Vjedhja 26 milionë euro e TVSH së skrapit, shpërblim shtetëror për “Kurum” që të blinte 4 HEC-et

636
Nga investigimi i nisur prej gazetës “Telegraf”, i cili po bëhet në bashkëpunim edhe me specialistë të hetimit të krimit financiar, me ekspertë të agjencive të specializuara të gjurmimit të krimit e me specialistë të drejtësisë, kanë dalë fakte të reja skandaloze me fytyrë e personazhe shtetërore “VIP”, lidhur me vjedhjen gjigande që iu bë buxhetit të shtetit deri në shtator 2014 kur krimi u zbulua, duke vjedhur hapur e lirshëm nëpërmjet skemës kriminale të rimbursimit të vlerës 20% TVSH për mallin “skrap” të pa blerë e të pa shitur realisht, por të deklaruar me bilance fiktive e fatura tatimore fallco, të cilat që tatimet me urdhër nga lartë i miratonin qëllimisht “me sy mbyllur” e po kështu Thesari i Shtetit, i cili i shlyente nëpërmjet bankave pa asnjë koordinim verifikues paraprak! 
Dosja është mbyllur me porosi nga shteti, si shpërblim për “Kurum”
Dosja “TVSH e skrapit 26 milionë euro” është mbyllur qëllimisht nga “duart” e disa shtetarëve të lartë, duke përdorur drejtësinë si “autoritet ligj-zbatues”. Pasi përdorën 9 subjekte private dhe 15 individë të cilët angazhuan në këtë krim 62 persona, shtetarët e interesuar për këtë skenar vjedhje gjigande kishin planifikuar që vlera e vjedhur të kalonte si shpërblim për firmën turke “Kurum”, me qëllim që ajo t’ia paguante prapë shtetit si vlerë të blerjes së 4 HEC-ve, çmimi i shitjes së të cilëve u bë sa “1 copë bukë”! Dihet që firma “Kurum” u fut në Shqipëri me klinetelizëm, u mbështet me tendera, me falje gjobash, me privatizime, me koncesione pasurish kombëtare shqiptare, me licenca, me import-eksporte të pataksuar e të pakontrolluar skrapi me Serbinë, Kosovën, Maqedoninë e Rusinë dhe u lejua të ushtroj aktivitet prodhimi hekuri me sigurime shoqërore të pa paguara për 930 punonjës “skllevër” ilegalë, me pagesa harxhimi energjie elektrike sa një shkallë pallati, me pagesë harxhimi uji sa një rubinetë shtëpie, me bilance prodhimi e shitjesh fiktive dhe me fatura TVSH-je fallco! E lidhur “mish e thua” me një bandë korruptive shtetërore e politike të cilën e “ushqente” me miliona lekë, firma “Kurum” ideoi skemën e TVSH fallco dhe shteti e lejoji ta realizonte nëpërmjet një bande tjetër me 9 firma private grumbulluese e tregtuese skrapi! Ky skenar i zbuluar dhe i ndalur nga anti-krimi ekonomik-financiar në datën 28 shtator 2014, rezultoi me 26 milionë euro vjedhje të rimbursimit fallco të TVSH së skrapit, që regjistrohej si i blerë e i shitur mes 9 subjekteve dhe firmës “Kurum” ! Sipas të dhënave, shuma që i vidhej shtetit ishte lejuar nga shteti, që të paguhej në shtet për blerjen e 4 HEC-ve “Bistricë1”, “Bistricë 2”, “Ulëz” e Shkopet”! Ndërsa banda me 9 subjektet private që realizuan aksionin dhe “esnafët” letrave të blerje-shitjes, plotësimit dhe dhënies së faturave tatimore fallco, ishin të instruktuar për përgjigjet në rast “zbulimi” të kësaj mega-vjedhjeje, prej të cilës janë shpërblyer me miliona lekë dhe kanë ndërtuar vila e kanë shkolluar fëmijët në universitete “sheikësh” e u kanë blerë “saraje”, duke u garantuar gjithashtu se nuk do të kishin pasoja nga drejtësia, ose se do të “pickoheshin” sa për të “groposur” krimin, siç ndodhi! Disa madje, konkretisht ata që bënin “hesapet” e volumit e që “zografisnin qitapet” tatimore fallco, nuk u prekën fare! Në asnjë fjalë të hetimit e të vendimeve të drejtësisë, nuk flitet se ku përfunduan 26 milionët e vjedhur dhe se tek cila kompani bëhej shit-blerja fiktive e skrapit që në fakt ishte “Kurum”, por që nuk u fut në dosje, ashtu siç nuk u fut asnjë emër zyrtari i ministrisë së Ritvan Bodes, asnjë zyrtar i bankës së shtetit, asnjë nëpunës tatimesh e thesari! gazeta do të vazhdoj të publikoj deri në fund faktet e zbardhura nga ky skandal, duke i kërkuar drejtësisë të nis hapjen e kësaj dosjeje krimi…
“Kurum”, blerës ilegal i 2 anijeve të huaja për skrap
“Kurum” e ka pasur “histori” abuzimin me shifrat fallco të blerjes dhe importit të skrapit, duke përfituar rimbursimin e TVSH në miliona euro! Sot po publikojmë skandali e datës 28 shtator 2013, kur policia shqiptare, bllokoi në Portin e Durrësit 2 anije të huaja që kishin hyrë ilegalisht në Port dhe pa asnjë dokument të autoritetit portal, por që ishin porositur prej firmës “Kurum”, e cila do t’i copëtonte për skrap, duke deklaruar si të blera me letra fallco. Njëra ishte anija “Tabakosky”, transportuar me rimorkiatorit “Aleks 1” nga Mali i Zi drejt Piacales së skrapit të “Kurum” në Durrës, ndërsa anijes tjetër, policia e shtetit dhe prokuroria nuk ia bënë të ditur emrin gjoja “Për sekret hetimor”.
