Vakumi ligjor/ Titullimi i marrëveshjes “një mashtrim” diplomatik. Rasti i Korfuzit

106
Kolonel Myslim Pasha
Vakumi ligjor/Titullimi i marrëveshjes “një mashtrim” diplomatik. Rasti i Korfuzit, çfarë është “Delimitim” dhe “Shelf Kontinental”
Asnjë përgjigje nuk ka dhënë pala jonë ndërsa deri më sot, vijon me të madhe të thuhet se “gjithçka e kemi bërë duke u mbështetur saktësisht në Konventat Ndërkombëtare” pra, asgjë nuk ka pasur përgjigje, për drejtësinë e Kryefjalës së saj. Sepse, e para është “titulli”. Ose, në këtë rast, ky titull është pjesë e “fshehjes” dhe atij “ hermetizmi” që e kemi thënë qysh në krye të herës. Ajo përfshin DT, dhe SHK. Ç’solli ai vakum ligjor, detar? Sepse në ligjin e fshirë shqiptar, duhet të ishin të paraqitura në hollësi përkufizimet e Ligjit të Detit për të gjitha njësitë që diktohen nga veçoritë e hapësirave detarë të Detit Adriatik dhe Detit Jon. “S’ka gjë, se i ka ligji Ndërkombëtar!” është thënë. Nëse do të përqasnim rastin e Marrëveshjes midis Shqipërisë dhe Italisë, kishte rrethana të tjera, dhe më të disiplinuara, që vareshin prej një rregullsie gjeografike dhe gjeometrike të brigjeve detarë dhe paralelitetit të tyre, të dyanshëm, që u përcoll me përdorimin e metodës (kriterit) të Baraslargësisë dhe ku nuk ka pasur nevojë që të rregullohej hartografimi i kësaj vije të baraslarguar që sillte vetë metoda. Republika e Shqipërisë që vjen e para, pastaj e Greqisë që radhitet e dyta, janë marrë vesh. Kjo nuk është pak. Apo Jo ? Për çfarë jemi marrë vesh? “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse…” Askund në shqipen e sotme, nuk mund të gjesh një trazake të tillë, ku delimitimi na vjen në përfytyrimin, të thikës ndarëse, por që nuk mund të kuptohet për të gjithë shqipot. Sepse në asnjë fjalor të këndejmë, pas Kristoforidhit, nuk e gjen dot, veçse në koncepte matematike të “Limitit.” Kësisoj, na është sjellë, që të mos e kuptojnë të gjithë. “Delimitim” është “ndarje” dhe “caktim kufijsh”. Po çfarë do të thotë, më tej? “të zonave të tyre përkatëse…”? Edhe “zona të tyre” edhe “përkatëse”!? Më tej, qytetarit shqiptar dhe lexuesit të gjithkundshëm të shqipes i vijnë fjalët: “shelf kontinental” Askush dhe askund, nuk mund të gjesh shpjegimin e “shelf” veçse në doracakë të gjeologjisë, nëse ka të tillë, kurse “kontinental” të paktën del me një farë njohjeje, sepse në mes kemi “Kontinentin”, që është pjesë shumë e madhe e rruzullit tokësor.” si “Kontinenti i Evropës”. Qytetari i shkretë largohet, atëbotë, në moskuptim. Veçse, nuk përfytyrohet lehtë se ç’lidhje mund të ketë “Shelfi” këtu me buzëujin e buzëdheun tonë, me “Kontinentin”? Po nuk thuhet gjëkund se për cilin Det bëhet fjalë. Trazimi vijon. Më tej bëhet fjalë: “…dhe për zona të tjera detare” kur sipër u tha “Shelfi Kontinental” ndërsa këtu duket sikur “shelfin” e kemi në njëjës, kurse “zonat e tjera detare” janë në shumës! Kush janë këto zona? Rasti i Shqipërisë me Greqinë edhe në Kanalin e Korfuzit është sërish i veçantë. Padyshim që parimi i baraslargësisë, është parësor, por vetëm kërkon dhe një ndërthurje me vlerësimin e rrethanave të pranishme të cekura, më sipër. Synimi është që të arrihet në një rezultat të barabartë. Ndërkaq principi i arritjes së rezultatit të barabartë dhe të paanshëm në rrethana të veçanta, zhvilluar në praktikën e përcaktimit të kufijve detarë, qysh nga viti 1958, i përket ndarjes së kufijve të HVE (Hapësirës së Veçantë Ekonomike) dhe SHK (Shtratdetit Kontinental). Deri në Othonoi, e gjithë hapësira e shtratdetit dhe detit është brenda standardit të DT dhe nuk ka HVE apo HAV. Këtu është çelësi i parë që duhej të përkonte dhe metoda e përzgjedhur e baraslargësisë, sipas nenit 15 të UNCLOS-82. Ndërsa më tej Othonoit kemi të bëjmë me HVE dhe SHK, ku sipas Konventës duhej të ishte krijuar përkim me Nenin 74 (për HVE) dhe Nenin 83 (për SHK). A thua se kjo të ishte një harresë e thjeshtë apo një mbulim i qëllimshëm, për të krijuar një pamje të rrejshme të zgjidhjes së arritur. Më në fund, në përmbyllje, na bëhet me dije, se ato që do të ndahen, “u përkasin në bazë të së Drejtës Ndërkombëtare” Më sipër u pa: “zonat e tyre përkatëse..” tani edhe një herë: “që u përkasin…” Kjo, është tollovija e hartuesve.
Intervista në 2009