Vranishti braktis politikën, mbështet kandidatin e pavarur për Himarën

751
Një udhëtim nga Qafa e Dërrasës e deri në Vranisht ku ndodhet edhe komuna e lumit të Vlorës me të njëjtën emër, i ngjan një udhëtimi si tek skenat e filmit “Koncert në vitin 1936”. Një krahinë e lënë pas dore me infrastrukturë rrugore që nga ndërtimi i kohës së Luftës së Parë Botërore. Gropa dhe pluhur. Fusha të pambjellura. Njerëz që jetojnë mes fukarallëkut dhe mos vëmendjes së shtetit. Mes kësaj panorame dëshpëruese dhe të dhimbshme, mbërrijmë në qendër të Vranishtit. Në mes busti i kapedanit legjendar Sali Vranishti mes gërmadhave që dikur ishin institucionet kryesore të këtij komuniteti. Në mes rrapi i tharë dhe çezma e shtërpuar, thjeshtë për të kujtuar se dikur ka rrjedhur jeta plotë gumëzhitje e pulsime, plot cicërima e fëshfërima, lotë zëra gazmor të fëmijëve e plotë tinguj jete. Tani ato janë vetëm relike të një kohe nostalgjike për atë pjesë të popullsisë që ka mbetur. Gjithçka fle në gjumin e përjetshëm nën hijen e këtyre gërmadhave dhe herë – herë shfaqen si fantazma ku mes tyre, rrugëve të fshatit, si për ironi, lëviz një automjet tip “Zis” i kohës së dikurshme që lëshon rënkimet e kohëve që mbart në supe. Dru të prerë dhe gurë lumi të tharë deri në gëlqerizim nga thatësira dhe qendër grumbullimi për mbeturina. 
Panorama e zymtë e fshtatit
Kjo panoramë e zymtë mbulon me penelat e saj fshatrat e kësaj komune historike, shtrat i LANÇ-it dhe patriotizmit që për të kujtohen vetëm kur vijnë fushatat elektorale dhe vetëm sa për t’u marrë votën dhe ju kujtojnë heroizmin e të parëve dhe patriotizmin e sotëm. Por a do t’i besojnë më vranishjotët dhe banorët e këtyre fshatrave që nga Tërbaçi e deri në Kuç, që tanimë janë bashkuar në njësinë vendore të bashkisë së Himarës? Me çfarë pamë, themi se vështirë t’i mashtrosh më. U ndodhëm mes tyre në takimin që organizoi kandidati i pavarur i bashkisë së Himarës, aktualisht kreu i komunës së Lukovës edhe këtu si fitues i mandatit si kandidaturë e pavarur, Vladimir Kumi. Fillimisht një druajtje dhe frikë nga presioni që pushtetarët aktualë, vendorë e qendrorë, po ushtrojnë në banorët e kësaj zone për të votuar kandidatin Jorgo Goro. Por, dalëngadalë frika u vra dhe vranishjotët, ata që kishin mbetur në zonë se gjysma qenë dërguar vullnetarë me pahir në mitingun e PS-së në Himarë, populluan sheshin dhe filluan këngët e vallet. Një pritje entuziaste dhe akoma më emocionuese kur një nga banorët tha se sot kapedani ynë, Sali Vranishti pret kapedanin niviciot Jano Kumi (pinjoll i të cilit është edhe Vladimir Kumi) dhe ia nisi këngës: Tek rrapi në Peshkëpi/Kapedan Jano Kumi… Takohen dy kapedanë dhe lidhin besën për vatanë, ndaj dhe ne i japim besën nipit të kapedan Kumiut, ashtu si do t’ia jepte kapedani ynë Sali Vranishti. 
Ta shpëtojmë Himarën dhe të urbanizojmë Labërinë
Boll na ka lodhur politika, boll me mashtrime sepse ja ku na kanë lënë. Gjendja flet vet. Ndaj duam një njeri të punës dhe jashtë politikës. Pas këtyre fjalëve dhe këngëve, e ka marrë fjalën edhe kandidati i pavarur, Vladimir Kumi i cili tha mes emocioneve që i krijoi ky takim suprizues, se ai ka një program të titulluar: “Ta shpëtojmë Himarën, të urbanizojmë Labërinë”, program i cili mbështetet në tri kolona:
1. Të ndalojmë prishjet, të fillojmë ndërtimin. 
2. Pronësia.Tokat e bregdetit nuk mund të jepen me një euro dhe Kakomeja mund të përsëritet.
3. Zhvillimi i arsimit, sportit, kulturës, turizmit. Zoti Kumi më tej detajoi programin e tij ku nënvizoi se çdo banorë i bashkisë së Himarës do të ketë të drejtën të ndërtojë shtëpinë e vet dhe në politikat ndërtimore, ndërtimet tradicionale do të stimulohen nëpërmjet procedurave të lehtësuara dhe tarifa të ulëta. Këto që them do t’i bëj, ashtu siç kam mbajtur premtimet e mia edhe dy mandate si kryekomunar i Lukovës. Ndaj me vete kam edhe disa miq të mitë që ta shikojnë vet gjendjen e zonës suaj dhe nesër që unë, nëse me votën tuaj do të marr mandatin e kryebashkiakut të Himarës, kur të akordoj investimet në këtë zonë, këta të më besojnë se kjo është edhe zona më në nevojë. Dhe këtu përmend se ndërtimet në biznes të investitorëve vendas apo të huaj, do të jenë ekskluziviteti i Këshillit Bashkiak dhe transparencës në publik. Dhe po premtoj se ndërtimi i infrastrukturës do të bëhet në përputhje me prioritetet e miratuara në vite dhe në funksion të krijimit të një rrjeti të mirë-organizuar të transportit publik dhe në territorin e bashkisë nuk do të lejohet asnjë prishje objekti (pasi prishja është krim dhe jo sukses)pa miratimin e drejtorisë së planifikimit, zhvillimit dhe kontrollit të territorit dhe pa disponuar mjetet financiare për të ndërtuar. 
