U arrestua sot në Selenicë, kush është Testiliano Basho

188

Policia ka vënë në pranga një person të rrezikshëm në Selenicë të Vlorës. Në një deklaratë për mediat, Policia e Shtetit ka dhënë detaje rreth operacionit të koduar “Selenica”.

“Pas informacioneve të mbledhura dhe gjurmimit profesional, policia në një aksion të mireorganizuar ka vënë në pranga shtetasin Testiliano (Tesi) Basho, i cili rezulton të jetë i dënuar me burgim të përjetshëm në Itali dhe paraqet rrezikshmëri maksimale”- njoftoi policia.

“Ky person ka tentuar të largohet, por falë ndërhyrjes profesionale është neutralizuar dhe arrestuar në flagrance”- tha policia, duke shtuar se në pranga është vënë edhe vëllai i tij.

“Për vëllain e Tesi Bashos, Satilno Basho, kishte urdhër ndalimi nga prokuroria e krimeve të rënda. Të dy vëllezërit dyshohet se i kanë kërkuar një shtetasi 100 mijë euro duke e shantazhuar”- tha policia.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Selenica”

Operacioni nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, Forcat Speciale “Renea”, Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë.
Kapet një person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, i dënuar në Itali me burgim të përjetshëm për vrasje, si dhe me precedent të theksuar kriminal në Shqipëri, në fushën e krimeve kundër personit dhe në fushën e narkotikëve.

Gjatë operacionit kapet dhe vëllai i tij për “Shtrëngim me dhunë për dhënie pasurie”.
Sekuestrohen arsenal armësh, municione, tritol e lëndë narkotike.

Policia e Shtetit, në kuadër të planit të posaçëm të masave për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, si rezultat i punës gjurmuese dhe hetimore, falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, gjatë paradites së sotme, ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Selenica”.

Departamenti i Policisë Kriminale pas informacioneve të grumbulluara, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, Forcat Speciale “Renea”, Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, në kuadër të operacionit ” Selenica “, si rezultat i ndërhyrjes profesionale ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të personit me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, Tesi alias Tesilvan Basho, 38 vjeç, banues në Selenicë, Vlorë.

Ky shtetas në momentin e ndërhyrjes së Policisë ka tentuar të reagojë dhe të largohet, por falë veprimeve profesionale të Policisë është neutralizuar dhe vënë në pranga.