Zoti kryeministër, “këput fijet” dhe pastro “plehrat” në hipotekën e Tiranës dhe në 36 rrethet e vendit

72

Pas denoncimeve në gazetë, “tutorët” e hipotekës i ndryshojnë sportelin “Sudes” Blerina Haka të Hipotekës Tiranë

Në vijim të investigimeve tona, lidhur me batërdinë që po bëhet në Hipotekën e Tiranës, në Drejtorinë e Përgjithshme të Hipotekave dhe në krejt zyrat e hipotekave në Shqipëri, gazeta “Telegraf” disponon tashmë një super “dosje të zezë” të këtij shërbimi skandaloz, që po vazhdon të bëhet lirshëm e pa asnjë ndëshkim ligjor prej 22 vjetësh, me regjistrimin e pasurive të paluajtshme. Në të 36 rrethet e vendit dhe në 12 qarqet, zyrat hipotekore janë kthyer në tmerr për qytetarët. Mjafton të përmendësh fjalën  “hipotekë” dhe qytetarët shpërthejnë në akuza, ofendime, kërcënime. Kjo ndodh, mbasi deri në këtë derexhe e kanë katandisur zyrtarët dhe drejtuesit shërbimin hipotekor shqiptar, duke e tjetërsuar në një “përbindësh” që të “ha” pronën, që të kohë e shpenzime korruptive, që të krijon stres dhe konflikte edhe brenda familjes, duke të bllokuar pasuritë, duke të vonuar përgjigjet, duke të falsifikuar dosjet, duke të vendosur deri edhe 10 pasuri “ilegale” mbi pasurinë tënde. Është realitet, që në këto zyra shërbehet me klientelizëm, me ryshfete, me vonesa, me shpërfillje, me falsifikime e zhdukje dosjesh, me vjedhje të pasurive “derrçe”, tamam si në “xhungël’. Ekzemplar i këtij shërbimi skandaloz është një nëpunëse e thjeshtë në hipotekën Tiranë, me emrin Blerina Haka e cila në fakt, ka më tepër fuqi komanduese e vepruese, se shefat e hipotekës në Tiranë, në qendër e madje deri në ministri. Hipoteka në tërësi si shërbim dhe në veçanti hipoteka e Tiranës, që tashmë ka simbolin dhe modelin skandaloz “Blerina Haka”, janë kthyer në një “pusetë abuzimesh” dhe makth ekstrem pa fund, për qytetarët që trokasin në dyert e këtij shërbimi që… “mos e pastë as hasmi”. Dje, në vijim të investigimit tonë, pas skandaleve të publikuara për këtë zyrtare me emrin Blerina Haka, model “Sude” të hipotekës Tiranë, mësuam se ajo ishte transferuar nga sporteli nr. 2 ku bënte batërdinë me dosjet dhe aplikimet, në sportelin nr. 1 të Hipotekës Tiranë, por përsëri e caktuar me aplikimet dhe dosjet. Burime nga brenda hipotekës Tiranë, na konfirmuan dje në mbrëmje, se transferimi i saj është bërë me “urdhër urgjent” pas shkrimeve në gazetën “Telegraf” dhe me “mirëkuptimin” e saj nga drejtoria e Tiranës. Nuk e dimë, se kush e mbron këtë zyrtare që “bënë ligjin” në hipotekën e Tiranës, por dimë faktin, që si rasti “Blerina” i Tiranës, ka shumë “blerina e blerinë” të tjerë në çdo zyrë hipotekore në Shqipëri, me veprime prej “aligatori”, që përlajnë ryshfete e zhdukin pasuri të ligjshme të qytetarëve, deri edhe vila, apartamente e hektarë tokash, pyjesh, pemëtoresh e kullotash. Gjendja e rëndë dhe skandaloze deri në krim pasuror, dokumentar, financiar, social e ligjor që është krijuar, instaluar në hipotekën shqiptare dhe që vazhdon pa asnjë frenim, sidomos në shërbimin hipotekor në Tiranë, përbën sinjal “alarmi” për ndërhyrje ndryshimi total në këtë shërbim. Dhe ndryshimi duhet të nis nga pastrimi i “plehrave” individë dhe “banda” nëpunësish e drejtuesish të hipotekave nga qendra deri në çdo zyrë lokale të hipotekave, për të larguar horrat që po bëjnë krimin me paritë e shqiptarëve. Këta duhen larguar nga ky shërbim, mbasi horrllëqet nuk pastrohen pa