Ushtarakët, ja sa do të rriten pagat

806
Sigal

Ushtarakët e të gjitha
niveleve do të marrin nga marsi 2017 shtesën e pagës, e cila varion nga 2 deri
në 7 mijë lekë sipas gradave. Publikohet tabela sot me rritjen e rrogës për çdo
ushtarak. Me këtë ndryshim, paga mesatare shkon nga 44 mijë në 48 mijë lekë të
reja. Pak ditë më parë, kryeministri Rama premtoi se në të ardhmen mund t’ua
rrisë edhe më shumë pagat anëtarëve të Forcave të Armatosura. “Jemi në momentin
midis një rritjeje 5-7% të rrogës për ushtarakët, që në këndvështrimin tim nuk
është mjaft, dhe një rritjeje 8-10%, që është paralele si rritja për gjithë të
tjerët. Po themi gjithë të tjerët lart, jo gjithë të tjerët poshtë”, – tha
Rama.

Gjatë takimit me
ushtarakët, kryeministri tha: “Kjo është beteja, dhe unë kam shumë shpresë që
brenda kësaj periudhe kur kalojmë nga diskutimi i buxhetit në parim, në
diskutimin e buxhetit zë për zë, ne do arrijmë që ta akomodojmë edhe këtë pjesë
për ushtarakët në këto nivele. Pra, të mos kenë një rritje më të ulët sesa ajo
e punonjësve të policisë apo sesa ajo e mësuesve apo e mjekëve dhe
infermierëve”. “GSH” publikon sot tabelën e rritjes së pagave, të propozuar për
një rritje mesatare të pagave të ushtarakëve nga 5-7%. Sipas llogaritjes së
bërë, përfitojnë gjithsej 6.750 ushtarakë. Shuma e akorduar nga buxheti i
shtetit për rritjen e pagave është 350 milionë lekë.

E ndarë kjo sipas
gradave, do të ketë rritje page nga 2.200-7.850 lekë në muaj. Sipas tabelës së
detajuar, nga rritja përfitojnë 7 ushtarakë të lartë, në shumën 40 milionë lekë
dhe 6.746 ushtarakë të tjerë, në shumën 310 milionë lekë. Pagesa mesatare
mujore e ushtarakëve, nga 44.870 lekë që ishte, tashmë bëhet 48.014 lekë. Një
gjeneral tashmë do të marrë një shtesë page mujore nga 5.900-7.850 lekë, një
major kolonel do të ketë rritje nga 4.580-7.000, një nëntoger kapiten do të
marrë nga 3.402-3.990 lekë më shumë në muaj. Nënoficerët do të kenë shtesë page
nga 2.800- 4.081 lekë në muaj, ndërsa ushtarakët aktivë do të kenë shtesë
2.200-2.700 lekë në muaj. Kjo llogaritje vlen për rritjen nga 5-7%. Nëse do të
vendoset në buxhetin e ri që rritja të jetë nga 8 deri në 10%, shifrat sipas
kategorive pritet të jenë edhe më të larta.

BUXHETI AFATMESEM

Në tri vitet e ardhshme
qeveria ka vendosur të rrisë pagat e buxhetorëve. Fondi i parashikuar për zërin
“Politika të reja pagash” është parashikuar në masën 4.5 miliardë lekë për tre
vjet, për harkun kohor 2017-2019. Për vitin 2016 nuk ka fond të parashikuar për
këtë zë, çka do të thotë se gjatë këtij viti nuk ka një fond të dedikuar për
rritjen e pagave. Sipas tabelës fiskale të publikuar nga Ministria e Financave,
mësohet se për vitin 2017, fondi në zërin “Politika të reja pagash” është
përcaktuar 1 miliard lekë; për vitin 2018 një fond prej 1.5 miliardë lekësh,
ndërsa për vitin 2019, fondi është 2 miliardë lekë. Ndërkohë që nuk është
ndjekur e njëjta politikë për pensionet. Kështu, nga viti 2016 deri në vitin
2018 nuk ka asnjë fond për rritjen e pensioneve, por në buxhetin e këtij viti
është parashikuar vetëm indeksimi i tyre. Ndërsa për vitin 2019 është
parashikuar një shumë prej 1.4 miliardë lekësh. Fondet pritet të rishikohen për
çdo vit buxhetor, ku do të përcaktohen edhe kushtet e kriteret mbi të cilat do
të aplikohet rritja e pagave. Pagat për buxhetorët do të rriten në mënyrë të
diferencuar. Fondi për rishikimin e pensioneve është parashikuar në vlerën 1.1
miliardë lekë. Rritja e pensioneve, e cila pritet të jetë sa indeksimi i
inflacionit, do të kryhet në korrik.