Verifikim edhe për “letrat” financiare e ligjore të 2400 makinave private luksoze të shtetarëve

111
Përparim HALILI
Oborret e institucioneve janë mbushur me automjete me vlerë 50-100 mijë euro, zyrtarët thonë se i “kanë blerë me kursimet nga pagat”
Policia ka nisur një operacion kombëtar të veçantë, të parin e këtij lloji për nga objekti dhe përmasat. Me urdhër të ministrit Fatmir Xhafaj, “erdhi dita” e nisjes së luftës kundër krimit ekonomik-financiar të makinave luksoze e të blinduara, që janë në pronësi dhe përdorim të individëve e grupeve të botës së krimit. Urdhri i prerë i ministrit Xhafaj, i lëshuar 10 ditë më parë, ka imponuar seriozitet në aktivitetin e policisë së shtetit, për ta nisur, vazhduar dhe finalizuar me eficiencë këtë aksion me rëndësi për sigurinë publike dhe zbulimin e akteve kriminale të lënë në harresë, të fshehura e në pamundësi për t’u zbuluar për shkak të sofistikimit edhe nëpërmjet përdorimit të automjeteve të tillë me e pa targa, me targa të dyfishta e letra të falsifikuara, me pronarë të tjetërsuar në 3-5 akt-shit-blerje, akte dhurimi e përdorimi. Prej këtij aksioni janë zbuluar, bllokuar dhe sekuestruar shumë makina të tilla në disa qytete, duke kontrolluar gjithë vendin. Policia ka nxjerr “dosjet” e vjetra nga sirtarët dhe po vepron, referuar të dhënave që disponon lidhur me llojet, sasinë, zonat, bizneset dhe individët që kanë në përdorim këto makina. Ajo që konstatohet në këto aksione është fakti, që nuk ka rrjedhje informacioni nga brenda policisë për kohën, individët e grupet kriminale dhe zonat e veprimit. Sipas informacionit nga brenda grupeve të aksionit policor, thuhet se “objektiv” janë makinat e futura në Shqipëri prej trafiqeve të drogës, prostitucionit, armëve e produkteve të tjera dhe po kështu, duke u përqendruar tek makinat e përdorura në akte kriminale të cilat janë në qarkullim. Siç dihet, aksione të tilla janë deklaruar edhe më parë, 0që kanë qenë vetëm për “show”, sa për efekt “bilanci arritjesh” të policisë, mbasi ato as janë ndaluar për kontroll, siç ndalohen makinat “rrangallë” të qytetarëve hallexhinj, që i përdorin për shërbimet dhe punët e përditshme! Nëse ky aksion në shkallë vendi, ka objektiv makinat e individëve dhe grupeve të “krimit të rrugës” e atij të lidhur me qarqet politike, mendojmë se është emergjente që në “filtrin” e policisë të futen edhe makinat luksoze të shtetarëve, politikanëve, drejtorëve, doganierëve, tatimorëve, pushtetarëve lokalë e të vetë kryepolicëve, të cilët kanë në pronësi makina të tilla. Mjafton të futesh në mjediset e (oborreve) të parlamentit, ministrive, doganave, porteve detare, aeroportit, tatimeve, bashkive, prefekturave, qarqeve, komisariateve të policisë, partive politike, OJF-ve, kompanive, inspektorateve, agjencive e institucioneve shtetërore dhe shikon makina super-luksoze, deri edhe me çmime mbi 100 mijë euro, të cilat janë pronë private të drejtuesve të institucioneve! Cilët janë burimet financiare që i kanë blerë? Mund edhe t’i kenë blerë me financa të “pastra”, por verifikimi duhet bërë, mbasi edhe këto janë makina luksoze jo nga ato 5-10 mijë euro që i verifikohen “popullit”, por makina “sheikësh”! Është shumë i thjeshtë verifikimi: Mjafton të bësh verifikim-krahasimin me pagat mujore të tyre, qofshin edhe të kategorisë së lartë dhe del “llogaria”, ndërkohë që kane edhe apartamente e vila “sheikësh”! Verifikimi duhet bërë edhe për faktin, që shumë prej këtyre makinave, thuhet se janë produkt i krimit dhe bashkëpunimit me krimin, për shkak të detyrave që ata kanë, mbasi ka pasur jo pak raste në 15 vitet e fundit, makina ministrash, deputetësh e ambasadorësh kanë rezultuar të vjedhura në vendet e BE e të shituara ose të dhuruara! Sipas burimeve të sektorit të policisë rrugore, shtetarë e ish-shtetarë lokalë e qendrorë dhe familjarë të tyre, kanë në pronësi afro 2400 makina luksoze, të cilat duhen “hetuar” për ligjshmërinë e pronësisë, pastërtisë dhe përdorimit të tyre që prej kohës kur ato kanë dalë nga “fabrika” e deri sot.