MAS të bllokojë zhvatjen 480 milionë lekëve në vit, që u bëhet 30 mijë mësuesve nga dy “sindikatat hije”

460
Kujtesë ministres Lindita Nikolla
Gazeta “Telegraf” e ka denoncuar presionin ndaj drejtuesve të MAS, për të firmosur kontratën, e cila ka të njëjtin tekst prej 20 vitesh, duke i ndryshuar vetëm datën dhe vitin
Përveç ngarkesës së punëve të fillimit dhe vijimit normal të mbarëvajtjes së mësimit, të planifikuara e të realizuara deri tani nga strukturat drejtuese të sektorit të arsimit parauniversitar në Shqipëri, që nga ministria e deri në drejtoritë e shkollave në qytete dhe zona, stafi drejtues i MAS po përballet këto ditë edhe me një presion antiligjor, të dy individëve dhe “çetave” që ata mbajnë prapa e prezantohen si dy “sindikata” në sektorin e arsimit. Bëhet fjalë, për presionin që këto dy “çeta” të vetëquajtura “sindikata”, i kanë bërë dhe po vazhdojnë t’i bëjnë edhe këtë fillim-viti stafit drejtues të MAS, për të firmosur Kontratën e Punës të Nivelit të Parë. Në rast të kundërt, ata kërcënojnë se “mësuesit do të ngrihen në protesta! Në fakt, mësuesit nuk duan t’ua shohin “bojën” e as t’u dëgjojnë emrin këtyre sindikatave “lolo”, që janë zaptuar prej “kaptellëve” e “dobrushëve”, të cilët prej 27 vitesh po përdorin në pazar me njeri-tjetrin, logot “SPASH e FSASH”, për të zhvatur mësuesit. Çfarë ndodh? Këta i regjistrojnë mësuesit si “anëtarë sindikate”, duke mbushur lista me emrat e tyre edhe nëpërmjet presionit të drejtorëve të DAR, të ZAZ dhe drejtorive të shkollave, që mësuesit të firmosin. Me këto lista që plotësojnë, ata kërkojnë të nënshkruajnë kontratën e punës jo se u digjet barku për hallet e mësuesve, por për të “vjelë” kuotën mujore sindikale të çdo mësuesi shqiptar! Kjo kuotë me vlerë 100 lekë në muaj, u ndalet në borderonë e pagës së çdo muaji në bankë, me urdhër zyrtar shkresor të drejtorëve të DAR, ZAZ e të shkollave. Kur ministria nuk e nënshkruan këtë kontratë, këto kuota nuk ndalen, mbasi drejtorët e arsimit, nuk lëshojnë urdhër në banka për ndalesën mujore! Edhe këtë vit mësimor, sipas strukturës së trupës mësimore në arsimit parauniversitar, në Shqipëri ka 30 mijë e 154 mësues! Çdo vit, këtyre u është sekuestruar shuma 100 lekë të reja në muaj edhe në muajt e lejes vjetore, kur mësuesit nuk janë në punë! Kjo zhvatje antiligjore e kuotës sindikale me shkresë zyrtare shtetërore që flet për pengmarrje të sindikatës nga qeveria, arrin në 360 milionë lekë në vit, të cilat ndahen në dy pjesë për dy “agallarët| e të ashtuquajturave “Sindikata Kaptelli” dhe Sindikata “Dobrushi”, mbasi kështu është bërë pazari mes tyre! Është një vlerë, me të cilën në çdo vit, mund të ndërtohej një shkollë e re me kapacitet mbi 350 nxënës! Por ja që me 360 milionë që u sekuestrohen mësuesve me dhunë, blihen makina “VIP”, blihen e pajisen me luks apartamente në Tiranë, në male e bregdet dhe hapen biznese private nga dy uzurpatorët e sindikatave! Gazeta “Telegraf” e ka denoncuar këtë marifet, duke e shoqëruar me dosje të plotë shkresore. Ky marifet ka dalë në skenë edhe këtë fillim viti shkollor, duke i bërë presion stafit drejtues të MAS, për të firmosur kontratën e cila të njëjtin tekst prej 20 vitesh, duke i ndryshuar vetëm datën dhe vitin, mbasi emrat e uzurpatorëve që hiqen si kryetar sindikatash të SPASH e FSASH, janë të njëjtë prej 20-25 vitesh! Të mos harrojmë, që këta dy agallarë të këtyre dy lolo-sindikatave, u zhvatin mësuesve edhe nga 400 lekë në vit, për gjoja “mbarëvajtjen e aktivitetit sindikal”, vlera totale të cilës arrin 120 milionë lekë në vit! përse përdoren këto miliona, që mendojmë se duhen hetuar nga anti-krimi ekonomik-financiar? Duke denoncuar këtë abuzim me vlerë të madhe financiare, të cilin do ta trajtojmë në vazhdimësi, i bëjmë thirrje ministres së MAS, zonjës Lindita Nikolla, ta bllokojë këtë zhvatje që u bëhet në mënyrë të paligjshme mësuesve! 
Sigal