Veliaj: “Mund ta bëjmë diferencën vetëm kur i zgjidhim problemet, dhe jo vetëm kur vëmë gishtin e kërkojmë fajtorin”

310

Bashkia e Tiranës nis ndërtimin e banesave të reja për 50 familje rome në Shkozë

Bashkia e Tiranës ka nisur punën për zbatimin e projektit të financuar nga “IADSA”, që synon ndërtimin e banesave të reja me qëllim krijimin e kushteve më të mira dhe përmirësimin e jetës sociale të 50 familjeve të komunitetit rom.

I pranishëm në nisjen e punimeve për projektin “New House-New Life: Rehabilitation of Roma Community Settlement”, në Shkozë ishte dhe kryetari i Bashkisë Erion Veliaj dhe Ministri për Financat, Arben Ahmetaj. Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se ndërtimi i banesave të reja është një lajm i mirë për anëtarët e komunitetit rom, ndërsa theksoi se kjo është përgjigjja më e mirë ndaj atyre që në vend të ndihmojnë për zgjidhjen e problemeve, merren me fjalë.

“Më vjen mirë që kemi marrë këtë financim të qenësishëm nga Ministri i Financave dhe Ambasada e Italisë për të ndërtuar banesa për disa qindra qytetarë. Besoj që jo vetëm ky është një lajm i mirë për komunitetin, por unë besoj se është edhe një përgjigje finale për mënyrën se si bëhen gjërat në Shqipëri. Përfundimisht jemi ndarë në dy kategori; njerëz që vënë gishtin, shajnë dhe mallkojnë gjithçka dhe njerëz që në çdo problem thonë, si mund ta zgjidh. Unë besoj që hyjmë tek kategoria e dytë, që shohim një problem dhe mendojmë për zgjidhjen e jo të shajmë apo të gjejmë fajtorin që siç e dini fare mirë, këtu ka qenë një situatë e trashëguar prej vitesh”, tha Veliaj. Kreu i Bashkisë u shpreh se shumë prej qytetarëve që janë strehuar në qendrën sociale të Shkozës, në pak muaj do të kenë banesa me të gjithë kushtet dinjitoze të jetesës, të higjienës dhe hapësirës së nevojshme, sidomos për familjet me shumë anëtarë të komunitetit rom.

“Për herë të parë po fusim një koncept të ri, ku vërtet nuk do të ketë pagesë për të strehuar këta banorë, por gjithsesi disa kushte do të jenë: Një ndër kushtet do të jetë që çdo fëmijë duhet të shkojë patjetër në shkollë dhe kushti për të qëndruar në këto banesa të reja do të jetë arsimi i detyrueshëm. Kushti tjetër do të jetë, për ata që janë 16-30 vjeç, do të duhet me detyrim të futen në një kurs të arsimit profesional. Ne besojmë se pavarësisht se kjo është një ndihmë shumë e nevojshme për strehim, bileta afatgjatë për të dalë nga varfëria është arsimi, emancipimi, trajnimi profesional”, u shpreh kryebashkiaku. Kryetari i Bashkisë deklaroi se falë menaxhimit të mirë të situatës në Tiranë si pasojë e motit të acartë, Tirana nuk pati asnjë humbje në njerëz. Kryetari Veliaj tha se pas kalimit të krizës nga moti, do të fillojë pa humbur kohë dhe zgjidhja afatgjatë për komunitetin rom dhe personave të tjerë në nevojë të Tiranës. “Unë besoj se mund ta bëjmë diferencën, vetëm kur problemet i zgjidhim dhe jo vetëm kur vëmë gishtin dhe kërkojmë fajtorin” , tha ai.

Ministri i Financave, Arben Ahmetaj deklaroi se ky projekt është konceptuar në vijim të paketës të solidaritetit që qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës ka ndaj shtresave në nevojë. “Është një projekt i bashkëpunimit të qeverive shqiptare dhe italiane në kuadrin e konvertimit të borxhit në projekte të qeverisjes vendore në favor të komuniteteve në nevojë, siç është komuniteti rom dhe egjiptian. Në themel, së bashku me Kryetarin Veliaj dhe Ambasadorin Italian, kemi menduar ta konceptojmë një vazhdim të paketës të solidaritetit që qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës ka ndaj shtresave në nevojë. Besoj që edhe me vazhdimin e programit “IADSA”, Bashkia e Tiranës do të fitojë sërish financim për projekte të kësaj natyre”, tha Ahmetaj.

Nëpërmjet aktiviteteve të propozuara, projekti synon të ndërtojë një infrastrukturë të përshtatshme për kushte më të mira jetese dhe një strukturë e cila siguron një mbështetje sociale dhe psikologjike për anëtarët e komunitetit rom në mënyrë që t’i mbështesë ata në edukim dhe trajnimin profesional që të mund të punësohen, të integrohen në shoqëri dhe të jenë pjesë e programeve të mëtejshme të zhvillimit të Bashkisë Tiranë, për një komunitet të qëndrueshëm.

Gjithashtu, synohet përmirësimi i kushteve sociale dhe ekonomike të këtyre familjeve në bazë të strehimit social apo strehimit të pavarur, si dhe punësimit të qëndrueshëm dhe të gjithë të rinjtë e moshës 16 – 30 vjeç do të ndjekin kurse trajnimi profesionale. Një tjetër synim është dhe regjistrimi në shkollë për të gjithë fëmijët, të cilët do të pajisen me karta shëndeti, do vaksinohen rregullisht dhe do të kenë akses në përfitimin e shërbimeve shëndetësore.