Ja përgjigja që nuk i dha përgjigje kallzimeve publike të Ministrave Koka e Manjani

409
DENION MEIDANI
Sot pamë kryetari i bashkisë së Durrësit, z. Dako, në krah të Ministrit të Brendshëm, z. Tahiri. Kur z.Dako u pyet mbi akuzat e Ministrit Koka (ndërkohë që Ministri Tahiri sugjeronte nën zë vijën e partisë) u përgjigj se zgjedhjet e ardhshme dhe puna e bërë do t’i japin përgjigjen më të mirë këtyre deklaratave apo kallëzimeve publike me karakter penal. Por aktorët e mësipërm të teatrit rilindas harruan se Ministri Koka akuzoi policinë si të inkriminuar dhe pjesë të narkotrafikut me bekim politik, madje se kjo polici do deformojë e grabisë zgjedhjet e ardhshme. Si mundet atëherë që zgjedhjet të jenë përgjigja e këtyre akuzave? Ndërkohë, për akuzat e këtij ministri kabineti, nuk ka asnjë përgjigje të ardhur qoftë nga Kryeministri, qoftë nga Kryetari i Parlamentit. As shumica si përfaqësim politik-parlamentar nuk është ndjerë ndaj këtyre kallëzimeve publike që janë me karakter qartësisht penal. Asnjë reagim nuk po vjen edhe nga organi akuzës për këto kallëzime apo dhe ato të deklaruara më parë prej Ministrit të Drejtësisë, z. Manjani, kur ai ishte në detyrë, pra dhe anëtar kabineti. Ato ishin akoma më të rënda dhe të detajuara duke dhënë dhe indicie e detaje. Si ka mundësi që kjo prokurori, e cila zakonisht vihet në lëvizje edhe për një deklaratë “gazetareske” apo video të regjistruar dhe të transmetuar në ndonjë emision, madje deri duke ndërhyrë në ambientet e TV-ve private, sot po stepet e hesht kokulur? A ka të bëjë vallë me pohimin e Ministrit Manjani, sipas të cilit kryeministri ndërhyn drejtpërsëdrejti apo nëpërmjet rrethit të ngushtë të tij, madje deri kërcënon personalisht gjykatës e prokurorë?
Natyrshëm lind dhe pyetja bazike: Si do të arrijë kjo shumicë në qeverisje (që popullin e sheh si statistikë numrash e ndasi votuesish, por që mesa duket po reduktohet tashmë vetëm në llogaritje për plus minus 71 ushtarë të bindur herë dhe të inkriminuar prezent në parlament), të ftojë dhe bind votuesit? Si do t’i realizojë kjo shumicë video-promocionet e saj gjatë fushatës për të thirrur votuesit në kutitë e votimit, kur individë me peshë në gjirin e saj kanë deklaruar më parë se policia do të dhunojë votën qytetare? Si do të kërkohet pjesëmarrje edhe nga opozita?…
Po ashtu, flasin me zë dhe pa zë segmente me të shkuar kriminale pranë qeverisjes, të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë të paguar nga lekët e taksapaguesve janë “orientuar” për te goditur këdo që bën detyrën apo oponencën e opozitën. Pikërisht, në momente të tilla kur janë shpalosur akuza publike nga brenda kabinetit qeveritar, kur kërkohet mbështetje tërësore e organit të akuzës, hidhet nga këto segmente të mësipërm lajmi se Prokurorit të Përgjithshëm dhe disa drejtuesve të tjerë të lartë të këtij organi hetimi, i është revokuar viza amerikane këto ditë të fundit. A është i vërtetë ky lajm duke pasur parasysh prejardhjen? Nëse jo, ky lloj lajmi është atëherë në vrazhdën e trysnisë ndaj pushteteve të pavarura nga ana e sektit të ashtuquajtur “rilindas”. Nëse po, atëherë cili është vallë mesazhi që Ambasada Amerikane po kërkon të japë pikërisht në këtë moment kaq delikat kur duhet vetëm inkurajim e mbështetje për organin e akuzës dhe titullarët e saj disa prej të cilëve janë gjithësesi drejt fundit të mandatit të tyre kushtetues?
Sigal