Veliaj: Përfitojnë 5 mijë banorë, akuzave politike u përgjigjemi çdo ditë me punë konkrete

68

Përfundon rikualifikimi urban i një tjetër blloku pallatesh në Njësinë 4 në kryeqytet

 

Një tjetër lagje në kryeqytet ka marrë një pamje krejt tjetër. Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikualifikimin urban të bllokut të banimit që kufizohet nga rruga e Dibrës, “Njazi Meka”, “Niko Avrami” dhe rruga “Grigor Percelev”, në Njësinë Administrative nr. 4, i cili përfshin, jo vetëm riasfaltim rrugësh, shtrim, ndriçim, por edhe ndërtimin e disa ambienteve çlodhëse, të cilat do t’i shërbejnë komunitetit të kësaj njësie. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ndërsa inspektoi punimet, theksoi se mbyllja e këtij investimi është tashmë një premtim i mbajtur i Bashkisë së Tiranës.  “Shumë faleminderit të gjithë atyre të cilët dhanë një dorë që ky projekt të mbaronte përpara afatit. Është punuar gjatë gjithë verës, për t’u siguruar që vjeshta t’i gjente këta banorë dhe këto familje me urbanizimin më dinjitoz që ka parë kjo lagje, prej ndoshta 40 vjetësh. Premtuam bashkë në fushatë, se do vinim dorë dhe sapo u mbyll viti i parë, mbajtëm këtë premtim, janë 12 ha që janë prekur nga ky investim”, tha Z. Veliaj. Ai theksoi se investimi në njësinë nr. 4, ashtu si në çdo zonë tjetër, ku ka ndërhyrë Bashkia, ka rritur në mënyrë të ndjeshme vlerën e pronës për çdo banor. “Të gjithë banorët janë të ndërgjegjshëm, që falë një investimi të mirë në infrastrukturë, është rritur vlera e shtëpive dhe banesave të tyre. Ky është një lajm shumë i mirë! Në të gjithë Tiranën ka ndodhur ky fenomen, për këdo që ka shtëpi në Tiranë dhe që preket nga këto investime, ky është ndoshta lajmi më i mirë i viteve të fundit, rritja e vlerës së çdo banese”, tha ai. Kryetari i Bashkisë solli në vëmendje, se veç investimeve në infrastrukturë, në këtë zonë janë kryer investime edhe për ambiente sociale e kulturore dhe, së shpejti, do të nisë puna edhe me shkollat. “Më vjen mirë, që nuk jemi mjaftuar vetëm tek infrastruktura rrugore, por kemi kërkuar të përmirësojmë gjithashtu edhe infrastrukturën kulturore dhe sociale për fëmijët. Në këtë lagje janë rehabilituar kopshtet dhe çerdhet, mezi presim që të fillojmë me shkollat. Për më të vegjlit tanë kemi krijuar disa kënde lodrash, në këtë lagje, tek Katrori në Allias, dhe besoj që, po të vazhdojmë me këtë ritëm, nuk do të kemi më një Tiranë të dorës së parë apo të dytë, një Tiranë të Bllokut apo një Tiranë të periferisë. Fakti, që kemi bërë një shpërndarje demokratike të të gjithë investimeve, është dëshmi e kësaj filozofie dhe e këtij misioni që ka marrë përsipër Bashkia e Tiranës”, tha Veliaj. Ai ftoi banorët e zonës që të kontribuojnë për mirëmbajtjen e këtyre ambienteve të rikonstruktuara, ndërsa paralajmëroi dhe fillimin e një tjetër nisme të bashkisë, atë për mbledhjen e diferencuar të mbetjeve. “Shumë shpejt në këtë lagje do të fillojmë mbledhjen e diferencuar të mbetjeve; që do të thotë, se në koshat e gjelbër do vëmë vetëm gjërat që riciklohen, në koshat blu do të vëmë të gjitha mbetjet e tjera që nuk riciklohen. Nëse të gjithë bashkëpunojmë, ashtu siç bashkëpunuam në mënyrë model në këtë investim, mund të kemi një Tiranë shumë më të pastër dhe shumë më të mirë se ajo që kemi sot”, u shpreh kryebashkiaku. Veliaj tha gjithashtu, se pavarësisht akuzave të përditshme, Bashkia do të vazhdojë me moton e saj, duke iu përgjigjur çdo shpifjeje me një punë konkrete. “Parimi ynë ka qenë, çdo ditë një punë konkrete. Ndërkoh,ë që çdo ditë kemi një shpifje konkrete ose një akuzë, mundohemi që çdo ditë t’i përgjigjemi me një vepër që është e prekshme dhe që sjell dobi në jetën e qytetarëve. Kjo është motoja e Bashkisë së Tiranës, që çdo ditë me një punë konkrete të kemi Tiranën e ëndrrave tona, deri në fund të këtij mandati dhe pastaj të punojmë edhe për projekte të tjera”, përfundoi ai. Ndërsa deputetja e zonës, socialistja Blerina Gjylameti, vuri theksin te premtimet e mbajtura. “Nuk është thjesht një premtim më shumë, që ndikon në jetën e të gjithë këtyre banorëve, por pikë së pari ndikon në jetën dhe në të ardhmen e këtyre fëmijëve. Ku ka më mirë se sa të jetojnë në një qytet që nuk ka dallime ndërmjet dorës së parë dhe dorës së dytë dhe kjo njësi ka qenë një njësi e cila kryesisht mbahej e dorës së dytë. Ndërtojmë të ardhmen e tyre jo vetëm thjesht duke u krijuar kushtet bazë, por gjithashtu duke u krijuar edhe ambiente të cilat janë ambiente çlodhëse, lodra për ta dhe që t’i rrisim fëmijët shëndetshëm”, tha Gjylameti, ndërsa shprehu besimin se do të vazhdojë puna për të mbajtur premtimin edhe në blloqet e tjera të banimit. Rikualifikimi urban i i bllokut të kufizuar nga rruga e Dibrës, “Njazi Meka”, “Niko Avrami” dhe “Grigor Percelev” ka bërë të mundur që e gjithë zona mos ketë më probleme me kanalizimet e ujërave të bardha dhe ujërave të zeza, ndërkohë që janë asfaltuar rrugët, janë shtruar trotuaret të cilat janë përshtatur edhe për personat me aftësi të kufizuar, është vendosur ndriçimi, por edhe sinjalistika rrugore. Investimi i përfunduar tashmë ka mundësuar edhe krijimin e hapësirave publike në funksion të komunitetit me ambiente çlodhëse të plotësuara me sipërfaqe të gjelbëruara, stola, kosha dhe lodra për fëmijë. Rikonstruksioni i këtij blloku u shërben 5.000 qytetarëve të zonës.