Bajram Lamaj: Kadastra dhe pritshmëritë publike

1296
Sigal

BAJRAM LAMAJ

 

Kadastra dhe pritshmëritë publike

 

Në Shqipëri ka filluar zbatimi i ligjit të ri për Kadastrën, i cili ka hapur rrugën për konsolidimin dhe përfundimin e procesit tepër problematik të regjistrimit, njohjes së pronësisë në Republikën e Shqipërisë dhe administrimit teknik e ligjor në regjistrat pronësor të shtetit shqiptar. Ky ligj përveç disa iniciativave të marra nga ligjvënësit për ndërhyrje në disa problematika të mbartura nga mangësitë e administratës së ish ZVRPP-ve, do të kryejë dhe një rivlerësim të statusit pronësor të pronave të regjistruara, pa cenuar të drejtën e pronës. Këto veprime dhe mosveprime të paligjshme të administratës së ish-ZVRPP-ve, kanë shkaktuar shumë kaos në regjistrimin dhe dokumentimin e pronave dhe kanë sjellë dhe një impakt negative në publik, duke ulur besimin në institucionet shtetërore dhe kanë cenuar direkt në shumë raste dhe të drejtat e pronësisë së qytetarëve.

Të gjithë shtrojnë pyetjen: A do të hedhë ky ligj bazat juridike për një kadastër moderne të qëndrueshme dhe që ti përgjigjet nevojave të publikut dhe palëve të interesuara në kohë dhe me cilësi e saktësi tekniko ligjore?

Sigurisht me punën e filluar, vullnetin e administratës së riorganizuar nga drejtimi i ASHK, ka siguruar pritshmëri të kënaqshme, pasi sot konstatohet se njerëzit kanë eliminuar sorollatjet në zyra të ndryshme për një problem, pasi kemi unifikimin e veprimeve të administratës së legalizimeve me veprimet hipotekore, dhe marrja e zgjidhjeve me një zyrë dhe mbylljen e një cikli veprimesh me një sportel, është arritje dhe duhet vlerësuar pozitivisht. Puna e filluar duhet të vazhdojë duke rritur përgjegjshmërinë publike të administratës së Drejtorive Vendore të ASHK-ve dhe shtuar fleksibilitetin në veprimet administrative e rritur profesionalizmin e administratës, jo vetëm në problemet e legalizimeve por dhe në veprimtaritë e ish ZVRPP-ve , pasi këtu kërkohet përgjegjësi e lartë juridike dhe profesionale.

Cilat janë anët pozitive të zbatimit të ligjit “Për Kadastrën në Republikën e Shqipërisë” dhe çfarë përfiton publiku, kjo në syrin e një audituesit të jashtëm të KLSH, pasi ne i kemi evidentuar tashmë në auditimet e 9 mujorit 2019, të cilat do i evidentojmë më poshtë:

Zbatimi i amnistisë së pjesshme 30-ditore për ata që kanë shkelur afatet e regjistrimit të pronës në Hipotekë, nuk do të kenë detyrimin për të paguar kamatëvonesën, pra nuk do të penalizohen siç ishte ligji i mëparshëm, ku pas kalimit të afatit një mujor, fillonte penalizimi deri në 300 mijë lekë gjobë.

Përveç disa anëve pozitive të këtij ligji, siç theksuam për shmangien e burokracive, shkrirja e disa institucioneve që merren me pronësinë në një të vetëm etj, thelb/çelësi i zgjidhjes është se a do të zgjidhë përfundimisht Agjencia Shtetërore e Kadastrës problemet e pronësisë në fushat juridike, teknike dhe çfarë është më e rëndësishmja kaosin hartografik të pronave që nga mbivendosjet, mos pozicionimet në përputhje me të dhënat e shkruara në dokumentet e administruara në arkivat e hipotekave. Ky kaos ka ardhur nga papërgjegjshmëria e personave konkrete, që kanë pasur për detyrë të zbatojnë ligjin, nga interesat private dhe korruptive të personave e palëve të interesuara, si anëtarët e komisioneve të ndarjes së tokave sipas ligjit “ Për token” që nga viti 1991, papërgjegjshmëria dhe korrupsioni ndër vite me pronën të drejtuesve vendorë(ish komuna e Bashki) të cilët u kthyen në pronarë dhe plotësuan dëshirat e tyre dhe njerëzve rreth tyre, këto të ndihmuar dhe nga drejtësia që me pronarët nuk qe asnjëherë e drejtë. Lëshimi i Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) kanë qenë në nivelet më të ulëta profesionale e ligjore, pasi në shumë raste nuk plotësojnë minimumin e formës dhe përmbajtjes që duhet të ketë një dokument zyrtar që mbart tregues pronësor, kufizimet janë të gabuara, shkrimi i pakuptueshëm, mungojnë nënshkrimet përkatëse, metra tokë në zonat dhe llojet e tokës që nuk kanë qenë objekt i trajtimit të ligjit(jo tokë bujqësore) siç janë rastet në zonat kënetore Lezhë, Velipojë Lalëz etj., dhe zona shkëmbore e shkurre(të quajtura toka pa fryt) si në zonën e Dajtit, Kodrina në Shëngjin e Vilju të Velipojës, kodrinat në Sarandë e Ksamil, etj. Dhe përfituar tokë tepër mbi normën e caktuar për komunë apo bashki etj., siç kemi rastin në Voskopojë. Këto janë një problem shumë i ndjeshëm për publikun, pas nga ne si KLSH për të parandaluar mashtrimet që mund të kryhen mbi pronat e regjistruara pa dokumente, kemi vendosur kufizime deri në plotësimin e mungesave dhe parregullsive tekniko ligjore. Nga ASHK duhet të vlerësohen këto kufizime dhe të ngrihen grup pune për çdo Drejtori Vendore me specialistë dhe të bashkëpunohet me palët e interesuara për paraqitjen e dokumentacionit ose rivlerësimin e tyre në institucionet vendore sipas ligjit dhe për ato prona që nuk plotësohen kërkesat ligjore të kalohen në pronësi “shtet”.

