Universiteti i Gjirokastrës do të çelë për vitin e ri akademik 5 programe studimi profesional 2 vjecare për maturantët me mesatare të ulët. Rektori, Bektash Mema, thotë se studentët do të përgatiten për profesione të kërkuara nga tregu i punës si udhërrëfyes turistik, edukatore apo asistent ekonomist e menaxherë. Këto programe pritet të ndikojnë në tërheqjen e studentëvë pranë Universitetit në qytetin jugor, ku disa degë nuk e kalojnë pragun e 10 studentëve të regjistruar.

Pesë programe të reja studimi profesionale 2-vjeçare do të hapen nga Universiteti “Eqrem Çabej” në Gjirokastër për vitin akademik 2018-2019.

Rektori, Bektash Mema, thotë se degë të tilla si udhërrëfyes turistik, edukatore për moshat deri 3 vjeç, asistent ekonomist apo asistent menaxher në çështje të turizmit do tu ofrojnë të rinjve përgatitje për profesione të kërkuara nga tregu u punës.

Bektash Mema: Janë miratuar tashmë nga MAS edhe 5 programe profesionale pas arsimit të mesëm. Të gjithë aplikantët që kanë notën mesatare nën 6 ose nën 7 por edhe të tjerë, të aplikojnë në këto programe të cilat shkojnë drejt tregut të punës në një kohë relativisht të shpejtë.

Kjo mundësi për nxënësit me mesatare të ulët që nuk mund të vijojnë programet bachelor pritet të ndikojë edhe në rritjen e studentëve pranë këtij Universiteti, në një kohë që numri i maturantëve është përgjysmuar në rang qarku, prej migrimit drejt qendrës së vendit apo prej emigracionit të familjeve të reja.

Bektash Mema: Ristrukturimi i programeve ekzistuese dhe miratimi i programeve të reja është një moment që ne e vlerësojmë si një pikë kthese për prurjet në Universitetin e Gjirokastrës.

Programet e mësuesisë janë prioritet në Universitetin e Gjirokastrës, ku degët matematikë-fizikë, gjuhë greke, gjuhë italiane të cilat nuk e kanë kaluar pragun e 10 studentëve të regjistruar.

Bektash Mema: Mendojmë se përgjithësisht janë programe të kërkuara në tregun e punës ndaj dhe Universiteti i Gjirokastrës është fokusuar në këto drejtime.

Vitin e kaluar akademik, Universiteti i Gjirokastrës rrezikoi mbylljen e pesë degëve të studimit.

Vetëm 238 studentë të rinj u ulën për herë të patë në auditoret e këtij universiteti, ku studiojnë në total rreth 1500 studentë.