Bilanci fallco/Me 1.2 milionë ton skrap, “Kurum” ka prodhuar 1.5 milionë ton hekur!
Abuzimi me sasinë e grumbullimit të skrapit dhe rimbursimin fallco të TVSH së skrapit është një veprimtari kriminale e “Kurum. ja një tjetër falsifikim: “Kurum” raporton me letra në bilancet tatimore, se ka mbledhur skrap në një qendër depozite grumbullim-copëzim skrapi në Durrës, të cilën shteti shqiptar ia shiti “Kurum”-it duke falimentuar e nxjerr jashtë loje ish-Kantierin Detar të riparimit të anijeve, me koncesionar shtetin shqiptar dhe firmën polake “Gdansk-Durrës sh.a”. Por, me skrapin që futet në “Kurum” dhe me letrat që shoqërojnë transportin e skrapit, ka diferenca. Sipas burimeve nga drejtoria e Tatimeve në Elbasan, rezulton se me 1.2 milionë ton skrap që është furnizuar në 1 vit, “Kurum” paska prodhuar 1.5 milionë ton hekur e çelik po në vit! në dosjen që disponon gazeta “Telegraf”, janë këto shifra vjetore: Prodhim 810 mijë ton hekuri për ndërtim të petëzuar në të nxehtë dhe 680 mijë ton çelik të lëngshëm. Me letra tatimore, ka përfituar 2 herë më tepër rimbursim TVSH-je se sa vlera e shtuar e skrapit që ka përdorur dhe e produktit që ka prodhuar e që ka shitur! 
Ja banda me 9 subjekte, që u përdor për vjedhjen e TVSH 26 milionë euro
“ALEKSI & AJSI” sh.p.k,
“AJSI” sh.p.k
“ALSIMA” sh.p.k
“HOXHA” sh. p. k
“XHOIS- GRUP” sh.p.k
“PROKAT” sh.p.k
“SILEALB” sh.p.k
“MUSA” sh. p. k
“GOLD PLUS” sh.p.k
———————————————————————————
Prangosen kontrabandistët e mallrave në doganën e Bllatës-Dibër 
Arrestohet në flagrancë një shtetas për veprat penale “Kontrabandë më mallra të tjera” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”. Procedohet penalisht në gjendje të lirë një doganier për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Nga Specialistët për hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Astrit Stafa, 52 vjeç, banues në fshatin Maqellarë, pasi dyshohet se ka tentuar të kalojë me mjetin e tij tip “Volkswagen”me targë AA 345 FH, një sasi konfeksionesh pa iu nënshtruar procedurave doganore, duke mos iu bindur urdhrit të punonjësit të policisë kufitare. Si dhe u procedua penalisht në gjendje të lire shtetasi A.L, 42 vjeç, banues në Tiranë me detyrë doganier, pranë Doganës Bllatë, pasi më datë 12.07.2016, në Bllatë, dyshohet se me mosveprimet e tij nuk ka kryer procedurat doganore. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjerë “ dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” parashikuar nga nenet 174 dhe 242 të Kodit Penal në ngarkim të shtetasit Astrit Stafa dhe për veprën penale “ Shpërdorimi i detyrës “ parashikuar nga neni 248, i Kodit Penal në ngarkim te shtetasit A.L.
Përparim HALILI
Sigal