjmë nga një muaj, pastaj pale se ç’na del apo sajojmë ndonjë gjë tjetër. E kështu që njerëzia dhe politika, nuk ia kanë ngenë arsimit, pa zgjidhur probleme më të mëdha