Ja loja greke me varret, pensionet dhe përkatësinë fetare

958
Leonard VEIZI

(vijon nga numri i kaluar)
INTERVISTA III/ Rrëfimi i kolonel Myslim Pashës, njeriut që tronditi Athinën
Ujërat vazhdojnë të jenë tonat, pra shqiptare, edhe pse kompasi mbi hartë lëviz sipas interesave politike. 
Rivjen në bisedime apo jo, me sa duket kjo nuk ka aq shumë rëndësi. Përderisa institucioni më suprem në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese, e hodhi poshtë Paktin Detar me Greqinë. Po çfarë thotë kolonel Myslim Pasha, njeriu që mbrojti çështjen shqiptare në këtë klauzolë? Për “Telegraf”, ai rrëfen: 

Me Greqinë kemi dhe probleme, si ai që lidhet me varrezat e ushtarëve, por dhe pensionet që japin ata për “minoritarët”, Himarën…. 

Rrënjët e varrezave të ushtarëve grekë, në pamje të parë janë njerëzore. Në projektin e ndërtimit të tyre në gjeohapësirat shqiptare ke mbresën sikur nuk duket gjë tjetër. Mirëpo sythet e varrezave, qarkojnë në ca kufij fantazmagorikë të trojeve të ashtuquajtura “vorio-epirote” dhe kjo ushqen për bukuri qarqe greke, aq të shquara e të njohura tanimë, edhe në kohët moderne të gjithë përfshirjes. Paralel vijnë si figura të ngjashme gjeometrie:

I- Ngritja e shkollave greke edhe në qendra banimi tërësore shqiptare,
II- Pensionet për “minoritetin” që shtrihen edhe më tej hartës së pakicës greke në Shqipëri,
III- Gjithë emrat e shqiptarëve myslimanë që migruan në Greqi u shndërruan me “hir ose me pahir” në emra ortodoksë, helenë,
IV- Himara në këtë shekull, ngre zërin për “mëvetësi”, befas ulet dhe këndon këngë himariote, pastaj kujtohet e ngrihet sërish,
V- Regjistrimi sipas përkatësisë etnike e fetare e çon më të certifikuar synimin; duke sjellë një trazim të ri, i cili nuk mund të kalohet kaq lehtë. Gjithë përfshirja evropiane dhe ajo botërore, duket sikur ballkanasit do t’i bëjë kozmopolitë, do t’i nivelojë, duke shndërruar ngjyrimet origjinale të popujve në një format të ri. Kjo nuk është kaq e lehtë, sigurisht. 

Si duhet të sillen sot shqiptarët me Greqinë? 
Me Greqinë jemi fqinjë dhe s’mund të jemi në front kundërshtarësh. Kjo nuk do të thotë që të bëjmë lëshime të pafund, si këto që radhitëm atypari. Me dinjitet, mirëkuptim, pa komplekse, me fqinjëri korrekte, të barabartë dhe jo kryeulur. Ajo që ka ndodhur deri tash është zhgënjyese. Asnjë zë shqiptar nuk ndihet kundruall hapave helenë, që trajtuam më sipër, saqë tragjedia çame duket si e harruar. Shqiptarët kanë nevojë për një strategji, udhëheqje ideore, e cila t’i orientojë, duke pasur në krye vizionin kombëtar. 

Në fund, vërtetë që gjykata mbajti anën tuaj dhe e anuloi Paktin, madje, me vendim unanim. Si e pritët këtë vendim dhe çfarë tregoi ai? 

