Përse Rama sulmon Bashën?

58

Nga Gentian Gaba 

U bënë më shumë se një javë që shqiptarët janë mbyllur në karantinim si pasojë e pandemisë së COVID-19. Qeveria e cila deri në atë ditë nuk e kish marrë seriozisht luftën dhe kishte trajtuar me humor ofertën e Bashës për të marrë masa, u zgjua të hënën në panik.

Pa mbajtur kurrfarë përgjegjësie dhe me një amatorizëm për të mos u pasur zili, Rama nisi të përçapej në kushte tërësisht antikushtetuese këtë situatë. Mirëpo qytetarët të qartë dhe të bindur për rreziqet e këtij virusi që kishte javë që kish trokitur në Italinë fqinje, nisën të respektonin edhe këto urdhëra të paligjshme. Madje dhe opozita ditën kur Rama lëshonte urdhërat e tij edhe nga kështjella e Surrelit, nuk u angazhua me ligjshmërinë e tyre.

Parimi se në kohë lufte duhet çdo përpjekje për të mposhtur armikun ishte po kaq i dobishëm edhe për t’u marrë me keqdashësitë e mazhorancës. Ndërsa situata mori drejtim dhe qytetarët po vetëzbatonin edhe urdhërat e karantinës që vinin nga shtëpia-zyrë e kryeministrit, opozita me të drejtë ngriti nevojën e një rishikimi të buxhetit të shtetit.

Një akt të tillë normal dhe të domosdoshëm në kohë lufte e ka ndërmarrë çdo shtet i goditur nga ky virus. Po njësoj si në situatën e paralajmërimit për të marrë masa, Rama nisi të përbuzte dhe të sulmonte dhunshëm verbalisht Bashën. Duke e akuzuar për një çmenduri fiskale, duke u mbrojtur për pamundësinë e Shqipërisë ai u fsheh pas sulmeve ndaj kryetarit të opozitës.

Kërkesat e Bashës ishin të thjeshta, shtyrja e afatit të pagimit të kësteve të taksave për bizneset; anullimi i pagesave prej 120 mln euro nga buxheti i shtetit për PPP-të; anullimin e koncesioneve dhe tenderave të padobishëm në kuadrin e anullimit të shpenzimeve të panevojshme dhe kalimi i kësaj shume për shëndetin dhe mbrojtjen sociale.

Me pak fjalë Basha nuk i ka kërkuar asgjë më shumë se sa transferimin e një buxheti duke hequr dorë nga disa lukse në një kohë lufte. Pra, në terma të tjerë Basha nuk është treguar fare ëndërrimtar sa Rama përpiqet ta tregojë. Pasi ai nuk i ka kërkuar Ramës që të rrisë buxhetin e shtetit siç e ka rritur Grewia, Anglia me 60 mlnd paund, Italia me 26 mld euro e kështu me radhë.

Jo! Basha ka kërkuar thjesht një rialokim të parave në buxhet, të hiqen nga koncesionet e padobishme dhe jo eficente dhe të shkojnë në shërbim të mjekëve dhe ekonomisë. Megjithëse një kërkesë e tillë është brenda çdo logjike normale, prapë se prapë Rama ngulmon të kundërtën, ai vazhdon të konsiderojë Bashën një njeri që flet dhe shkruan përçart.

Ai më të lehtë ka që të degradojë në mes të një beteje në ofendime personale ndaj dikujt që i ofron rialokim se sa të pranojë të heqë dorë qoftë dhe për një vit nga pagesa e koncesioneve.

Në të kundërt me çmendurinë e dikujt që e di se e ka gabim por vazhdon të këmbëngulë ai gjezdis studiove duke numëruar të mirat e këtyre koncesioneve. Megjithëse jo më larg se disa javë më parë KLSH i lajmëroi shqiptarët se vetëm koncesioni i laboratorëve merrte 3.3 mln euro shtesë nga buxheti i shtetit në kundërshtim me kontratën dhe për punë të pabërë. Ndërkohë që vlera në total e abuzimeve ishte e barabartë me 957 mln euro nga PPP-të dhe shitjet e pronave shetërore në kundërshtim me ligjin.

I njëjti raport nënvizon se pagesa për PPP-të do të shkojë 2 miliardë euro, një shifër e çmendur për një buxhet të brishtë. Por asokohe kur Rama akuzohej se po favorizonte oligarkët me këto parà publike, ai përgjigjej se shteti i kishte këto mundësi që të ndihmonte brezat e ardhshëm edhe duke dhuruar këto vlera.

Sot, ku opozita me të drejtë po i kërkon vetëm një rialokim Rama sillet si një harbut që luftën e ka me Bashën dhe jo me coronavirus. Arsyet e këtij mllefi lidhen me një fakt. Rama nuk ka luftë kundër COVID-19, ai luftën e ka për të mposhtur Bashën në propagandë.

Sa më shumë Basha është i qartë në oferta dhe pozitiv aq më shumë Rama ofendon dhe pështyn tek kundërshtari që thjesht po e fton. Pasi Rama e sheh Bashën si një rrezik dhe jo si një qytetar që po i ofron mendimin e tij për ndihmën që duhet t’i jepet ekonomisë.