Zjarre në vend, kodrat e Dhërmiut në flakë

538
Sigal

Rreth 15 vatra zjarresh në vend po djegin pasivisht pyjet dhe kullotat. Flakët favorizohen nga temperaturat e larta që kanë pushtuar vendin këto ditë si dhe nga era e lehtë. Zonat ku kanë shpërthyer shumica e vatrave të zjarreve janë në zona të thepisura duke shkaktuar vështirësi për zjarrfikësit të ndërhyjnë.

Dhërmi

Një vatër e fuqishme zjarri në kodrat e Dhërmiut ka vënë në lëvizje banorët e zonës dhe zjarrfikëset. Për shkak të temperaturave të larta, flakët e zjarrit po përparojnë tepër duke djegur ullishtat dhe shkurret në zonë. Zjarrfikëset që ndodhen në vendngjarje e kanë të pamundur të ndërhyjnë në lartësi të kodrave për shkak të terrenit të thyer malor. Ndërkohë CEZ ka ndërprerë energjinë elektrike në Dhërmi dhe Palasë me qëllim sigurinë e pushuesve. Flakët e zjarrit shihen me sy të lirë dhe nga bregu i detit ku ndodhen me qindra turistë që po kalojnë pushimet sezonale në bregdetin dhërmiot.

Shkodër

Në rrethin e Shkodrës, fenomeni i rënies së zjarreve në këtë periudhë të nxehtë vere, ka qënë prezent në disa zona. Në rrethin e Shkodrës për momentin kemi dy vatra zjarri aktive, njëri në komunën Postribë dhe tjetri në komunën e Shalës. ‘Në fshatin Vilëz, po bëhen përpjekje nga shërbimet e Policisë Pyjore dhe banorët e zonës për izolimin e tij. Ndërsa vatra e zjarrit në komunën Shalës është shfaqur në fshatin Ndërlysa, mbi 2 mijë metër mbi nivelin e detit, në pjesen e sipërme të bimësisë pa probleme për shtëpitë e banimit”, tha kreu i Policisë Pyjore të qarkut verior. Në lidhje me zjarrin e rënë në pikën turistike të Thethit, policia pyjore thote se “zjarri është izoluar” dhe se ,” flakët e zjarrit kanë përshkur rreth 0.3 ha pyje, kryesisht në zonën e pyjeve të larta, ndërsa dëmi konsiderohet minimal.” Gjatë gushtit në rrethin e Shkodrës janë konstatuar 5 raste zjarri në një sipërfaqe prej 30 ha, kryesisht në komunën Vig-Mnelë. Shërbimet e Policisë Pyjore, Ushtria, zjarrfikëset dhe banorët e zonës kanë mundur ta izolojnë, duke minimizuar dëmin ekonomik, ndërkohë që qëllimi kryesor ka qënë shpëtimi i banesave dhe banorëve. Përgjithësisht zjarret janë konstatuar në një lartësi mbi 1500 metra dhe ato nuk përbëjnë rrezik serioz për dëmtimin e banesave. I pyetur për mundësinë e zjarrvënieve të qëllimshme një fenomen që po përsëritet për përfitime personale, ai sqaroi se nga verifikimi i strukturave pyjore nuk janë konstatuar individë të veçantë. Ndërkohë që nuk kanë munguar denoncimet pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor në Shkodër, për hetime të mëtejshme të këtij fenomeni, për të gjitha rastet pa autor, -thotë ai.