Si e komentoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Paktin Detar?
Shëmbëllimi i sistemit gjyqësor shqiptar ishte pashpresa e parë, dhe kjo si rrjedhojë e ndikimit politik. Prej një paragjykimi tronditës, mund të mendohej edhe dështimi, si një fund dëshpërues, fatal. Kësisoj vepra jonë do të shndërrohej në “asgjë”, nëse nuk do të kish pasur një komunikim ardhur prej Gjykatës Kushtetuese, si një mesazh Orakujsh, në frymën e tyre të gjykimit. Kushtetuesja bëri një gjykim historik siç e ka përcaktuar bukur juristi, Agron Alibali që ligjëron leksione diku në një Universitet, këtu në USA. Do të jetë një shembull unik, që nuk ka ndodhur ende në ndonjë vend të Botës, e jo vetëm në Ballkanin tonë, i cili do të ilustrojë studime dhe botime të së Drejtës Ndërkombëtare dhe asaj detare. Për herë të parë në Kushtetuese edhe pse në formatimin e saj vinte prej propozimesh të krahëve të ndryshëm politikë dhe diheshin se kush do të ishin rezultatet e votimit (5 me 4) apo (4 me 5),… ajo i ndryshoi këto supozime mosbarazimesh, shkallmoi këtë llogari arkaike shqiptare në: 9:0 duke përmbysur bindshëm një Marrëveshje Ndërkombëtare, e cila nuk ishte bazuar në një interpretim të drejtë të Ligjit të Detit dhe që shpërfillte dukshëm interesat kombëtare. 

