Arrestohen në flagrancë dy shtetas, punonjës në Autoritetin Portual Durrës, doktori dhe shoferi i ambulancës. Sipas burimeve ata kanë shpërdoruar detyrën duke tregtuar dhe transportuar me ambulancë mallra kontrabandë.

Specialistët kanë dokumentuar me prova shkencore se disa shtetas, punonjës në Autoritetin Portual Durrës transportonin mallra kontrabandë, të cilët në bashkëpunim me njëri – tjetrin merrnin steka duhani të markave të ndryshme pa pullë fiskale të autoriteteve shqiptare në tragetet që ankoroheshin në Portin e Durrësit duke i futur në mënyrë kontrabandë me një mjet ambulancë dhe në vijim u’a shisnin personave të ndryshëm.

Janë arrestuar në flagrancë shtetasit:

  • Artan Dhima 49 vjeç, banues në Durrës, doktor në Autoritetin Portual Durrës;
  • Zamir Çyrbja 41 vjeç, shoferi i ambulancës në Autoritetin Portual Durrës.

U sekuestruan në cilësinë e provave materiale:

  • 300 paketa të markave të ndryshme;
  • 1 mjet i llojit ambulancë, tip Volsvagen, i cili shërbente për futjen e cigareve kontrabandë në Portin e Durrësit;
  • 1 automjet tip Ford që shërbente për transportin e cigareve nga Porti I Durrësit në shpërndarjen e tyre pranë personave të ndryshëm;
  • 2 aparate celularë.

Nga ana e grupit hetimor vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.