Zëri i Amerikës mbush 75 vjet

580
Afro shtatë javë pasi Shtetet e Bashkuara u përfshinë në Luftën e Dytë Botërore, një njoftim i shkurtër radiofonik u transmetua në Gjermani nga një studio në Nju Jork. Ishte data 1 shkurt 1942 që ka hyrë në histori si dita e lindjes së Zërit të Amerikës. Gjermanishtja ishte gjuha e parë, por në përfundim të lufës, emisionet transmetoheshin në 40 gjuhë të ndryshme. Sot Zëri i Amerikës është i pranishëm në çdo kontinent me mbi 40 gjuhë, duke përcjellë përmes çdo platforme ekzistuese lajme e informacion neutral, objektiv dhe të pavarur.Zëri i Amerikës e hapi transmetimin e parë me tingujt e këngës “Himni i Betejës për Republikën”, më pas u dëgjua zëri i prezantuesit William Harlan Hale: “Ne ju sjellim Zërat e Amerikës. Sot dhe në transmetime të përditshme në vijim, do t’ju flasim për Amerikën dhe luftën. Lajmi mund të jetë i mirë. Lajmi mund të jetë i keq. Ne do të tregojmë të vërtetën”.
Me këtë moto filloi 75 vjet më parë Zëri i Amerikës, që sot vazhdon të transmetojë nga redaksia qendrore në mbi 40 gjuhë në të gjithë botën:
“Zëri i Amerikës vazhdon të transmetojë në valët e radios; ne transmetojmë në televizion. Zëri i Amerikës transmeton përmes internetit, celularëve, dhe nëse do të shpiken forma të reja transmetimi, ne do të jemi të pranishëm. Misioni ynë është fare i thjeshtë: Atyre që nuk kanë qasje ne u ofrojmë informacion e lajme neutrale, të drejta, objektive dhe të pavarura,” shprehet në mesazhin e saj të urimit drejtorja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett.
Lajme që rrëfejnë historinë e Amerikës, me të gjithë ngjyrat dhe dimensionet e saj. Jo vetëm politikat, ligjet, zgjedhjet e dinamikat e Uashingtonit, por çdo element të shoqërisë amerikane. Që nga shpirti sipërmarrës i epiqendrës së teknologjisë dixhitale në Silicon Vallery, në universitetet e mrekullueshme, e deri tek shpikjet e përparimet në mjekësi. Por historia e Amerikës përfshin edhe historinë e diasporave, e njerëzve që kanë ardhur në Amerikë nga e gjithë bota.
“Unë e fillova karrierën në gazetari mbi 50 vjet më parë. Sot këtu tek Zëri i Amerikës kujtoj përse u bëra gazetare. Është një privilegj i veçantë të punosh me këta profesionistë të mrekullueshëm që rrëfejnë historinë e Amerikës dhe përcjellin në të gjithë botën lajme e informacion neutral. Është kënaqësi e madhe për mua të jem pjesë e Zërit të Amerikës në këtë 75 vjetor,” thotë drejtoresha Bennett.
Në këtë përvjetor, ashtu si në transmetimin e parë në vitin 1942, Zëri i Amerikës i përmbahet të njëjtit mision për të përcjellë informacion objektiv, neutral e të pavarur audiencës që tashmë ka arritur në mbi 236 milionë vetë në mbarë botën. (VOA)
Sigal