Projekti për Bashkinë e Himarës
Bashkia e Himarës nuk do të lejohet të kthehet në gërmadhë. Më tej kandidati i pavarur, Kumi, duke perifrazuar një shprehje të Thomas Jefferson se “qeverisja më e fuqishme është ajo ku çdo njeri ndihet pjesë e sajë”, ka premtuar se bashkia e re do të krijojë drejtorinë e kadastrës e cila do të azhornojë çdo pronë private dhe publike nëpërmjet një trupe inxhinierësh, specialistë dhe do të fiksojë në regjistrin e vet dixhital komplet historinë e pronës. Brenda kësaj ZRPP do të sillet pranë bashkisë, do të çbunkerizojë dhe do të rakordojë ligjërisht me drejtorinë e kadastrës në bashki e cila do të udhëheq procesin e azhonimit. Kështu prona private dhe publike në territorin e bashkisë do të vendoset në mbrojtje ligjore nga drejtoria juridike e cila do të krijohet me specialistë të mirëfilltë të avokatisë civile dhe penale në mbrojtje të banorëve dhe komunitetit. Të jeni të bindur se prona publike në territorin e bashkisë do të jetë në funksionin e mirëqenies së banorëve të zonës dhe të ç’do fshati përkatës. Nuk do të ketë asnjë tjetërsim prone për çfarë do lloj interesi. Nuk ka për të ndodhur kurrsesi kjo pa miratimin e këshillit bashkiak dhe interesit komunitar. Tokat e bregdetit dhe Labërisë nuk mund të jepen me një euro për të mbushur xhepat e deputetëve. Kjo është arsyeja që unë vij t’u kërkoj votën dhe t’u premtoj ato që mbaj fjalën mundësisht. Unë vij pa deputet, se nuk bëj dot pazare me ta në kurrizin tuaj. Revolta e Kokomesë mund të përsëritet nëse unë mandatohem dhe ndesh në grykësinë e politikanëve dhe deputetëve. Shikoj këtu gërmadhat e shkollës dhe qendrës shëndetësore. Është për të vënë kujen. Ndaj premtoj se çdo fshat do të ketë arsim parashkollor të financuar nga bashkia, pavarësisht numrit të nxënësve, siç ndodh deri më sot. Do të kryhet kujdesi social për çdo fëmijë dhe familje në nevojë. Kështu shkollat e bashkisë do të kthehen në qendra të mirëfillta të jetës kulturore dhe sportive sepse do të ndërtohet pallati i sportit dhe artit të integruar dhe ekipet zinxhir të sporteve do të vendosen nën kujdesin e bashkisë. Jeta kulturore do të pësojë revolucionin e paparë ndonjëherë. 
Kërkesat e banorëve të Vranishtit
Më tej Vladimir Kumi ka dëgjuar diskutimet dhe kërkesat e banorëve të Vranishtit të cilët janë ndalur në kërkesat e investimeve infrastrukturore sidomos atë rrugore. Vet kandidati ka ripërsëritur se do të respektojë prioritetet dhe do të investohet në rrugët rurale, pasi ai vjen nga puna dhe atë që thotë e mban, kjo e vërtetuar në komunën e Lukovës me investimet e kryera në urbanistikë, menaxhimin e pasurive publike, ujësjellësa, shkolla e qendra fshatrash. Do të investohet menjëherë kanali vaditës ku shoh se për tre-katër milionë lekë investime, fushat vanë vite pa u ujitur dhe kjo ndikon edhe në mirëqenien ekonomiko-sociale. Do të ketë një zhvillim bujqësia dhe blegtoria e këtyre fshatrave, pasi tradicionalja e produkteve dhe nënprodukteve bio të kësaj zone do të mund të rrit edhe prezencën e tyre tek konsumatori i huaj dhe vendas por edhe si një mbështetëse e fuqishme e turizmit. Bashkëbisedimi ka zgjatur deri në orët e vona të mesnatës dhe është krijuar marrëdhënia e besimit, si çelësi i kontaktit qeveri vendore-komunitet dhe njëherësh edhe çelësi i suksesit për ti dhënë fund vuajtjes dhe prapambetjes shumëvjeçare të zonës së lumit të Vlorës. Dhe kjo arrihet kur investimet shkojnë aty ku duhen dhe premtimet mbahen sepse deri sot koha ka provuar se njerëz që premtojnë ka shumë, por që mbajnë premtimet janë të pakët dhe Vladimir Kumi futet tek të paktët.
Sigal