Tirana, “metropoli” i zhurmës në rajon

1566
Tirana mund të cilësohet fare mirë si “metropoli” i zhurmës në rajon, kjo për shkak të ndotjes së lartë akustike në disa nga zonat kryesore të kryeqytetit, të cilat tejkalojnë masën e ndotjes akustike, pothuajse dy herë mbi normat e vendosura nga BE-ja. Nga matjet e bëra në vitin 2014 nga Instituti i Shëndetit Publik, rezultoi se kryeqyteti në disa pika të tij ka zhurmë mbi nivelet e përcaktuara. Ndotja akustike është pjesë e kryeqytetit gjatë gjithë ditës dhe natës. Gjatë ditës shkaktarët kryesore që çojnë në këtë nivel ndotjeje janë subjektet industriale, zhurmat e shkaktuara nga lëvizja e automjeteve, aktivitetet e bizneseve private, lokalet apo dyqanet e ndryshme që janë poshtë pallateve, ndërkohë që në asnjë vend në Tiranë nuk ka një tabelë që të ndalohen boritë e makinave, të cilat shpesh janë aq të shumta sa janë të papërballueshme nga qytetarët. Por kjo situatë është e tillë edhe gjatë natës, kjo vjen si pasojë e aktiviteteve të shumë bizneseve private, lokaleve, klubeve të natës etj.
Statistikat e ndotjes akustike në kryeqytet
Nga matjet e bëra nga Instituti i Shëndetit Publik, u duk qartë niveli i ndotjes akustike në vend, matje këto të cilat tregojnë se ndotja akustike në kryeqytet është gati dy herë më e lartë se standardet e vendeve Europiane. Nga matjet e bëra së fundmi u konstatua, se Tirana është kryeqyteti i vetëm në rajon me ndotjen më të lartë akustike, si dhe qyteti me nivelin më të lartë të ndotjes akustike në vend. Këto janë statistika të publikuara nga vetë ISHP-ja, e cila pranon nivelin e ndotjes në kryeqytet. Niveli mesatar i ndotjes akustike në Tiranë arrin deri mesataren deri në 74 dB (decibel). Pikat më të ndotura në Tiranë janë kryqëzimi te “Zogu i Zi”, “Ushtari i Panjohur”, “Stacioni i Trenit”, “Lapraka”, “ Rruga e Elbasanit”, kryqëzimi te “Vasil Shanto”, ku niveli i zhurmës së trafikut rrugor është afërsisht 82 decibel, “Blloku”, zona tek “Petro Nini Luarasi”, zona tek “Libri Universitar”, “Qyteti i Nxënësve”, zona tek “Diplomati”, zona tek “Unaza e Re”, zona tek “Piaca”, zona tek “Bërryli”, zona tek “Xhamllëku”, zona tek shkolla “Bajram Curri” dhe në “Kinostudio”, ku niveli i zhurmës arrin deri në 73 dB (decibel), kur maksimumi që BE-ja lejon është 55 dB (decibel). Këto janë disa nga zonat ku ndotja është në nivelet më të larta, ku dhe zhurma gëlon me të madhe, zona ku janë të fokusuara dhe aktivitete e bizneseve private, zona ku qarkullimi i automjete është më i lartë, zona ku trafiku është më i madh, zona ku ndërhyrja e Policisë Bashkiake është përtokë. 
Nivelet e ndotjes akustike në disa qytete në vend
Tirana regjistron mesataren prej 74 decibel nga 55, që është norma e lejuar nga Bashkimi Europian, Durrësi 64.2 decibel, Fieri 62.9 decibel, Shkodra 64.8 decibel, Vlora 61.8 decibel, Saranda 63.9 decibel, dhe Korça 62.7 decibel, i cili është cilësuar si qyteti më pak i zhurmshëm në vend.
Tirana, qyteti ku numri i të dëmtuarve si pasojë e nivelit të lartë të ndotjes arrin me qindra në vit
Si pasojë e nivelit të lartë të ndotjes akustike, në Tiranë brenda një viti numri i personave të dëmtuar arrin në qindra. Këto janë sqarimet që japin specialistët në lidhje me këtë fenomen. Afro 100 fëmijë dhe 300 të rritur në vit shfaqin probleme shëndetësore, si pasojë e nivelit të lartë të ndotjes akustike. Sipas specialistëve, zhurmat ndikojnë, duke shkaktuar trauma të veshit të brendshëm, që çojnë deri në humbje të dëgjimit të pakthyeshme, kjo më shumë tek fëmijët, por edhe tek të rriturit, të cilët më së shumti shfaqin probleme me sëmundjet e hipertensionit, si pasojë e adrenalinës në gjak, të cilët janë të ekspozuar në nivele zhurmash më të mëdha se norma e lejuar. Gjithashtu probleme si pasojë e nivelit tepër të lartë të zhurmave shfaqen dhe sëmundjet e zemrës, çrregullime të gjumit, dhe shumë probleme të tjera, të cilat vijnë si pasojë e nivelit tepër të lartë të ndotjes akustike në kryeqytet, dyfish i asaj të Europë. 
