“Të hapen negociatat”, Berisha mbyll fjalën në protestë me thirrje ndaj BE-së

142
Sigal

Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbyllur fjalën e tij në protestë e thirrur përpara Kryeministrisë. Berisha zgjodhi ta mbyllë fjalimin me një thirrje për BE-në, ku kërkoi që të hapë negociatat me Shqipërinë.

“Miqtë e mi, këtë javë shpresoj që BE të vendosë hapjen e negociatave dhe u bëj thirrje nga kjo tribunë të hapin negociatat me Shqipërinë, mos të shkojnë shqiptarët për Edi Ramën, i cili do çdo gjë, por negociatat me BE nuk i do, sepse ato do ta nxjerrin atë lakuriq siç është, demon i pushtetit, kryehajduti i Evropës”, tha ish-kryeministri.

“Të dashur qytetarë, politika e jashtme si rregull nuk është çështje e mitingjeve dhe protestave, pro kur kryetari i qeverisë së vendit tënd bëhet tellall i Beogradit, kur ai fut sherre te fqinjët me gjuhën dhe sherret e tij, kur ai shndërrohet në vasal të Vucic, kur ai rrethon Kosovën, nuk ka interesa shqiptare, por të parat ka interesat e Beogradit, atëherë nuk mund të rri pa i thënë: Edi Rama populli opozitar shqiptar patriot kudo që janë, do t’i thonë “Jo” “Ballkanit të Hapur”, “Jo” Ballkanit të Beogradit, “Jo” Ballkanit të Putinit, do t’i thonë “Po” procesit të Berlinit, rrugës sonë drejt Evropës.

Ju ftoj të brohorasim e duam Shqipërinë të bukurë e dheut, si Shqipëria vend nuk ka. Rroftë Shqipëria!”, u shpreh Berisha.

Protesta e thirrur nga Partia Demokratike nisi në orën 19:00 dhe përfundoi në orën 19:00 me fjalën e ish-kryeministrit. Protesta nuk pati incidente, ndërsa mbështetësit demokratë u mblodhën për të kërkuar largimin e Edi Ramës.