Zbardhet marrëveshja e Ministrisë së Kulturës me Bashkinë e Durrësit/ A do dryshojë projekti Veliera?

512
Punimet që po kryhen në Durrës pranë Torrës kanë nxjerrë në dritë mure mesjetare (më së paku) dhe një top luftarak të 1800-ës. Kaq është ajo sa dihet zyrtarisht e, nga ana tjetër, nuk kanë munguar nën zë pëshpërimat për gjetjet që janë mbuluar.
Rrënojat e dala në dritë, për Durrësin nuk janë të papritura (aq më tepër pranë Torrës) nëse kemi
parasysh se qyteti, prej kohësh është cilësuar nga arkeologët si “minierë thesaresh historike”.
Ndërsa shumëkush kujton ende sot ato që janë lënë nën betonet e pallateve të larta që karakterizojnë
qytetin, çdo cep i gërmuar, sidomos në zonat arkeologjike A e B, siç është zona në fjalë, më e pakta që nxjerr në dritë janë mure të Mesjetës. Çështja tanimë është: Këto mure do ndryshojnë projektin për t’u shpëtuar në sipërfaqe, do të bëhen pjesë e sheshit të ri, apo do mbulohen pas dokumentimit?
Kjo është pyetja që shtrohet, ndërsa sot në Ministrinë e Kulturës pritet të mblidhet Këshilli
Kombëtar i Arkeologjisë.
Marrëveshja parashikon që vlefshmëria e kësaj kontrate nis me nënshkrimin e saj dhe përfundon me përfundimin e proceseve arkeologjike dhe përpunimit të gjetjeve. Afati – sipas kontratës- shtyhet nëse gjatë zbatimit të projektit hasen gjetje të rëndësishme arkeologjike.
Po aty, sanksionohet se Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, Instituti i Arkeologjisë dhe DRKK Durrës ndjekin punimet dhe verifikojnë gjetjet a objektet me vlera arkeologjiko- etnologjike që dalin gjatë
punimeve dhe marrin masa për shpëtimin e vlerave. Disa prej pikave më të rëndësishme të marrëveshjes, çka mund të merren si pikënisje për vendimin e ardhshëm, janë: -Në rast të zbulimeve të rëndësishme,
punonjësit e ASHA urdhërojnë ndërprerje të punimeve që dëmtojnë vlerat arkeologjike. Klasifikohen vlera të rëndësishme objektet e luajtshme apo të paluajtshme në kontekstet arkeologjike, struktura murale,
varre monumentale, pjesë mozaiku, afreske, pjesë arkitekture që lidhen me struktura murale e
banesa, tempuj a godina. Në këtë rast punimet pësojnë ndryshime ose ndërpriten përfundimisht. Vendimi merret nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë.
Sigal