larguar horrat e zyrave drejtues e  nëpunës që kanë marrë peng këtë shërbim dhe që po përdorin si “fabrikë” lekësh” e “tapi’ pasurore. Qeveria “Rilindja, kryeministri reformator Edi Rama që ka premtuar dhe deklaruar siguri prone për shqiptarët, këtë siguri duhej ta niste nga hipoteka e Tiranës dhe nga hipotekat e rretheve. Një fakt. Në shërbimin hipotekor shqiptar vazhdojnë të punojnë 117 persona të penalizuar për abzime me detyrën në shërbimin hipotekor. Punojnë në këto zyra madje edhe shefa, 85 persona të ardhur nga shërbime të tjera shtetërore si doganat, ujësjellësit, tatimet, ushtria, policia, ish-SHIK, qarqet, bashkitë dhe komunat, të dënuar për abuzime të rënda. Këta janë marrë dhe mbahen në shërbimin hipotekor pikërisht për të vazhduar aferat, si “specialistë të këtyre punëve”. Dhe mbrohen edhe kur u publikohen skandalet. Pas ankesave e denoncimeve për abuzime e vonesa, që kanë bërë qytetarët deri në drejtorinë e përgjithshme për drejtues e punonjës të ndryshëm të këtyre zyrave, në vend që ata të largoheshin nga puna e të çoheshin për ndjekje penale, janë mbajtur në punë e madje janë “graduar”si shefa, ose u janë ndërruar sektorët dhe sportelet e shërbimit. Pra, me urdhër të shefave të mëdhenj e të vegjël të hipotekës është bërë një “rokadë” mbrojtëse për nëpunësit që abuzojnë. Vetëm një fakt. Gjatë vitit 2013, në Drejtorinë e Përgjithshme të Hipotekave, janë dërguar 10 mijë e 430 denoncime deri edhe të përsëritura nga 10 herë prej qytetarëve, për zyrtarë e punonjës të zyrave hipotekore të 36 rretheve të vendit, nga të cilat 2689 janë vetëm për punonjës e drejtues të hipotekës Tiranë. Gjatë vitit 2014, në prokuroritë e të gjithë rretheve janë depozituar afro 2000 denoncime. Për periudhën janar- shtator 2014, në drejtorinë e hipotekave janë dërguar 7864 denoncime nga qytetarët për punonjësit dhe drejtuesit e zyrave hipotekore të rretheve, nga të cilat 4500 janë vetëm për shërbimin hipotekor të Tiranës. “Çuditërisht” drejtoritë e hipotekave të rretheve dhe drejtoria e përgjithshme nuk kanë dërguar asnjë punonjës për ndjekje penale. Edhe një fakt: afro 40% e punonjësve të hipotekës kanë 22 vjet që punojnë në këtë shërbim. Afro 35% kanë 15 vite që punojnë në këto zyra. Afro 10 % kanë deri në 5vite që punojnë në këto zyra.  Vetëm 5% e punonjësve janë larguar edhe këta me kleinetlizëm politik, fisnor e shoqëror. Afro 50% e zyrtarëve të hipotekave, vazhdojnë të jenë drejtues sektorësh prej 15 vitesh. Afro 80% punonjësve të hiptekave nuk kanë asnjë lidhje profesionale me këtë lloj shërbimi, madje në Tiranë e në disa rrethe ka edhe regjistrues që janë violinistë, mësues filloreje, infermierë, teknolog ushqimorë e deri teknik avionësh. Vetëm në hiptekën e Tiranës vazhdojnë të jenë në punë e madhe drejtues në disa sektorë, afro 37 ish-SHIK-as. Mjafton kaq, për të kuptuar se çfarë bëhet në hipotekën e Tiranës dhe në krejt këtë shërbim në shkallë vendi. Të mbrojtur me ‘statusin”e lidhjeve politike, familjare, fisnore, shoqërore dhe lidhjet e pazareve të bëra, ata janë “çimentuar” dhe kanë fuqinë për të bërë gjithçka në këtë shërbim, siç po bëjnë realisht, duke e kthyer shërbimin hipotekor në “piramidë”. Një fakt të çudit: Në vend që “sudet” e hipotekës, të cilat kanë krijuar kaosin dhe “piramidat” me regjistrimin e pasurive në Tiranë e në rrethe, të largohen urgjent nga ky shërbim, mbrohen duke ndryshuar “sportelet”….

Përparim HALILI