Uniformat e shtetit nuk dine të interpretojnë ligjin dhe Kodin e ri Rrugor

521
Uniformat e shtetit pothuajse çdo ditë shkelin ligjet e shtetit. Dhe kjo ndodh në një kohë kur ligjet flasin qartë, me paragrafët e tyre ndërkohë që interpretimin e gabuar (shpesh edhe me dashje) e bëjnë pikërisht uniformat e këtij shteti. Ata që duhej të ishin të parë në mbrojtjen e ligjit, duke treguar para qytetarëve se ka ardhur koha të vendoset shteti ligjor. Pothuajse çdo ditë rrugëve, rrugicave dhe kryqëzimeve në qytetet tona, gjejmë, takojmë dhe ndeshemi me uniformat blu të shtetit, tek mbushin blloqet e tyre të gjobave sikur të ishin bileta urbanësh, duke vendosur vlera që shkojnë nga 5 deri 50 mijë lekë për automjete. Shumica e tyre shprehen se “kemi edhe ne planin tonë, kemi urdhra”, një çmenduri e madhe, tek mendon se shteti ecën kuturu. Ligjin kush e shkel të dënohet, por ama kush nuk e shkel nuk ka pse paguan. Nga verifikimet në terren të paktën duke nisur nga Elbasani, një qytet dhe rreth me probleme edhe në qarkullimin e rrugor pasi mungon sinjalistika, shkelje ligjore janë të dyfishta me gjobat e automjeteve. Shkelja e parë ligjore mbetet ajo e cila të udhëzon se brenda 30 ditësh, nëse nuk vihet në dijeni poseduesi i automjetit për gjobën shoqëruar me provat e kundravajtjes, ajo gjobë e humbet efektin e saj ligjor. Nga ana tjetër kjo mënyrë e re gjobitje, pa dijeninë e personit, është veç të tjerave shkelje e të drejtave të njeriut. Ka dhjetëra e dhjetëra posedues makinash në Elbasan që ankohen për gjobat e pamerituara. Kurse për sa i takon bazës ligjore, është Kodi Rrugor që saktëson se “në qoftë se brenda 30 ditësh, nuk ju kanë njoftuar në shtëpi dhe ju të keni firmosur që keni marrë dijeni, atëherë gjoba e juaj bëhet e pavlefshme”. Por pavarësisht ligjit, policia po tregon dobësitë e veta duke mos treguar forcën e ligjit, pasi kërkon të mbledhë paratë e gjobave, edhe ne rastet kur drejtuesit e mjeteve nuk kanë marrë njoftime për masën ndaj tyre. Eksperti i Sigurisë Rrugore Dashamir Ullorja tha se “kjo rrugë e shkeljeve ligjore nga Policia Rrugore, lidhet me arbitraritetin për mbushjen e arkës së shtetit, duke u marrë paratë poseduesve të mjeteve në rrugë antiligjore, në një kohë kur çdo njëri nga ne mund të jetë edhe sot borxhli në regjistrat e shtetit, e vetmja zgjidhje është rruga drejt gjykatës”. Situata bëhet edhe më absurde, me vendimin e ri, sipas të cilit “ automjetet nuk lejohen të kalojnë kufirin, nëse gjenden me gjoba të pashlyera”, edhe pse shumica e tyre nuk kane dijeni për gjobat e vëna. Jo vetëm kaq, por drejtuesit e mjeteve, pengohen në udhëtimin e tyre përtej kufirit, edhe nëse kanë një emergjencë shëndetësore në shtetin fqinj, si në rastin e një qytetari nga Elbasani. Bedri N. përpara një muaji kishte nisur rrugën drejt Shkupit ku do të bënte babanë e tij operim nga zemra, dhe në kufi nuk është lejuar pasi kishte rreth 400 mijë lekë gjoba të prapambetura nga Policia Rrugore. Bedriu thotë se “ndoshta babai do të më kishte vdekur në rast se nuk do të ishte treguar i gatshëm një miku im nga Pogradeci që erdhi me urgjencë dhe më ndihmoi, për të paguar gjoba për të cilat nuk jam vënë kurrë në dijeni”. 
Kodi Rrugor dhe gjobat për semaforin
Shumica e gjobave me dijeni ose pa dijeninë e poseduesve të mjeteve, vihen për shkeljen e semaforit. Por paradoksi ndodh edhe në rastet kur në qytet nuk punojnë semaforët, dhe në fletën e gjobës shkruhet “shkelje semafori”, pa asnjë adresë konkrete. Me kodin e ri Rrugor, duket sikur janë “ulur” edhe gjobat për shkeljen e semaforit. Gjobat janë ulur në rastet kur shkelet semafori në qarkullimin e automjeteve. Komisioni i Ligjeve ka miratuar ndryshimet në Kodin Rrugor ku parashikoheshin gjoba 40-50 mijë lekë në rast se një drejtues mjeti shkelte semaforin. Me ndryshimin e miratuar, i propozuar nga një grup deputetësh të mazhorancës, masa administrative ndaj shkelësve do të variojë nga 20-30 mijë lekë. Po ashtu edhe në rastet e përsëritjes së shkeljes së semaforit, është rënë dakord me Ministrinë e Brendshme që në rastet kur gabimi përsëritet më shumë se dy herë brenda dy vjetëve, atëherë vendosja e gjobës do të pasohet edhe me pezullimin e patentës nga 9 deri në 12 muaj. Kodi Rrugor i ndryshuar, që i bashkëngjitet përditësimit të ligjeve në fushën e transportit sipas BE, sjell ndryshime për të gjithë personat që kanë varësi nga alkooli apo lëndët narkotike nuk do të pajisen me leje drejtimi, apo personat që transportojnë fëmijët në shkolla duhet të kenë leje të posaçme për ta kryer këtë funksion. Në ligjin e ri është parashikuar detyrimi për drejtuesit e mjeteve që t’i pajisin automjetet me ndenjëse të posaçme për fëmijët, si dhe lejen e posaçme për drejtuesit e mjeteve të transportit urban. 
Sigal