Blerina BRAHO / Filozofët e rinj gati për t’i dhënë frymë të re Shqipërisë

637
Sigal

Studentët e filozofisë së Shkencave Sociale në UT referojnë në Ditën Botërore të Filozofisë: “Filozofia në dialogun e kulturave”

Dje, në mjediset e Fakultetit të Shkencave Sociale, u mbajt takimi, për Ditën Botërore të Filozofisë, i hapur, me studentë, pedagogë dhe dijedashës. Në vrazhdën e kritikave, konferencave, lartësimit, poshtërimit të figurave historike (të mëdhenj ose jo) dhe përgatitjeve fizike për 100 vjetorin e Pavarësisë, që po mbushin ditën e gjithsecilit prej nesh, kjo nismë ishte si një oazë në shkretëtirë. E ideuar dhe moderuar me shumë kujdes nga Prof. Majlinda Keta, pedagoge e mendimit filozofik në Fakultetin e Shkencave Sociale në UT, e veçanta e këtij takimi është, hapësira që i lihet të gjithë studentëve për të kumtuar mendimin dhe reflektimet e tyre, rreth temave të ndryshme, sigurisht që prekin aktualitetin tonë. Temat hyrëse u përqendruan shumë rreth mendimit filozofik të antikitetit, aty ku idealizmi lartësohet më shumë. Kjo, është dhe ajo pjesa soditëse e filozofisë, e cila qëndron e papërfshirë në realitetin shoqëror dhe përpiqet vetëm ta kapë mendërisht atë, duke hapur një hendek të madh më asaj që “duhet” dhe “është”. Ajo që u vu re shumë tek filozofët e rinj është mendimi kritik, që ata kanë ndaj politikbërjes në vendin tonë ( e ngjashme kjo me Konicën, i cili edhe pse e donte shume vendin e tij, nuk ngurroi të nxirrte në pah anët negative të saj). “E ushqyer me politikat e dogmat e vjetra, Shqipëria ecën drejt regresit e jo drejt progresit. Por ama zgjidhja mbetet: të edukuarit e brezave të rinj me kulturën për të dalë nga ky regres e për të marrë iniciativën për të hir të kombit”, thotë Erjola Sallufi studente e filozofisë. Pra, edukimi shihet si zgjidhje për të dalë nga errësira, nga shpella platoniane, por arsimimi dhe edukimi janë gjithashtu në udhëkryq në këto 100 vjet shtet shqiptar dhe duket se e ardhmja e tij është e rrethuar nga pikëpyetje të shumta. Shumë prej studentëve iu referuan edhe mendimeve filozofike-politike të viteve ’30, kryesisht mendimeve të Branko Merxhanit dhe Faik Konicës, për të marrë sa më shumë elemente nga ajo periudhë dhe për t’i qenësuar ato në aktualitetin tonë ambig. “Vitet ’30 përqendroheshin tek fryma neoshqiptare, për të bërë ndërtimin brendësor në kulturë, arsim, gazetari dhe në gjithçka tjetër, që prekte jetën e njerëzve, dhe që prej viteve ’30 ne nuk kemi një filozofi morali politik”, thotë Ilda Koça një tjetër studente e filozofisë. Ky referim duket se bërtet qartë: Mendimi i intelektualëve të viteve ’30, edhe pse i vonë në kohë, vlen shumë edhe sot! Mjafton të shkëputësh një pasazh nga mendimi i Branko Merxhanit për të kuptuar se sa koherent është ai sot në shek. XXI: “Lipsen reforma, mirëpo reformë do të thotë studim sociologjik i jetës së një turme dhe zbatim jo vetëm i ligjeve, por edhe zbatim i nevojave kombëtare”.  Filozofët e rinj duket se kritikonin fortë shqiptarin pasiv, indiferentin, i cili nuk ngre zërin për padrejtësitë që i ndodhin në vendin ku jeton, i cili duket se është kapluar nga një pafuqi politike, dhe cinizëm shpërfillës përpara objektit që e shtyp dhe ky i fundit nga ana e tij s’po pyet të ndryshojë dhe as do të ndryshojë nëse nuk individi nuk zgjohet nga letargjia sociale në të cilën është zhytur. Flitet edhe për qytetarin evropian drejt, të cilit pretendon të afirmohet shqiptari dhe Shqipëria. Po si mundet të arrihet perspektiva evropiane dhe ajo e Bashkimit Europian, mbi të gjitha? Vetëm duke njohur vetveten, përgjigjen filozofët e së ardhmes, dhe mandej komunitetin në të cilin pritet të aderohesh dhe identifikohesh. Nëse mendimet origjinale të këtyre të rinjve janë aq të forta sa të përballen më mediokritetin që na rrethon dhe do të qëndrojnë në kohë, atëherë mund të themi se, një dritë shpresëdhënëse duket në tunelin e errët në të cilën është futur Shqiptaria!