Policia e Shtetit dhunon studentët brenda universiteteve me lejen e administratorit militant të PS-së

Jakup B. GJOÇA

1

Studentët ngrenë barrikada brenda në auditorë, për t’u mbrojtur nga dhuna e policisë

Studentët nuk ndalen më në protestat e tyre, ndaj vazhdojnë 24 orë protestën e tyre, duke ndryshuar mënyrën. Tashmë nuk protestojnë më para kryeministrisë, por brenda fakulteteve të universiteteve. Madje, në shumë fakultete studentët kanë nxjerrë në korridore karrige dhe tavolina. Qeveria, duke qëndruar arrogante përballë kërkesave të studentëve, po përdor policinë e Shtetit dhe policinë private që ka marrë koncesionin e sigurisë të universiteteve, për të penguar me çdo mënyrë protestën, edhe pse në kundërshtim të plotë me ligjin. Kështu, në mesnatën e pardjeshme, policia ka ndërhyrë në auditorët e Fakulteteve të Tiranës, duke u ndeshur me studentët në përpjekje për të hapur dyert dhe për t’i dhënë fund ngujimit të tyre në ambientet e fakulteteve. Studentët kanë ngritur barrikada me mjete si karrige dhe tavolina, për të mbajtur të mbyllura dyert e fakulteteve. Policia është ndeshur fizikisht me studentët dhe disa prej këtyre të fundit janë plagosur lehtë, ndërkohë që shprehen se kauzës së tyre do i shkojnë deri në fund, duke vijuar bojkotin.

2

Dhunimi i studentëve, ja si shkeli ligjin policia private

Ngujimi i studentëve në Fakultetin e Ekonomikut dhe Juridikut ka sjellë përplasje dhe konfrontim fizik me rojet e policisë private. Janë publikuar video ku studentët janë dhunuar nga policët privatë në tejkalim të kompetencave dhe të ligjit, brenda ambienteve të Universitetit. Ndërhyrja e policisë private në ambientet brenda Universitetit është bërë në kundërshtim me ligjin e arsimit të lartë neni 5, 80/2015, i cili parashikon se: “Ndërhyrja e organeve të rendit publik në mjediset akademike bëhet me kërkesën ose lejen e titullarit të institucionit të arsimit të lartë. Vetëm në rastet e kryerjes së një vepre penale flagrante, në rastet e fatkeqësive natyrore dhe gjendjes së jashtëzakonshme, organet e rendit publik kanë të drejtë të ndërhyjmë edhe pa lejen e titullarit të institucionit të arsimit të lartë”. Efektivët e policisë private, janë punonjës të kompanisë Toni-Security Shpk. Kjo shoqëri në bashkëpunim me Eurogjici Security Shpk, me administrator ish-prefektin socialist të qarkut të Kukësit Safet Gjici, njëherësh ish-kandidat për deputet nga PS, janë përgjegjës për sigurinë fizike të objekteve të institucioneve të arsimit të lartë. Në ligj theksohet qartë se “cenimi i paprekshmërisë së institucioneve të arsimit të lartë ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi”.

3

Policia e rendit dhunon studentët te Ekonomiku

Policët kanë ndërhyrë me dhunë në Fakultetin Ekonomik, duke u përpjekur të nxjerrin jashtë studentët e ngujuar aty. Ata kanë ushtruar dhunë ndaj studentëve, të cilët u kërkojnë policëve të tregojnë ligjin që u jep të drejtën të ndërhyjnë në auditorët e universitetit dhe të ushtrojnë dhunë. Studentët kanë denoncuar dhunën dhe presionin ndaj tyre prej ditësh. Ata u kërkojnë forcave të policisë që të qëndrojnë jashtë universiteteve dhe të mos i pengojnë në protestën e tyre paqësore. Studentët e Fakultetit Ekonomik kanë denoncuar dhunën e policisë së shtetit ndaj tyre. Ditën e djeshme, efektivët e policisë kanë ndërhyrë duke mos lejuar studentët që të futen brenda për t’u ngujuar dhe për të bllokuar hyrjen në këtë fakultet.

Administratori i Universitetit kërkon ndihmën e Policisë së Shtetit, është militant i PS-ë

Administratori i Universitetit të Tiranës Skëndi Dafa i ka dërguar një letër Policisë së Shtetit dhe i kërkon që të ndërhyjë e të pengojë protestën e studentëve. Mirëpo ky administrator është militant i PS-së, ka bërë fushatë elektorale të PS-së dhe ka shërbyer si ish-zv. Drejtor i Përgjithshëm i Postës Shqiptare, së fundmi ish-Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve të Elbasanit i emëruar nga Partia. Pra, Skëndi Dafa është emëruar administrator në UT nga PS-ja për t’i shërbyer PS-së dhe jo studentëve.

Studentët e senatit të UT kërkesë kryeministrit: Largoni nga Universiteti forcat policore

Studentët e senatit të Universitetit të Tiranës i kanë dërguar dy kërkesa kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm Sandër Lleshi dhe disa prej dekanëve të fakulteteve të Tiranës. Studentët kanë denoncuar uzurpimin e ambienteve të Universitetit nga forcat e policisë. Ata kërkojnë të jepet urdhër për largimin e forcave të policisë nga ambientet e fakulteteve. Të vendoset para përgjegjësisë çdo polic që ka ushtruar dhunë ndaj studentëve.

4

Reagimet

Avokati i Popullit: E papranueshme dhuna e policisë ndaj studentëve!

Avokati i popullit ka reaguar pas dhunës së ushtruar nga policia mbi disa studentë në disa fakultete të Universitetit të Tiranës. “Avokati i Popullit shpreh shqetësimin për qasjen represive ndaj formave të ndryshme të protestës së një numri studentësh shqiptarë të cilët kërkojnë plotësimin e disa pikave me synim përmirësimin e gjendjes së arsimit universitar në vend. Institucioni i Avokatit të Popullit për të disatën herë kërkon që autoritetet tona të garantojnë me të gjitha mënyrat që qytetarët ta shprehin pakënaqësinë e tyre në mënyrë paqësore, të pa shqetësuar e të pa vënë nën presione të çdo lloji. Gjithashtu, janë në kufijtë e të papranueshmes justifikimet se përdorimi i forcës për shpërndarjen e studentëve që kanë zgjedhur ta zhvillojnë protestën e tyre në ambientet universitare, bëhet për të garantuar zhvillimin normal të mësimit në ato ambiente.

 

 

Ish-rektori i UT, Shezai Rrokaj: E paprecedentë dhuna e policisë ndaj studentëve

Zoti Kryeministër. Ju sot e kapërcyet fillin e kuq. Cytët kambalet drejt strehëzës së lirisë për ta dhunuar. Dhunuat institucionin, ligjin, moralin social, dhunuat studentin. E detyruat pseudo-titullarin tuaj të UT-së, administratorin, i cili, kinse për të mbrojtur objektet fizike, e thirri policinë që të dhunonte studentët.