Varkat, mbijetesa e qytetit liqenor që në kohët e hershme

341

Gazeta Telegraf/

Të bekuar nga
Perëndia dhe të dënuar nga politika


 Bardhyl Berberi

Pogradeci është
qyteti që e ka liqenin në gjirin e tij. Shëtit nëpër rrugë dhe ndjen
llokoçitjen e valëve, kërcitjen e peshkut dhe klithjen e pulëbardhave. Fle natën
dhe të duket sikur liqenin e ke aty nën jastëk si një ninullë të bukur
hipnotizuese. Por s’ke si ndan nga ky liqen peshkatarët, varkat e tyre dhe
mjetet e peshkimit me të cilat ata kanë jetuar në shekuj duke siguruar të ardhura
për familjet e tyre. Në vitin 1662 kronikani turk Evilha Çelebiu në librin e
tij të shkruar “Udhëtimet”, ndër të tjera thotë se “Pogradeci, një qytet i ëmbël
buzë gjolit (liqenit), me katër lagje dhe katër xhami, një medrese, dy shkolla
fillore, një teqe, tre hane, një banjë e 600 shtëpi me tjegulla e me kopshte. Çelebiu
thotë se në atë periudhë në Pogradec kishte 150 dyqane dhe në breg të liqenit
ishin tabakët që regjeshin lëkurët. Vendasit merreshin me gjuetinë e peshkut me
disa gjemi si kore. Peshkimi dhe tregtia ishin mjetet e jetesës së këtyre banorëve…

 

Flet inxhinieri i
talentuar i peshkimit Vladimir Peshkatari

 

Peshkatarët e vjetër
tregojnë se me kalimin e viteve mjetet e lundrimit pësonin evoluimin e tyre.
Inxhinieri i talentuar i peshkimit Vladimir Peshkatari, djali i Kolë
Peshkatarit, një nga mjeshtrit e peshkimit që njihej nga pogradecarët si “Ujku
i Liqenit” na tregon për gazetën “Telegraf” se gjemia e parë (varka) ka ardhur
aty rreth viteve 1919 nga gjyshi i tij Maxhari, një peshkatar i vjetër dhe me
shumë përvojë nga Ohri, i cili erdhi të jetojë familjarisht në Pogradec. Ai
erdhi nga Ohri me një gjemi (varkë) të gjatë rreth 8 m, rreth 2,5 m e gjerë dhe
1m e 20 cm e lartë. Atë varkë e punonin katër veta tre lopataxhinj dhe një tjetër
që mbante drejtimin. Xha Kolua më ka treguar se Maxhari solli dhe rrjetat e
para të peshkimit nga Ohri. Por sjellja e kësaj varke kaq të madhe dhe
funksionale filloi të përdoret përveç peshkimit edhe për transport mallrash në
vijën ujore nga Pogradeci në qytetin e Ohrit. Ustallarët e Ohrit filluan të
prodhojnë gjemi e varka edhe për fqinjët e tyre pogradecarë .Këta të fundit iu
çonin dërrasa prej gështenje ndërsa ndërtimin e bënin mjeshtrit në Ohër. Tashmë
varkat që prodhoheshin në Ohër jo vetëm që përdoreshin për peshkim por edhe për
transport mallrash por dhe shumë pogradecarë shkonin me këto varka të mëdha nëpërmjet
liqenit në Ohër dhe Strugë për tregti çonin fruta dhe zarzavate në Ohër dhe
prej andej sillnin prej andej vajguri dhe kripë. Por me këto varka pogradecarët
shkonin në manastirin e Shën Naumit në Ohër në Strugë edhe për festa familjare
apo fetare. Varkat përdoreshin edhe për piknik në liqen apo festa familjare për
argëtime të ndryshme; kishte plot raste që nuses në ditën e dasmës i bëhej një shëtitje
me varkë…

Por varka e parë në
qytetin e Pogradecit nga vendasit është prodhuar rreth viteve `20. Ka qenë inxhinieri
francez Albert Gariku, i cili solli fillimisht projektin dhe mjetet e ndërtimit
të varkave. Zbatuesi dhe prodhuesi i parë i varkës në Pogradec është mjeshtri
Sotir Shkurti i cili më vonë këtë zanat ia trashëgoi djalit të tij Koços. Duke
vazhduar deri në ditët tona që vazhdojnë të prodhojnë varka si Mondi Bashua apo
Raqi Matua. Por, ky liqen me bukuritë e tij të pafund prej shumë vitesh numëron
shumë tragjedi me varkat në liqen që nga kohët më të lashta kur një princeshë Ilire
është mbytur në këtë liqen me një varkë gjatë një shëtitje në liqen në afërsi të
Shën Naumit (vendi quhet Zaum që do të thotë për mend). Por, tragjeditë e
liqenit me varka kanë vazhduar deri në ditët tona por ato më të bujshmet të
cilat mbahen mënd kanë qenë më të mëdha, ndonëse kanë kaluar shumë vite ato janë
të veshur me një mister dhe shumë prej tyre kanë ngelur me shumë enigma.

 

 

Varkat në diktaturë
edhe për arratisje nga liqeni

 

Por varkat në kohën
e diktaturës komuniste janë përdorur edhe për arratisje nëpërmjet tyre në
shtetin fqinj nëpërmjet liqenit. Kuptohet në vitet e diktaturës varkat ishin jo
vetëm në inventar dhe vetëm për ndërmarrjen e peshkimit dhe ruheshin tek moli i
qytetit nga policia. Por në 3 korrik të vitit 1975, ishin16 persona të familjes
Fezollari i bënë një sfidë diktaturës komuniste pikërisht në atë kohë ishte me
pushime Enver Hoxha në këtë qytet. Ata u arratisën me një varkë primitive nëpërmjet
liqenit dhe sot varka ndodhet në muzeun e Shkupit dhe ruhet aty si relike e veçantë
që ka është realizuar një nga arratisjet më të mëdha me varkë primitive që u
kalua liqeni nga që nga dy fëmijë të vegjël 6 muajsh dhe 3 vjeç deri tek një
plakë e moshuar nënë Kushja dhe djemtë e saj me nuset dhe fëmijët e tyre. Sot numri
varkave ka arritur shifra marramendëse. Vetëm në qytetin e Pogradecit janë mbi
300 varka dhe po kaq edhe në fshatin Hudënisht dhe Lin, të cilat përdoren për
gjuetinë e peshkut. Sot liqeni shfrytëzohet barbarisht dhe pa kriter nëpërmjet
këtyre varkave që persona të ndryshëm që kanë ngelur papunë nga ndërrimi i
sistemit futen me varka në liqen për gjuajtur peshkun e famshëm koranin dhe
pasi e shesin sigurojnë të ardhura modeste për të mbajtur familjen. Kjo ka
sjellë shfrytëzimin barbar të liqenit duke dëmtuar rëndë peshkun e famshëm të
koranit  megjithëse hidhen në liqen rreth
1 milion lavra korani nga 5 deri ne 10 cm përsëri korani ngelet në rrezik…