Mbi 350 diskoteka, lokale e klube nate, bombardojnë Tiranën nga të katra anët 
Tirana është e izoluar nga më shumë se 350 diskoteka dhe klube nate dhe lokale, të cilat çdo ditë ushtrojnë aktivitetin e tyre edhe pas orëve, në të cilat është e ndaluar aktiviteti i tyre, ose në nivele të ulëta të shkaktimit të ndotjes akustike. Respektimi i orareve të përcaktuara nga Ministria e Mjedisit, të cilat kanë vendosur, se për mjediset e hapura orari i lejimit të veprimtarive, për ditët e premte dhe të shtuna është nga ora 19.00 deri në orën 24.00, ndërsa për ditët e tjera të javës nga ora 09.00 deri në orën 23.00, në përputhje me nivelin e lejuar të zhurmës. Ndërsa për mjediset e mbyllura veprimtaria lejohet pa kufizime orari, duke respektuar nivelin e lejuar të zhurmës së përcaktuar në Udhëzimin “Për nivelet kufi, të zhurmave në mjedise të caktuara”. Por këto udhëzime si duket nuk janë problem për këto biznese, pavarësisht ankesave të qindra banorëve në lidhje me zhurmat që gjenerojnë çdo natë këto biznese private. Biznese të cilat “nuk bezdisen” asnjëherë nga kontrollet e Policisë Bashkiake, të cilat janë në dijeni të plotë të këtyre aktiviteteve, por që nuk ndërhynë për të vënë në kontroll situatën, e cila është bërë gangrenë e përditshme e banorëve të cilët banojnë në afërsi të këtyre bizneseve private. 
Policia bashkiake mbyll sytë përballë këtij fenomeni shkatërrues
Institucionet përkatëse të cilët duhet të veprojnë për parandalimin e zhurmave pas orareve të përcaktuara me ligj, duket se janë në një gjumë letargjik përballë këtij fenomeni të përditshëm shkatërrues. Policia Bashkiake, e cila duhet të vihet në lëvizje për kontrolle në pikat ku konstatohet se zhurma është e pranishme mbi normën e lejuar, thuajse nuk funksionon, ose më mirë të themi bën sikur gjithçka ecën mirë. Ministria e Mjedisit, e mbështetur nga Policia Bashkiake dhe ajo e rendit, ka zhvilluar në disa raste vëzhgime në lidhje me këtë fenomen, por duket se masa nuk janë marrë, përderisa aktivitete e këtyre bizneseve vazhdojnë me të njëjtën mënyrë, duke mos respektuar oraret e përcaktuara. Vetë Agjencisë Rajonale të Mjedisit në bashkëpunim me Policinë Bashkiake, në pak raste vëzhgimi që kanë kryer, kanë deklaruar se janë vendosur dhe gjoba, që shkonin deri në 100 mijë lek të reja, për bizneset që kanë shkelur orarin dhe normën e lejuar të zhurmës, një shifër kjo e papërfillshme, kur këto biznese gjenerojnë shuma të mëdha parash brenda një dite, që shkojnë deri në 1 milion 500 mijë lekë të reja brenda një dite. Asnjë masë nuk u ndërmor në lidhje me këtë fenomen në qeverisjen e z. Basha, por asnjë premtim nuk duket është bërë nga qeverisësi aktual i bashkisë z. Veliaj. Kjo tregon qartë se si funksionon lidhja mes këtyre bizneseve dhe sekserëve të drejtueseve të bashkisë të policisë bashkiake, tatimorëve, të ministrive të ndryshme, të cilët nuk ndërmarrin asnjë masë, por i lënë në qetësi të plotë këto biznese të pasurohen, ndërkohë që zhurmat e mëdha shkatërrojnë çdo ditë shëndetin e qytetarëve të kryeqytetit. 
Sigal