Cila do ishte alternativa nëse gjykata do të kishte mbajtur qëndrimin e kundërt?
Ç’do të kish ndodhur, nëse do të kishte humbur ky rasat gjykimi? Së pari, Qeveria do të ishte qetësuar në veprën e saj. Po nuk e dimë, nëse do ta brente ndërgjegjja?! Kjo do të ishte një armë shpartalluese ndaj medias, studiueseve të pavarur dhe një siguri tjetër shënjimi ndaj opozitës. Kush ishte fitimtari? Ah, këtu sërish na vjen Absurdi shqiptar që e cekëm më sipër. Në një debat gati njëvjeçar, Pakti nuk kish pyetur për zhurmat dhe shënjimet, por do të ecte me të shpejtë në ratifikim në Parlamentin shqiptar, pastaj në Athinë, ku do të shkëmbeheshin instrumentet e ratifikimit si një epilog i festës për ndarjen e detit. Ju mund ta keni vënë re se, Qeveria edhe pas vendimit të Kushtetueses, nuk ka pranuar askurrë, se ndarja detare ka qenë e pasaktë. Ajo deklaroi se “e pranonte vendimin…” formalisht por në asnjë mënyrë se “ajo kish gabuar…” dhe si zakonisht se Kushtetuesja kishte dhënë “një vendim politik…” Kjo do të thotë “mos e prekni Paktin e parë se ai është i shenjtë dhe i paprekshëm.” A e ndjeni se si Pakti i rrëzuar ngrihet në përfytyrim, para palës greke dhe merr jetë. Vija kufitare detare ka gjasa, se do të shkojë atje ku është projektuar më parë tek ato koordinata dramatike.
Përcaktime 
Ujëra të brendshme. Ujërat shtetërore (territorialë) dhe deti shtetëror (territorial) 
Neni 8 i UNCLOS – 82, përcakton ujërat e brendshme. Askund, në literaturën e sotme shqiptare, nuk gjen trajtime të saj, në asnjë gjeografi fizike, rajonale apo ekonomike. Një gjendje e tillë ka ardhur nga që, siç trajtuam më sipër, indiferenca për hapësirën detare e kish lënë në harresë edhe kufizimin e ujërave të brendshëm. Këto ujëra kanë një vijë kufizuese në krahun e Dheut Kontinental. Ujërat që përmbyllen brenda drejtimit tokësor të shtetit bregdetar, kufizohen prej vijëdrejtave bazore që e përfshijnë atë. Në këtë hapësirë ujore Shteti ka ligjësim të plotë e sovranitet ( mëvetësi). Në ujëra të brendshme përfshihen edhe liqenet, lumenjtë, lagunat si dhe gjiret detarë (kur plotësojnë kushtin gjeometrik). (Deti Territorial) është një rrip ujor përgjatë brigjeve ujore që përzgjatet në 12 milje detare (md) nisur vijave bazore (zakonisht shenjat ujore me nivelin më të ulët të zbaticës astronomike) në përkatësi të Shtetit bregdetar. Ai konsiderohet si një gjeohapësirë sovrane e Shtetit. Ky sovranitet përfshin edhe hapësirën ajrore mbi Detin Shtetëror si dhe Shtratdetin Kontinental.
Hapësira e afërt vijimore (contiguous zone)
Kjo hapësirë ujore është një rrip i përzgjatjes së mëtejme të Detit Shtetëror (Deti Territorial), deri në 24 md, prej vijave bazore, brenda së cilës shteti mund të ushtrojë një kontroll të kufizuar për qëllime të parandalimit ose herë-herë ndëshkimit të dukurive të shkeljeve të shkaktuara nga kalime joligjore ekonomike, emigrim, trafik, rregulla të brendshme dhe ndërkombëtare, të ndotjes së mjedisit dhe ato shëndetësore. Kjo hapësirë ujore duhet të jetë 12 md e gjerë, por mund të ketë gjasa të jetë edhe më shumë se kaq (nëse shteti përkatës ka deklaruar dhe pretenduar Detin Shtetëror ( Det Territorial) më pak se 12 md ) ose më pak, nëse ai në të kundërt mbulon një Hapësirë e Afërt Vijimore të shtetit fqinj. Megjithatë ndryshe nga Deti Shtetëror ( Det Territorial) për zgjidhje të këtyre konflikteve nuk ka një rregullsi standarde e kjo bëhet pjesë e bisedimeve, midis shteteve fqinje.
Hapësira e veçantë ekonomike
Hapësira e Veçantë Ekonomike përzgjatet deri 200 md (370 km) tej vijave bazore të Detit Shtetëror (Detit Territorial). Ajo përfshin Detin Territorial si dhe Hapësirën e Afërt Vijimore. Shteti Bregdetar ka kontrollin e gjithë burimeve ekonomike në Zonën e Veçantë Ekonomike, duke përfshirë: peshkimin, shfrytëzimin e xeherorëve, të naftës dhe gazit, si dhe ndotjen e këtyre zonave. Megjithatë, në këtë zonë nuk mund të ndalohet kalimi pa të keq mbi ose nën syprinën ujore të detit. Para vitit 1982, shtetet bregdetare në mënyrë arbitrare i zgjeronin ujërat e tyre shtetërore në përpjekje për të kontrolluar veprimtaritë, të cilat tani janë të rregulluara prej Zonës së Veçantë Ekonomike siç mund të jenë shfrytëzimi në det të hapur, e drejta për të peshkuar. Greqia nuk e ka deklaruar ende HVE (Hapësirën e Veçantë Ekonomike = Economic Exclusive Zone) Për këtë qëndrim, shkaku ka qenë dhe mbetet, kërcënimi i drejtpërdrejt i së ashtuquajturës “casus belli”. Deklarimi i Turqisë për “casus belli” nuk lidhet me çështjen e HVE. Turqia pretendon që statusi i Detit Egje si një det gjysmë i mbyllur, shpërfaq një natyrë të veçantë (një natyrë të tillë të ngjashme të deteve gjysmë të mbyllur, si Deti Adriatik, ose plotësisht të mbyllur, si Deti i Zi). Veç kësaj Turqia nuk e ka firmuar UNCLOS që i lejon shtetet, të tejzgjaten në dete në një gjerësi prej 12 md (22 km). Në vitin 1995, mbasi Greqia e ratifikoi UNCLOS, Turqia, deklaroi që nëse Greqia tejzgjat, gjerësinë e Detit shtetëror më shumë se 6 md (11 km), Turqia do ta përfytyronte këtë një përpjekje dhe cenim të drejtpërdrejt të sovranitetit të saj.”
Sigal