Sigal

Ndalohet autori tjetër i vjedhjes me armë të 1 karburanti dhe tentativës për vjedhje të 2 karburanteve të tjerë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, ndaluan autorin tjetër të vjedhjes me armë të karburanteve, Emiljano Grembi, 22 vjeç, banues në Belinë Patos.

Emiljano Grembi në bashkëpunim me kushërirën e tij, shtetasen Anna Malaj (e cila u ndalua nga policia një ditë më parë) nën kërcënimin e armës, në datën 02.07.2018, në Levan, kanë vjedhur një pikë karburanti ku kanë marrë shumën prej 30000 lekësh të reja.

Në datën 07. 07. 2018, në Mallakastër, nën kërcënimin e armës kanë tentuar të vjedhin një pikë karburanti por pasi janë ndeshur me punonjësin e karburantit, janë larguar.

Në datën 15. 07. 2018, në lagjen “1 Maji” Fier, në bashkëpunim, duke kërcënuar me armë gjahu teke, kanë tentuar të vjedhin një tjetër pikë karburanti.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” parashikuar nga Nenet 140, 22, 25, dhe 278 të Kodit Penal.