Zgjerohen hetimet policore. Klientë të “Xibrakës” dhjetëra persona VIP

520
Sigal

Një pjesë e kokainës së pastër kishte siguruar treg edhe në Shqipëri

Xibraka, fshati që ndodhet jo më shumë se 10 km larg Elbasanit, tashmë u bë i njohur edhe për faktin se atje, tek ish-magazinat e rezervave të shtetit, të blera, dhe të dhëna me qira për “aktivitet privat”, u zbulua se prodhohej edhe drogë e llojit kokainë. Asnjeri nuk do ta kishte besuar se, në magazinat, kur dikur shkarkoheshin dhe ngarkoheshin ushqime dhe veshmbathje për zonat e bllokuara nga dëbora dhe fatkeqësitë e tjera natyrore, do të vinte një ditë dhe të prodhohej drogë.

Droga e zbuluar nga shërbimet sekrete të huaja

Droga u zbulua dhe u kap nga shërbimet inteligjente të huaja dhe vetëm në fundin e dhjetorit 2014, u njoftua Policia e Shtetit Shqiptar, e cila angazhoi qysh prej datës 25.12.2014 efektivë të trupave speciale në periferinë e Elbasanit, duke qëndruar atje deri në fund të operacionit “Xibraka”. Prania e trupave speciale kishte rënë në sy të banorëve të Labinot-Fushës qysh nga fundi dhjetorit 2014 dhe as që mendohej se vetëm 4 km larg tyre në ish-magazinat e Xibrakës do të ishte laboratori që prodhonte kokainën.

Të pleksur edhe njerëz nga sfera të larta të shoqërisë

Burimet hetimore janë shprehur se “rrethi  trafikut të drogës së prodhuar në Xibrakë është i madh, pasi përfshihen njerëz nga sfera të ndryshme të shoqërisë, duke nisur nga ndihmuesit e kolumbianëve, lehtësuesit  e vizave, e deri gjetja e tregut të shitjes së një pakice të kokainës tek tregu vendas, kryesisht në Tiranë”. Ata që u arrestuan, ndoshta janë vetëm argatët e trafikut, kurse drejtuesit janë dhe do të mbeten në hije, ndoshta për të mos u zbuluar kurrë. Por gjatë hetimit kanë dale edhe deklarime të tjera që mund të jenë specifike për prokurorët e çështjes.

Kokaina e prodhuar në “Xibrakë” edhe për VIP-at në Shqipëri

Burime tepër të sigurta thanë për “Telegraf” se “një sasi kokaine e pastër e “Xibrakës” kishte siguruar treg shitje edhe për persona VIP-at në Shqipëri”. Fakti është se tregu i shitjes ishte siguruar në Gjermani, Belgjikë, e Spanjë apo diku tjetër, por duket se cilësia e mirë e kokainës që prodhohej, kishte bërë ziliqarë edhe përdoruesit e saj në Shqipëri. Ata janë kryesisht njerëz me pushtet dhe para dhe hetimet duket se do të shtrihen edhe në rrjetin e shpërndarjes së mallit të “Xibrakës”  në tregun shqiptar. Hetimet dhe deponimet e të arrestuarve pritet të nxjerrin emra të tjerë, që u përkasin rrjeteve të larta të shoqërisë shqiptare, duke nisur nga politika, biznesi, arti e kultura, apo administrate, etj. Deponimi i një prej të arrestuarve, i I. Hysenit para prokurorëve  shqiptarë e gjermanë  se  “po fola unë do të arrestoni edhe nja 120 të tjerë”, tregon se vallja e kokainës edhe në Shqipëri mbetet e madhe dhe se mbetet e vështirë ta hetosh dhe zbulosh. Prokurorët gjermanë, pas arrestimeve,  janë ndodhur në magazinat e Xibrakës, nga ku kanë hetuar, vëzhguar, fotografuar dhe marrë detaje shumë të hollësishme lidhur me aktivitetin e grupit të trafikut. Për hetuesit gjermanë pak rëndësi ka rrjeti klientëve VIP-a, që do të blinin kokainën e Xibrakës, pasi  për ata rëndësi  kishte zbulimi dhe arrestimi drejtuesve të rrjetit. Po një gjë mbetet e sigurt, se policia shqiptare ishte totalisht e paaftë dhe e painformuar për ç’ka ngjiste në magazinat e fshatit, ku çdo 5 sekonda  kalojnë dhjetëra automjete dhe vetëm 20 metra larg urës ku kalon treni, ndodhet çdo ditë një postbllok i uniformave blu ose gri të shtetit.

Tefik Osmani