Z. Ilir Meta ka dërguar një letër ngushëllimi për familjarët e peshëngritësit të shquar shqiptar Ymer Pampuri

95
Me hidhërim të thellë mësova ndarjen nga jeta të legjendës së sportit shqiptar, Ymer Pampuri.
Peshëngritësi i famshëm shqiptar, i pari kampion olimpik, por edhe kampion i botës në ngritje peshash në vitin e largët 1972, në Olimpiadën e Mynihut, nuk është më midis nesh.
Ymer Pampuri iku në heshtje, njëlloj siç e jetoi në heshtje kohën tonë të zhurmshme, e cila dje dhe sot, nuk i dha, për fat të keq, mirënjohjen dhe nderimin që meritonte.
Edhe pse Ymer Pampuri e nderoi si askush tjetër Shqipërinë dhe sportin shqiptar.
Edhe pse janë të paktë ata që kanë merituar si Ymer Pampuri duartrokitjet e nderimit nga të gjithë ne.
Një njeri i mirë, i cili kishte nisur që fëmijë sportin e forcës në Cirkun e Tiranës dhe e vazhdoi në pedanën e peshëngritjes, sot, në moshën 73-vjeçare nuk është më.
Duke ikur na kujtoi të gjithëve pikërisht shkëlqimin e tij ende të pabesueshëm për medaljen e artë, që mori duke shënuar emrin e tij në histori.
Ikja e tij dëshpëroi të gjithë, kë e ka njohur dhe kë vetëm ka dëgjuar për të. Dëshpëroi dhe ata që e njohën dhe dëgjuan për të vetëm pas ikjes së tij. Duke u larguar Pampuri i madh na kujtoi të gjithëve rëndësinë e pafundme të kujtesës së gjithë shoqërisë, e cila shpesh nuk funksionon.
Me ikjen e heshtur tani në dimër, Ymer Pampuri na kujtoi praninë e tij të pazhurmshme në të gjitha stinët tona të këtyre viteve.
Kampionit të forcës ju desh shumë forcë për të jetuar më pas jetën e tij të zakonshme e të vështirë.
Ymer Pampuri la pas emrin e madh. Tani ai nuk ka nevojë për askënd; kujtesa jonë ka nevojë të krenohet me kampionin e madh në shpirt e forcë dhe të vogël në trup, të parin sportist të artë olimpik e botëror shqiptar.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!