ASHK duhet të vlerësojë dhe marrë masa për të sistemuar anarkinë hartografike të mbartur për 30 vite, ku në këtë anarki kemi falsifikime të qëllimshme, paaftësinë, injorancën e të quajturve specialistë hartografë, të korrupsionit, të gjyqeve të shitura, të mashtrimit dhe abuzimit me pronën duke i vendosur e zhvendosur me harta sipas interesave korruptive e paaftësisë etj.

Bazuar në një studim të bërë për situatën hartografike të ZVRPP-ve, nga ekspertet e Bankës Botërore është arritur në përfundimin e hidhur se 80% e pronave të regjistruara në Shqipëri, janë hedhur me gabime dhe probleme hartografike”, konstatim ky i evidentuar në çdo auditim të Kontrollit të Lartë të Shtetit e bërë prezent në raportet e auditimit, ku janë dhënë rekomandime dhe janë kryer sistemime, pasi ne i kemi kufizuar ato prona me të tilla shkelje deri në zgjidhjen tekniko-ligjore. Në referim të studimit ka rezultuar se shteti shqiptar, ka shpenzuar rreth 200 milion USD në procesin e regjistrimit të pronave që nga viti 1994, kohë kur ka filluar procesi i regjistrimit të pronës në Shqipëri. Por kjo ka sjellë pasoja sociale, marrje jetë njerëzish nga konfliktet e krijuara me mijëra procese gjyqësore me vendime përfundimtare e që presim vendim në shkallët e gjykimit, më e rëndësishme është mos thithja e investimeve të huaja për investime strategji e bllokim të mijëra aktiviteteve ekonomike.

Po kështu, kemi dhe mosrakordimin e hartografisë zbatuar në procesin e legalizimeve ku 80 000 legalizime duhet të rihartografohen, pasi krijojnë mbivendosje ose nuk rakordojnë me treguesit e hartave të përdorura nga ish ZVRPP –të, problem kjo që kërkon hartimin e një harte të saktë e kryer një azhornim sa më profesional e të përgjegjshëm, por kjo kërkon dhe një bashkëpunim me institucionet e tjera vendore që do i përdorin këto harta për nevojat e tyre, etj.

Sigurisht që të gjithë presim shumë nga zbatimi i ligjit për Kadastrën, por citoj Drejtorin e Përgjithshëm në një prononcim se:“Ligji i ri për Kadastrën, nuk do sjellë lumturinë për një ditë…”, por kjo shtron detyra të mëdha për të gjithë administratën e AKSH dhe kërkohen energji të reja e profesionalizëm të lartë, pasi siç thotë populli “Nëse duam të vendosim vetulla, mos nxjerrim sytë”, prandaj kërkohet kujdes i vazhdueshëm në punën e përditshme dhe forcimit të kontrollit të brendshëm, ku përveç aktivizimit të auditit të brendshëm të synohet që të krijohen sisteme të qëndrueshme, ku çdo proces që mbart vendimmarrje për të drejta pronësore si legalizime, regjistrime, transaksione të ndryshme, të kalojnë në një sistem kontrolli të brendshëm si horizontalisht por dhe vertikalisht nga lart poshtë dhe anasjelltas.

Kjo do e bënte më të kontrollueshme punën e administratës së ASHK-së dhe Drejtorive Vendore në rrethe dhe do pengonte veprimet korruptive të individëve të caktuar apo grup të vogël personash dhe paaftësinë e ndonjë specialisti, sepse vetë zbatimi i sistemit të kontrollit të brendshëm siç e theksuam më sipër, do i kufizonte dhe do të plotësonte detyrimin për gjurmën e auditimit, duke rritur njëkohësisht përgjegjësinë e punonjësve të administratës së ASHK-së.

Kontrolli i Lartë i Shtetit kryen auditime pas kryerjes së veprimtarisë së institucioneve , ku për rastin konkret në ASHK janë kryer auditime, por ne kemi vlerësuar efektet e ligjit “Për kadastrën” vetëm në performancë, pasi akoma nuk kemi audituar procese dhe veprime të kryera në zbatim të këtij ligji. Me fillimin e vitit pasardhës dhe ne si Departament i Auditimit të Aseteve në KLSH, do të rivlerësojmë aktivitetin e ASHK-së dhe Drejtorive Vendore dhe do të hartojmë programe auditimi specifike për aktivitetin e legalizimeve dhe regjistrimet e pronave , duke vlerësuar direkt dhe efektet pozitive e negative të ligjit “Për Kadastrën”

Bajram Lamaj, Drejtor i Departamentit të Auditimit të Aseteve dhe Mjedisit në KLSH